Këtë të premte në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin ishte i ftuar Genti Kame. “Kulla” është libri i tij i parë, të cilin e kishte filluar para 4 vitesh, por që nuk e kishte përfunduar.
Sipas rrëfimit në ‘Abc e Pasdites’, Kame kishte filluar një vit më parë me punën e tij dhe e përfundon këtë vit, i cili do të jetë i pranishëm edhe në panair. Ai u shpreh se për të është libri i parë, dhe i duket vetja shumë i vogël në këtë fushë të panjohur.
“Është e habitshme, i prisja më kërshëri premierat e filmave, serive, ndërkohë që tani pres të hapet sipari i një panairi dhe më duket vetja shumë i vogël, shumë i panjohur, ky ambjent, mjedis, kur shoh emrin tim midis emrave të shumë shkrimtarëve të njohur të cilët e kanë profesion prej vitesh atë”.
Gjatë rubrikës së melodive të jetës, kënga “E lucevan le stele” e ktheu në rininë e tij në Itali.
“Një nga meloditë që më ka futur në gjak muzikën klasike, 19 vjeç isha në Itali bashkë me një shok tjetër, në atë moment nuk kishim as letra. Në një kafene takojmë një italian, ai na pyet çfarë gjuhe flisni, shqiptare i themi. Po ti ça pune bën? Capobanda? Ikim, i them shokut tim, nuk qenka punë për ne. Jo-jo, thotë ai, jam i bandës muzikore. Kjo bandë muzikore bënte festat e gjithë fshatrave kudo që ndodheshin në Itali, në majat më të largëta. Festat e shenjtorit mbrojtës të fshatit që bëhet ceremonia, dhe këtë e merrte banda me 40 muzikantë, bandë frymore. I themi a mund të vijmë dhe ne. Po na thotë, por dini t’i bini veglave? Jo. Hajdeni një ditë, thotë, bëni kot sikur i bini. Dhe ne ndenjëm 6 muaj, dhe kemi bredhur Italinë e kemi bërë sikur i binim. Mësuam vetëm finalen për t’i fryrë. Të gjithë dinë të masin kohën dhe ne dilnim gjithmonë huq. Dhe ai na thoshte ju paguaj që të mos t’i bini, dhe jo t’i bini.” – rrëfeu Kame mes nostalgjisë dhe humorit që kjo histori mban.
Por një artist a mund të revoltohet e të dalë kundra të gjithëve? Ai u shpreh se në çdo moshë dhe çdo çast ka revoltë, por çdo kush duhet të gjej një optimizëm dhe të shoh pas perdes së zezë. “Duhet ti provoj të gjitha në kuptimin logjik, jeta ka probleme, jeta pa probleme nuk është jetë.”