Ish-presidenti Medvedev: Perëndimi nuk do t’i lërë të qetë Rusinë dhe Kinën

Në komentet e tij të fundit që shënjestron Perëndimin, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev ka thënë se po përpiqet ta ndajë Rusinë në shtete më të vogla dhe më të dobëta.

Ai tha se Perëndimi nuk e pëlqen pavarësinë e Rusisë dhe Kinës, dhe se nuk do t’i lërë të qetë dy fuqitë.

Duke folur me agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Medvedev tha se Ukraina ishte pjesë e “Rusisë së Madhe”, një nocion që është përmendur edhe nga Vladimir Putin.

Medvedev tha se nuk sheh asnjë perspektivë për ringjalljen e lidhjeve të Rusisë me Perëndimin në të ardhmen e afërt.

“Besoj se herët a vonë situata do të stabilizohet dhe komunikimet do të rifillojnë, por sinqerisht shpresoj se deri në atë kohë një pjesë e konsiderueshme e atyre njerëzve [udhëheqësit perëndimorë] do të kenë dalë në pension dhe disa do të kenë vdekur,” tha ai.

Ish-presidenti, i cili tani është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, komentoi gjithashtu një urdhër-arresti për Putin të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, duke thënë se një përpjekje nga çdo vend për të arrestuar presidentin rus do të merrej si një deklaratë lufte./albeu.com


Shtuar 23.03.2023 08:52