Vendi fqinj, Italia, do të dhurojë 15 milion vaksina për vendet e varfër.
Mes vendeve që përfitojnë nga bujaria e vendit “mik” është edhe Shqipëria e Kosova.
Gjatë fjalës së tij në konferencën “Miqësia mes popujve” ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio deklaroi se Italia do të dhurojë brenda vitit 2021 rreth 15 milionë doza të vaksinave kundër COVID-19 për vendet e varfra. Sipas Di Maio gjatë javëve të fundit qeveria italiane ka lehtësuar dhurimet e dozave në favor të vendeve në nevojë për vaksina si Shqipëria, Kosova, Libia, Jemeni e Indonezia.
Me këtë lëvizje Italia ka konfirmuar impenjimin e saj për të ndihmuar në shpërndarjen e barabartë të dozave të vaksinës për vendet në nevojë bazuar në programin e Kombeve të Bashkuara COVAX.
Italia, u shpreh kreu i diplomacisë italiane, ka kontribuar me mbi 385 milionë Euro në kuadër të këtij programi. Roma zyrtare sipas Di Maio e ka vetëdijen se mungesa e përballimit të vaksinimit të gjerë e të sinkronizuar mes zonave të ndryshme të planetit, rrezikon që virusi do të vazhdojë të transformohet e rreziku mbetet mjaft i lartë.
Italia deri më tani ka kryer mbi 75 milionë doza vaksinash anti-Covid. Janë vaksinuar me të dyja dozat mbi 67 % e popullsisë mbi 12 vjeç.
Objektivi i autoriteteve italiane është që brenda datës 15 Shtator të vaksinohen rreth 80% e popullsisë rezidente. Në rast të kundërt, u shpreh Sekretari i Shtetit për Shëndetësinë, Pierpaolo Sileri, do të marrim në vlerësim format e vaksinimit të detyruar./albeu.com