Edhe kjo mbrëmje në Adriatik duket e qetë. Pavarësisht se është muaji tetor, deti ngjet të jetë i patrazuar për Fërhat Ajdinin dhe grupin e tij, ndërsa nata përpara duket sërish premtuese. Ashtu siç në fakt kishin qenë tri vitet e fundit, ku kishin mundur të transportonin të pashqetësuar me qindra tonelata drogë në bregun tjetër matanë Vlorës.
Një udhëtim i gjatë në det që kish nisur në vitin 2014 dhe që u kish sjell shumë andralla në kërkim të pasurisë. Por pa e ditur se ky zbarkim i radhës në brigjet e Barit do të ishte edhe fundi i maratonës së tyre ujore, në botën e narkotikëve. Aty ku në brigjet e Puglias, këtë herë po i priste policia italiane. E cila në fakt kishte kohë që i kishte në lupën e saj.
Ku edhe këtë herë grupi i narkotrafikantëve mendoi se ia hodhi paq autoriteteve italiane, por që mesa duket i kishin bërë llogaritë gabim.
Pasi lirimi i tyre nuk do të ishte gjë tjetër, veçse rrengu për të çuar autoritetet policore italiane në drejtim të pjesës tjetër të grupit. Një grup i strukturuar kriminal me bazë në Shqipëri, i përbërë nga shqiptarë dhe italianë, por që shpejt me identifikimin e tyre do të zbuloheshin edhe fijet në politikë dhe në drejtësi. Fije të cilat i kishin shërbyer këtij grupi për ti krijuar vetes të gjithë komfortin për të vepruar të lirë në Shqipëri dhe për të lëvizur më pas pa u bezdisur drogën drejt Italisë.
Ku midis të arrestuarve të shumtë në operacionin e koduar ‘Shpirti’ do të ishin edhe dy ish-truprojat e ministrit të Brendshëm në vitet 2013-2017, Saimir Tahiri, i cili sot ndodhet edhe vetë pas hekurave të qelisë i dënuar nga Gjykata e Apelit e Korrupsionit dhe Krimeve me 3 vite e 6 muaj burg, në akuzën për shpërdorim detyre. Një ndjekje e gjatë dhe e lodhshme edhe për autoritetet italiane të cilët kishin dokumentuar me durim të gjithë aktivitetin kriminal të grupit që sipas tyre kishin mundur të transportonin drejt Italisë, përgjatë viteve 2014-2017, tonelata me lëndë narkotike.
Ku edhe këtë herë ata që do të zbërthenin grupin kriminal dhe mënyrën se si ata funksiononin do të ishin të penduarit e drejtësisë.
Të cilët nuk treguan vetëm emrat e tyre, por edhe lidhjet që kokat e kultivimit dhe trafikimit të lëndës narkotike në Shqipëri kishin me dy pushtetet, atë politik dhe në drejtësi. Por pjesa më interesante e hetimit, është ajo që lidhet me emrat e dy shoqëruesve të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në kohën kur ky i fundit mbante postin e rëndësishëm ministror, gjatë viteve 2013-2017.
Kohë e cila përkon edhe me aktivitetin e dy truprojave të tij, Agustin Deda dhe Hekuran Marku, në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Por edhe me masivizimin e kanabisit në Shqipëri. Por si u përfshinë Deda dhe Marku në këtë aktivitet. Për të kuptuar rolin e tyre në këtë sipërmarrje edhe këtë herë në ndihmë hetuesve italianë u erdhi dëshmia e një të penduari të drejtësisë.
Ai është skafisti Fiqiret Seferi që deri para arrestimit kishte një rol kyç në transportin dhe trafikimin e lëndës narkotike.
Episodi për të cilin ai flet është ai i 21 dhjetorit 2016, kur policia italiane bllokoi në brigjet e veta, mbi 1 ton hashash, të cilat sapo kishin mbërritur nga Shqipëria drejt Italisë.
Dosja Italiane
“Eltjon Bregasi (Pinxho), Silvio Sidella, Raffaele Addante. Giuseppe Vispo, Alessio Ventrella, Agustin Deda dhe Hekuran Marku, këta dy të fundit ish-shoqëruesit e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ish punonjës të Gardës, kanë trafikuar në rrugë detare nga Shqipëria drejt Italisë 1016 kg hashash. Droga iu është sekuestruar skafistëve Fiqiret Seferi e Ferhat Ajdini. Lënda narkotike është kultivuar dhe mbajtur në Shqipëri nga Eltjon Bregasi (Pinxho), Agustin Deda dhe Hekuran Marku, për tja dorëzuar më pas italianëve Silvio Sidella, Raffaele Addante. Guiseppe Vispo, Alessio Ventrella.Gjë që nuk është realizuar pasi kjo sasi droge është bllokuar nga policia.
