Italia ashpërson masat: Karantinë dhe tampon të detyrueshëm për vendet e BE-së

Italia ka vendosur karantinë dhe tampon të detyrueshëm për të gjithë ata që mbërrijnë aty nga vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Karantina do të jetë 5 ditë dhe tamponi do të jetë i detyrueshëm në momentin e hyrjes në Itali. Pas përfundimit të karantinimit 5 ditor bëhet i detyrueshëm edhe një tjetër tampon.

Nga ana tjetër, kryeministri Italian, Mario Draghi i ka drejtuar një thirrje rajoneve duke i kërkuar të punojnë të gjithë së bashku, si mënyra e vetme për të fituar betejën mbi koronavirusin.

Draghi ka kërkuar që të lidhen mënjane polemikat dhe të ndërtohet një raport konstruktiv me shtetin.

“Duhet të shohim përpara drejt së ardhmes me optimizëm. Fushata e vaksinimit po përmirësohet vazhdimisht dhe me shpejtësi. objektivat e parashikuar për muajt prill dhe maj lidhur me imunizimin, në referim me furnizimin e vaksinave dhe numrin e vaksinimeve, e që janë tek gjysmë milionë të vaksinuar në ditë, nuk duken më aq të largëta sa përpara”, u shpreh Draghi.

Draghi thotë se vendit i duhet dhënë sërish shpresë, dhe duhet filluar të mendohet për rihapjen. Optimizmi i kreut të qeverisë italiane bazohet tek numrat. Ai shpjegoi se dozat në mbërritje të vaksinave duhet të jenë të mjaftueshme që në muajin korrik, në të gjithë Europën të arrihet imuniteti.

Duke iu kthyer edhe një herë rajoneve, Draghi i siguroi se shteti do të bëjë gjithçka për t’iu përgjigjur nevojave të tyre e për ti ndihmuar në arritjen e objektivave në luftën kundër pandemisë, që në fund, janë të njëjta për të gjithë.


Shtuar 30.03.2021 13:36