Ish-sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun e Partisë Demokratike, Jola Hysaj, ka reaguar me një postim në rrjetet sociale ndaj protestës së mbajtur në Tiranë, duke e cilësuar atë jo si shpresë për vendin, por si “një re të zezë” mbi Shqipërinë.
Ajo shprehet se për 13 vite ka marrë pjesë në protesta kundër qeverisë dhe kundër Edi Ramës, por nënvizon se kjo protestë i ka ngjallur dyshime që prej ditës së parë. Sipas Hysajt, pakënaqësitë reale të qytetarëve po përdoren nga organizatorët për interesa që, sipas saj, nuk kanë lidhje me zgjidhjen e halleve të tyre.
Të lidhura
None found
Në reagimin e saj, Hysaj shkruan: “Këtu po luhet keq, po goditet Shqipëria nën brez dhe jo që nuk ikën Edi Rama me këtë lojë të pistë, po koha do tregojë që Edi Rama do i nxjerrë jashtë loje të gjithë këta”.
Postimi i plotë i Jola Hysaj:
Kam qenë pjesë e protestave për 13 vite. Me PD kundër Edi Ramës që të jemi të qartë, se e di që në këtë kohë “protestuesish” me libër shtëpie do i turren këtij postimit tim. S’e kam problem se s’do jetë hera e parë, po aman vetëm patronazhiste mos më bëni se s’i duroj dot!
Tani më falni po kjo motra majtiste nga Italia çfarë do këtu në Shqipëri? Halli është se unë që jam e djathtë dhe nuk e honeps fare këtë protestë, po ndihem keq që paska mbetur Shqipëria ta shpëtojë kjo komunistja e Italisë! Ah po, bashkë me ca gjelbërushe të Gjermanisë dhe Hollandës, që e duan Shqipërinë rezervat natyror për turistët me bukë me vete! Punë e madhe se shqiptarët nga ky lloj turizmi fitojnë vetëm një copë bukë! Po pse nuk paskemi të drejtën ne të kemi resorte luksoze, si ato ku shkojnë gjithë blogerat dhe artistat e protestës, që këtu përloten për flamingot, kurse nga Dubai apo Maldivet postojnë buzeqeshje nga suitat 10 mijë euro nata?!
Pse nuk u bëka dot edhe në Durrës një “ishull” si palma (që ne mund ta bëjmë shqiponjë po deshët ju patriotet part-time) dhe qenka më mirë të kënaqemi me “all-inclusive”-et e Golemit, ku hotelet luftojnë për mbijetesë duke kënaqur turmat e turistëve nga Lindja që më shumë sjellin ngarkesë mjedisore, se sa të ardhura domethënëse në ekonomi?! Pastaj mirë dakord ambientalizmi, se e kam merak edhe vetë dhe kam bërë protestat e mia në Durrës kundër fushës kanceroze të plehrave që më në fund u mbyll. Po ça lidhje ka ambientalizmi me flamurin e Izraelit dhe me ato piskamat e asaj motrës tjetër nga Kosova, që na solli në bulevard dritën e liderit të saj shpirtëror Ajatollah Khamenei?!
Zoti na ruajtë nga kjo histeri e rrezikshme, se s’ka shans ta dojë askush nga këta Shqipërinë më shumë se sa unë, që tek kjo protestë i ndjej vërtetë ato duart që i lëvizin fijet e kësaj gjullurdie! Ato duar nuk duan ta çojnë më përpara Shqipërinë, kjo është shumë e qartë. As nuk duan t’i zgjidhin hallet e njerëzve që simpatizojnë këtë protestë, po thjesht duan t’i përdorin ato halle për ta bërë Shqipërinë përshesh nga e para.
Unë që kam protestuar 13 vjet për ato halle dhe jam rritur e jam bërë mam në protesta, e kam parë këtë protestë me dyshim të madh që ditën 1. Por sot e shoh si një re të zezë, jo si një rreze drite mbi Shqipërinë! Fiks kjo motra komuniste që ka ardhur nga Italia të na shpëtojë neve bashkë me Qorrat e me Lapajt dhe me ca gjoja të rinj pa emër me qeleshe në kokë, më bind përfundimisht për renë e zezë.
Qytetarët jo vetëm kanë të drejtë të protestojnë, po kanë detyrë të kërkojnë më shumë. Por këtu nuk janë fare kërkesat e tyre halli i kësaj motrës italiane dhe i vëllezërve të saj organizatorë të asaj turmës thithëse në Tiranë.
Këtu po luhet keq, po goditet Shqipëria nën brez dhe jo që nuk ikën Edi Rama me këtë lojë të pistë, po koha do tregojë që Edi Rama do i nxjerrë jashtë loje të gjithë këta. Ama koston e lojës do ta paguajë Shqipëria! Prandaj çdokush që e do vërtetë Shqipërinë europiane, jo vetëm duhet t’i rrijë larg po duhet ta “sabotojë” me fjalën e vet këtë lojë të pistë hienash politike dhe ujqish gjeopolitikë! Unë ika nga PD-ja kur pashë se alternativa e Edi Ramës u bënë molotovët e gjuajtur me pagesë dhe kazanët e ndezur me flakë. Kjo protestë me kaq helm dhe djallëzi, ku nuk ka mbetur dështak publik pa dalë në ekran për t’u bërë pjesë, mua po ma bën Edi Ramën njeriun më normal të kësaj valleje marramendëse për Shqipërinë. Zoti më faltë nëse jam gabim, po kur shoh edhe ca vemje rilindase dhe kalbësira komuniste të Partisë Socialiste që i janë bashkuar protestës, atëherë ndjehem më afër me Shqipërinë 2030 të Edi Ramës se sa me Shqipërinë e këtij cirku ku hallexhinjtë përfaqësohen nga delenxhinjtë!