Sipas autoriteteve italiane menjëherë pas kësaj goditje të parët që u arrestuan ishin Fiqiret Seferi dhe Fërhat Ajdini. Të cilët u ndaluan nga policia italiane rreth 2.5 milje në zonën e Polignano Mare, në bordin e një gomonie 8 metra të gjate, të cilët edhe pse në fillim nuk pranuan të bashkëpunonin me autoritetet italiane, pas dënimeve të rënda që drejtësia e këtij vendi u dha, ata pranuan të flisnin dhe të rrëfejnë dinamikat e trafikut të drogës si edhe personazhet e perfshira.
Dosja Hetimore Italiane
“Në lidhje me këtë rrugë trafikimi të lëndës narkotike, deklarimet e bëra nga Fiqiret Seferi, në kuadër të bashkëpunimit të tij me drejtësinë, kanë bërë të mundur të identifikoheshin plotësisht personat e përshkruar si Pinxho dhe Silvio. Konkretisht njëri si shtetasi shqiptar Eltjon Bregasi, tjetri si shtetasi italian Silvio Sidella, duke konfirmuar aktivitetin kriminal për të dy këto persona.Në veçanti për të parin, i cili ishte pronar i një pjese të sasisë së madhe të lëndës narkotike të trafikuar në Itali, për të dytin si pritësi i lëndës narkotike. Përveç kësaj deklarimet e bëra kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë aktivitet kriminal të dy shtetasve të tjerë shqiptarë, të cilët bashkën me Pinxhon ishin pronarë të lëndës narkotike, duke i njohur si Agustin Deda dhe Hekuran Marku, të cilët në atë periudhë ishin punonjës policie me shërbim si badigard në eskortën e Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, po ashtu edhe të tre shtetasve italian të tjerë të identifikuar si Raffaele Addante, Giuseppe Vispo dhe Alessio Ventrella. Këta të tre të fundit në bazë të asaj që ka deklaruar bashkëpunëtori i drejtësisë ishin në kontakt me dy personat skafistë nëpërmjet shtetasit Shpëtim Shehi.
Menjëherë pasi pranuan të ishin bashkëpunëtorë të drejtësisë, dy skafistët e penduar, folën në veçanti për 3 ‘udhëtime’ nga Shqipëria në Itali, që kishin kryer nga gushti deri në dhjetor 2016. Ku ata identifikuan si pjesëmarrës në këtë trafik Saimir Kurtin, Malton Lleshin dhe Shkëlzen Dacin. Dy të parët si pronarë të lëndës narkotike në Shqipëri, ndërsa i treti si marrësi i drogës që u trafikua me 4 gusht 2016. Po kështu Ajdini dhe Seferi identifikuan edhe Eltjon Bregasin, Hekuran Markun dhe Agustin Dedën, si pronarë të lëndës narkotike.
Por siç do të dalë edhe më tej në këtë dosje të siguruar ‘Në shënjestër’, Hekuran Deda dhe Agustin Marku, nuk do të ishin të vetmit punonjës të shtetit të përfshirë në aferën kriminale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Një tjetër episod për të cilin Fiqiret Seferi u rrëfye përpara hetuesve italianë, ishte edhe ai i trafikimit të 290 kg drogë nga Shqipëria në Itali.
Drogë e cila ishte në pronësi të Malton Lleshit, por që pasi të zbarkonte në Itali, do të ndahej midis disa personave. Ku sipas autoriteteve italiane i përfshirë krahas Malton Lleshit, Fërhat Ajdinit, Shkëlzen Dacit dhe emrave të tjerë, ishte Saimir Kurti, drejtori i zyrës së Punës në Kavajë. Një zyrtar vendor që siç do të rezultojë edhe më poshtë në dosje, ishte një person me influencë në polici dhe drejtësi. Çka tregonte për shkallën e lartë të implikimit të shtetit në trafikun e lëndëve narkotike. Ndërsa sipas rrëfimit të Fiqiret Seferit, droga që ishte pronë e Malton Lleshit, me lejen e tij e këtij të fundit do të ndahej me të zbarkuar në Itali, në Kalabri dhe Siçili.
