Isa Mustafa sulmon Albin Kurtin: Ai do t’na shkelë, vetëm opozita e ndalon!

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa thotë se veprimi i kryeministrit Albin Kurti, përkatësisht i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, për të votuar ndryshimin për Ligjin e Zgjedhjeve ishte një veprim i paramenduar.

Ai mes rreshtave ka një porosi edhe për kryetarin e tanishëm të LDK-së, Lumir Abdixhiku duke shtuar se vetëm një opozitë e vendosur e ndal brutalitetin politik të Kurtit.

Mustafa në një prononcim për KosovaPress thotë se veprimet e Kurtit dhe LVV-së gjatë së premtes mund t’i jepen epitetet e llojllojshme, si shantazhim i opozitës, kapje e shtetit por assesi veprim i një demokracie parlamentare në Evropë.

Mustafa theksoi se për gjithë këto sjellje Kurti nuk është fajtor pasi që siç thotë atë dhe Vjosa Osmanin e kanë njohur të gjithë.

“Duket se ishte dhe është një veprim i paramenduar i Kurtit, përkatësisht Grupi Parlamentar të Vetëvendosjes. Këtij veprimi mund t’i jepen epitete të llojllojshme, shantazhim i opozitës, kapje e shtetit, arbitrarizëm etj, por asesi veprim i një demokracie parlamentare në Evropë. Albini nuk mund të jetë fajtor për këto sjellje, sepse të gjithë e kanë njohur, atë dhe Vjosën, kurse qytetaret këtu dhe në diasporë ua kanë dhënë fuqinë me votë që të bëjë çfarë të duan”, tha Mustafa.

Iniciativa e Kurtit për të votuar ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet u pa edhe si shantazh për zgjedhjen e presidentes.

Megjithëkëtë, Mustafa thotë se vendi po rrëshqet në një fazë të rrezikshme për shtetin dhe demokracinë.

“Albini po thotë, ‘unë iu shkelë të gjithëve’; disa po i thonë ‘mos na shkel sepse ne jemi konstruktiv nuk bëjmë obstruksion!?”, tha Mustafa.

Shtuar 3.04.2021 01:04