Teksa beteja gjyqësore mes Johnny Depp dhe ish-bashkëshortes së tij, Amber Heard, vijon ende, kjo e fundit ka nxjerrë një video ku Depp shfaqet i dehur dhe thyen enët e kuzhinës.
Një video e re kundër aktorit Johnny Depp është paraqitur në gjykatë, nga ish-bashkëshortja e tij Amber Heard, në gjyqin që po mbahet, pas padisë që aktori bëri ndaj ish-gruas së tij për shpifje, një shkrim të saj në ëashington Post të vitit 2018, ku ajo tregoi se ishte abuzuar në familje, referuar aktorit.
Avokati i aktores ka publikuar pamjet ku Johnny Depp shihet në gjendje të dehur teksa thyen enë në kuzhinë dhe godet tavolinën me grusht. Heard shihet e përlotur në gjykatë dhe dridhej nga frika teksa shihte pamjet që u publikuan. Avokati i aktores, Rottenborn iu drejtua në gjykatë, ‘Kjo është në shtëpinë tuaj në West Hollywood. Ky je ti në video. Ishe i dhunshëm?’
“Është e qartë se po kaloja një gjendje të vështirë dhe të rënduar. Unë kam goditur dollapët në kuzhinë dhe nuk e kam prekur zonjushën Heard”, u përgjigj Depp.
“A mund të kesh qenë i dehur?” e pyeti avokati Rottenborn.
“Është një mundësi”, u përgjigj Depp. Depp tha se çdokush mund të humbi kontrollin e emocioneve të tij ndonjëherë. ‘Pse po filmonte ajo? Nëse ajo ishte e frikësuar për vdekje, pse nuk u largua?’.
Depp kërkon 50 milionë dollarë nga Heard, teksa dëshminë e tij në një gjykatë në Virxhinia e nisi duke thënë se ai nuk kishte goditur kurrë asnjë grua në jetën e tij dhe se donte të pastronte emrin, pas akuzave të rënda që ish-bashkëshortja i bëri.