Ku një pjesë do ta merrnin dy skafistët Fërhat Ajdini dhe Fiqiret Seferi, të cilët më pas do të ktheheshin në të penduarit e drejtësisë.
Dosja hetimore Italiane. “Trafikimi i 290 kg u bë në rrugë detare nga Shqipëria drejt Italisë me 4 gusht 2016. Droga do t’i dorëzohej; 150 kg Shkëlzen Dacit, 80 kg Malton Lleshit, pjesa tjetër Fërhat Ajdinit dhe Fiqiret Seferit. Ajdini dhe Seferi në korrik-gusht 2016 kanë marrë përsipër të trafikonin drogën nga Shqipëria në Itali, për të përballuar vështirësitë ekonomike. Saimir Kurti dhe një person tjetër, kishin vënë në transport përkatësisht 50 dhe100 kg duke iu premtuar 100 euro për kg. Pritësi ishte Shkëlzen Daci. Droga do të nisej mbrëmjen e 3 gushtit nga Mali i Robit. Aty do të ishte i pranishëm edhe një person i paidentifikuar. Pronar i një hoteli të vjetër në zonën e malit të Robit, që do të merrte 10 kg drogë që do të dërgoheshin në Torino.
Në lidhje me këtë episod të trafikimit të lëndës narkotike, Fiqiret Seferi rrefeu për hetuesit edhe njohjen e tij me Fërhat Ajdinin dhe Saimir Kurtin. Edhe se si ky i fundit pavarësisht se ishte i arrestuar dhe ndodhej në spital i ruajtur nga policia, ata kishin mundur ta takonin me bekimin e këtyre të fundit dhe të kryenin transportin e radhës të drogës.
“Fërhat Ajdini më njohu me Saimir Kurtin. Shkuam në spital dhe folëm me të, pasi ai kishte 50 kg për të transportuar. Saimiri ishte i shtruar dhe ishte në arrest në spital. Në spital ruhej me policë. Na lanë vetëm me të me kërkesë të Saimirit. Takimi u bë në spitalin e Durrësit ne repartin e të mbrojturve. Kemi folur të tre dhe ai na propozoi që të dërgonim 50 kg në Itali dhe tha se e kishte ai gomonen. Fitimi do të ndahej. Unë dhe Ajdini do të fitonim nga 100 euro për çdo kg të trasportuar. Saimiri e kishte gomonen te shtëpia e tij në Stover rreth 2 km në jug të Kavajës. Në total do të çonim 290, 50 të Saimirit, 140 të Malton Lleshit dhe 100 të Luanit. Ky i fundit mbante 2 emra. Jemi nisur nga Mali i Robit rreth orës 23.30 të 3 gushtit 2016. I zoti i vendit nga jemi nisur quhej Mustafa. Unë Ajdini, Mustafai dhe Luani ngarkuam gomonen. Mustafai na dha një GPS dore. Kishte vënë pikat e udhëtimit dhe të arritjes në Itali. Në mëngjes kemi mbërritur në drejtim të San Vito de Normani. Ishte një plazh me 2-3 shkëmbinj dhe një bar afër. Shkarkuam drogën në një kanal ku ishte mbjellë misër. Kur ishim ulur në një Bar erdhën karabinierët. Na pyetën nëse gomonia ishte e jona. Na dërguan në Kuesturë. Thamë që ishim të dehur dhe kishim arritur me gomone në Itali pa dashur. Na liruan pasditen e 4 gushtit. Drogën e Saimirit dhe të Luanit ja dorëzuam Tanit të Modugno (Shkëlzen Dacit). Malton Lleshit i dhamë 80 kg, por ai nuk na bëri pagesën e transportit. Droga e Lleshit ishte e konfeksionuar me letër alumini dhe kishte shenja më spray të kuq ndoshta X.Droga e Saimir Kurtit kishte letër ngjitëse dhe kafe dhe ajo e Luanit ishte në qese të zeza.Theksoj se i kam dhënë 38 mijë euro Saimir Kurtit. Këto lekë i kishte sjellë Ajdini në Shqipëri me kamion. Lekët vinin nga Shkëlzen Daci, i thirrur si Tani i Modugnos.”, tha Fiqiret Seferi, i penduar i drejtësisë.
Sipas autoriteteve italiane Fërhat Ajdini dhe Fiqiret Seferi mbaheshin prej kohësh në përgjim. Ku nga interceptimet telefonike del qartë se Ajdini do takonte Malton Lleshin i njohur edhe si ‘Labi Vlonjati’ me qëllim ndarjen e parave të transportit. Po me interes është edhe biseda midis Ajdinit dhe Samuel Muçës.Ku Ajdini dëgjohet teksa e urdhëron në mënyrë të prerë dhe të koduar, që në takimin e nesërm Malton Lleshit, të mos i jepej pjesa e ngelur e ngarkesës me lëndë narkotike, nëse ky i fundit nuk jepte paratë që kishte për të dhënë.
Po sipas përgjimeve më 14 gusht 2016, Fërhat Ajdini kapet në telefonatë me Fiqiret Seferin, i cili nga Shqipëria i tregonte se ishte takuar dhe kishte folur me Saimir Kurtin.
Gjatë kësaj bisede Fiqiret Seferi dëgjohej teksa fliste për shumën 9 mijë euro që do të mblidhte brenda disa ditësh. Të dhëna provuan edhe gjatë marrjes në pyetje të Ajdinit dhe Seferit, se Saimir Kurti, ishte pronari i një pjese të lëndës narkotike që do të transportohej në Itali.
Ku po kështu u vërtetua që shuma 9 mijë euro përputhet me atë që flitet gjatë telefonatës midis Seferit dhe Saimir Kurtit. Dhe që do ishte shuma që do ti takonte Kurtit si shkëmbim për gomonen e përdorur në udhëtim, përveç pagesës së lëndës narkotike. Po kështu gjatë përgjimeve telefonike të autoriteteve italiane u mundësun kontakte të vazhdueshme drejt një numri italian. Numër i cili rezultoi se i përkiste Shkëlzen Dacit, i njohur edhe me nofkën ‘Maloku’. Përgjime të cilat rezultuan të sakta edhe me deklarimet e dy të penduarve të drejtësisë, Fërhat Ajdini dhe Fiqiret Seferi.
Të cilët kishin deklaruar se Shkëlzen Daci është marrësi i 150 kg drogë, në pronësi edhe të Saimir Kurtit dhe një personi me emrin Luan.
Ndërkohë që Fërhat Ajdini qëndronte në Itali në pritje për të marrë nga Shkëlzen Daci dhe Malton Lleshi, atë për të cilën ishin dakordësuar më herët. Ndërsa në Shqipëri Fiqiret Seferi mbante kontakte me Sajmir Kurtin dhe persona të tjerë të paidentifikuar, furnizues të lëndës narkotike, të cilëve do t’u jepte llogari. Por ndërsa në këtë aktivitet kriminal ishin përfshirë njerëz pranë ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, por edhe zyrtarë vendor, përgjimet italiane nxorrën në pah edhe lidhjen e trafikantëve me ata që duhet të ishin shërbëtorë të drejtësisë. Por që në fakt pas veladonit të drejtësisë, ishin kthyer në urë kalimi për trafikantët. Një nga këto raste në operacionin e koduar ‘Shpirti’ është edhe ai i prokurorit të Vlorës, Maksim Sota, i cili siç del edhe nga përgjimet italiane jetonte në një shtëpi me qira të marrë nga Lani Duçelarri.
Që cilësohet si koka e grupit kriminal që merrej me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.
Përgjimet të cilat u përforcuan edhe nga dëshmia e një tjetër të penduari të drejtësisë. Ky bashkëpunëtor do të ishte Donial Drolli, i cili brenda grupit kriminal, kishte si detyrë që të ruante mallin, në mënyrë që të mos e vidhnin të tjerë. “Ilirjan Duçellari/ Zaimi (Lani) kishte lidhje me prokurorin Maksim Sota, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Lani i kishte siguruar prokurorit Sota një shtëpi të marrë me qira, të cilën e paguante Lani.Në këtë shtëpi ka qëndruar prokurori Sota dhe Mariglen Shusha. Prokurori Sota kishte dijeni se Lani ushtronte aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve.”, tha Donial Drolli, bashkëpunëtor i drejtësisë.
E njëjta dëshmi u përforcua edhe nga bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë, Mariglen Shush, i cili sipas Drollit kishte qëndruar në të njëjtën banesë me prokurorin Sota, të marrë me qira nga Lani.
Dosja Hetimore Italiane
“Bashkëpunëtori i drejtësisë Mariglen Shusha ka deklaruar rrethana takimi dhe bisedimi mes drejtuesit të grupit kriminal Ilirjan Duçellari dhe prokurorit Maksim Sota, për probleme të ndryshme që ‘Lani’ kishte me drejtësinë dhe institucionet shtetërore.Mariglen Shusha ka detajuar raste konkrete, për të cilat prokurori Maksim Sota ishte angazhuar në zgjidhjen e këtyre problemeve.Ai ka deklaruar faktin se shtetasi Ilirjan Duçellari ju kishte siguruar një banesë me qira të cilën e paguante ai dhe kishin qëndruar bashkë me prokurorin Maksim Sota. Po kështu Shusha ka deklaruar se prokurori Maksim Sota ishte shok me Lanin dhe se ishte në dijeni se bashkëshortja e tij qëndronte me fëmijën e sëmurë në Romë, të cilët i kanë ndihmuar shtetasit Orhan Duçellari dhe Ilirjan Duçellari (Lani).”. Por nga hetimet prokurori Maksim Sota nuk rezulton i vetmi zyrtar që kishte lidhje me grupin kriminal. Përgjimet italiane nxorrën ndërkohë në pah edhe lidhjen e një drejtuesi të lartë të policisë së Vlorës me kreun e grupit kriminal, të njohur si Lani.
Ky drejtues ishte Ilirjan Balla, me detyrë zv/drejtor i policisë vendore Vlorë. Ku në përgjime del edhe fikja e radarëve në det.
Një skandal që në vitin 2017 mori jehonë në media, por që qeveria shqiptare e mohonte kategorikisht. Ndërkohë që edhe sot edhe pse në dritën e fakteve të reja, nuk ka një hetim të plotë, mbi zyrtarët e policisë apo më lart në politikë të lidhur me trafikantët.
Dosja Hetimore Italiane
“Nga provat e analizuara rezulton se grupi kriminal kishte mbështetjen e Zv. Drejtorit të Policisë Vendore Vlorë, Ilirjan Balla, dhe të oficerit të policisë të drejorisë së Kufirit & Emigracionit Vlorë, Festim Lelaj. Në këto rrethana të krijuara nga punonjës të policies, Ilirjan Duçellari, arrinte të garantonte një kalim të qetë të lëndës narkotike nga furgoni me të cilin transportohej lënda narkotike në rrugë tokësore nga vendi ku mbahej e fshehur për tu ngarkuar në mjetin lundrues gomone. Në sajë të lidhjeve me policinë drejtuesi i grupit kriminal, Ilirjan Duçellari, bënte të mundur fikjen për një orë të radarit që kontrollonte bregdetin dhe ujërat kombëtare duke realizuar nisjen e mjetit lundures të ngarkuar me lëndë narkotike në drejtim të Italisë dhe kthimin e tij bosh. Dy bashkëpunëtorë të tjerë të drejtësisë, treguan se Ilirjan Duçellari ishte edhe më i fuqishëm, se një drejtori vendore në Vlorë. Ata rrëfyen për hetuesit italianë, se ‘Lani’ kishte njohje edhe në policinë e Durrësit.
Dosja Italiane Hetimore
“Nga deklarimet e shtetasve Fiqiret Seferi dhe Fërhat Ajdini kanë rezultuar të dhëna se gjatë ushtrimit të aktivitetit kriminal të narkotikëve ata mbështeteshin edhe nga punonjës të policisë në Durrës.Fiqiret Seferi ka deklaruar se pas trafikimit të sasisë së lëndës narkotike të ngarkesës së parë ai më pas ishte kthyer në Shqipëri, duke u nisur me traget nga Bari. Pasi kishte arritur në Portin e Durrësit, ishte shoqëruar nga policia shqiptare, për faktin se rezultonte se kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në Itali. Pasi e kishin marrë në pyetje për këtë fakt, në darkë e kishin lënë të lirë, duke i thënë të paraqitej të nesërmen në Komisariatin e Policisë Kavajë. Ai është marrë në pyetje nga Oficeri i Policisë Artur Krasniqi, i cili kishte dijeni për aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve të shtetasit Fiqiret Seferi, por e ka lënë të lirë.Në vijim të veprimeve hetimore është bërë kryerja e vendeve konkretisht e lokalit “Kej Kafe” në Vlorë dhe e banesave të të pandehurve Julian Bejdollari dhe Aurel Kalari. Ndërkohë është gjetur dhe këqyrur apartamenti, i cili ndodhet në të njëjtin pallat ku ndodhej lokali “Kej Kafe”, i të pandehurit Ilirjan Duçellari (Zaimi).
Por siç e theksuam edhe më lart, Fërhat Ajdini u rrëfye i plotë para hetuesve italianë. Madje tregoi edhe se si pasi u prishën në pazare, i vendosën edhe bombë në lokalin e vëllait të tij. “Unë dhe shoku im Fiqiret Seferi ishim në vështirësi ekonomike dhe një natë ne biseduam se si do të dilnim nga borxhet që shkonin në shumën 100.000 euro. Për këtë arsye takuam në Shqipëri, Malton Lleshin. Ky i fundit na propozoi që të çonim në Itali, 150 kg marijuanë. Për këtë qëllim takuam edhe Saimir Kurtin që kishte për të çuar 50 kg marijuanë në Itali. I cili do na jepte edhe gomonen e tij për të bërë kalimin e mallit. Luan Mema na tha ndërkohë se drogën duhet ta shkarkonim në Torre Canne në Itali. Ku duhet t’ia dorëzonim Tanit në Modugno. Në orën 4.00 të mëngjesit arritëm me gomonen me drogë në Brindizi. Ne vete kishim një ‘Nokia’ që na ishte lagur, të cilën na e kishte dhënë Luani.
Pasi shkarkuam mallin në një kallamishte, gomonen e lëvizëm një kilometër larg, në shkëmbinj. Në orën 7.00 të mëngjesit hymë në një lokal afër bregut që të pinim kafe, por aty na ndaloi policia italiane, pasi nuk kishin dokumenta.Disa orë më vonë karabinierët pasi na morën shenjat e gishtave na lanë të lirë.Gjatë kësaj kohe i shpjeguam Samuel Muçës se kishim sjellë marijuanën për Tanin. Samueli na tha se nëse nuk arrinim tia jepnim Tanit drogën, ai do ta merrte dhe do ta shiste. Së bashku me të shkuam në vendin ku kishim lënë drogën për të verifikuar që ishte ende aty. Kur telefoni ‘Nokia’ u tha, e ndezëm dhe telefonuam Tanin nga Modugno dhe e njoftuam se kishim ardhur. Tani erdhi me një furgon dhe ngarkoi 150 kg lëndë narkotike së bashku me Samuel Muçën dhe Ernest Pezën.Tani na tha se do të na paguante pas disa ditësh. Malton Lleshi erdhi në Itali, por nuk na i solli paratë që të na paguante rrugën që bëmë. Nisëm të ziheshim me të sepse nuk na kishte paguar dhe ai tha se do të merrte 50 kg drogë nga ajo që ne kishim transportuar dhe do ta shiste. Në shtator të po atij muaji u ktheva në Shqipëri me traget dhe në Durrës më ndaloi policia. Jashtë portit ishte Malton Lleshi i cili i tha Seferit se donte 50.000 euro nga unë për pagesën e drogës. Seferi i tha se ne nuk e kishim shitur drogën, por kishim bërë vetëm transportin. Lleshi është njeri me influencë në Shqipëri, ka miq në policinë shqiptare. Policia e Portit të Durrësit më ndaloi për të kërkuar informacione në lidhje me gomonen e sekuestruar nga Karabinierët dhe më pyetën se çfarë kisha bërë me gomonen. Kurti telefonoi policët që më kishin ndaluar në Durrës dhe më telefonoi duke më thënë se policia do të më linte të lirë. Pas telefonatës së Kurtit policia më la të lirë. Disa ditë më pas unë dhe Seferi u takuam me Malton Lleshin në një lokal në Durrës. Lleshi donte nga ne paratë e drogës së sekuestruar në Itali në banesën e Samuel Muçës. Ne i thamë se nuk kishim gjë për ti paguar, por ai këmbëngulte dhe filloi të na kërcënonte. Malton Lleshi për këtë arsye vuri një bombë me tritol në një lokal të vëllait tim.”, theksoi Fërhat Ajdini, bashkëpunëtor i drejtësisë.
Fërhat Ajdini tregoi në këtë episod përballë hetuesve italianë, se si këtë radhë erdhën takonin vetë personalisht dy shoqëruesit e ministrit të brendshëm të kohës, Saimir Tahiri.
“Në mëngjes shkova te lokali i vëllait tim dhe pashë një antenë poshtë tavolinës së lokalit. Thirra Seferin dhe kuptuam se ishte bombë. E lëvizëm tavolinën larg lokalit. Bomba dy-tre ditë më vonë shpërtheu vetë. Nuk e morëm policinë sepse ata njiheshin me Lleshin. Ky i fundit pas shpërthimit na kërkoi sërish paratë. Unë dhe Seferi për t’ia paguar këto 50.000 euro iu drejtuam Kurtit për të bërë një rrugë tjetër me drogë. Kurti na gjeti një gomone tjetër dhe e ngarkoi me 500 kg marijuanë. Unë dhe Seferi u nisëm nga Shqipëria dhe mbërritëm në Itali në plazhin e Monopolit. Në bregun afër Monopolit gomonia pësoi defekt dhe me vozitësit arritëm në breg.Shkarkuam drogën në një shtëpi të braktisur në plazh. Kurti na tha se drogën duhet ta linim në breg midis Monopolit dhe Torre Canne prej nga më pas do ta merrte ai me miqtë e tij për ta çuar në Gjermani. Nga lajmet në televizion Kurti mësoi se droga ishte sekuestruar. Lënda narkotike e transportuar peshonte gati 500 kg. Di që gomonia ishte ngarkuar nga Kurti, nga djali, nipi dhe shokët e tij. Kur arritëm në Shqipëri takuam një mikun e Malton Lleshit që quhet Pinxho, një me emër tjetër Gusti dhe tjetri quhej Hekuran të cilët erdhën që të diskutonin për punën e bombës dhe të parave që donte Malton Lleshi. Hekurani dhe Gusti na thanë që ishin truproja e Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë Sajmir Tahiri.”, pohoi Fërhat Ajdini, bashkëpunëtor i Drejtësisë.
Por si mundi ky grup të trafikonte tonelata të tëra me drogë përtej Adriatikut? Ndërkohë që sipas autoriteteve italiane aktiviteti kriminal njohu rritje nga viti 2016 në vitin 2017.Ku u konfiskuan sasi të mëdha lënde narkotike në rajonin e Puglias dhe në portin e Barit. Madje sipas autoriteteve italiane sasia e sekuestruar ishte e vogël në raport me atë që kish mundur ti shpëtonte survejimit të tyre.
Dosja Hetimore Italiane
“Nga autoritetet italiane nga 2016 deri në 2017 janë konfiskuar sasi të mëdha narkotikësh në rajonin e Puglias dhe në portin Detar në Bari. Nisur nga sasia, sipas periudhës, rezulton se trafiku ka pësuar rritje gjatë vitit 2017, pasi mendohet se është sekuestruar një sasi e vogël nga ajo e trafikuar në realitet.”. Por se sa i rrezikshëm ishte ky grup kriminal dhe vetë drejtuesi i tij, mjafton të shikojmë dëshminë e dhënë nga Mariglen Shusha, për hetuesit italianë, i cili nuk heziton të shprehë frikën e tij në çdo paragraf të deklaruar për këta hetues. I penduar i drejtësisë që trëgoi për hetuesit shqiptarë dhe italianë fillimisht për episodin e kapjes së 808 kg drogë më 10 Nëntor 2015 në orën 20.50, pranë vendit të quajtur ‘Ura e Katorisë’, tek Përroi i Cekodhimës.
Ku gjatë kontrollit të policisë në bregun e detit u konstatua një mjet furgon me targa AA 619 AJ, ngjyrë blu, i ndezur, me dyert e pasme të hapura. Ndërsa 20 metra nga furgoni, në det u konstatua një mjet lundrues me 2 motorra në gjendje të ndezur, ku një person qëndronte në bordin e mjetit lundrues dhe një tjetër në pjesën e pasme të furgonit, ku u gjetën 19 pako me lëndë të dyshuar kanabis sativa.
Sipas verifikimeve që policia bëri në atë kohë, furgoni ishte në emër të Alban Koshit. Ndërsa gomonia ishte në emër të Robert Myftarit. Por çuditërisht vetëm një vit më pas nga ky episod, drejtësia shqiptare pushoi hetimet për Robert Myftarin.
“Grupi ku unë bëj pjesë kryesohej nga Lani Duçellari, alias Ilirjan Zaimi.Unë në këtë grup kisha rol të rëndësishëm, pasi merresha kryesisht me grumbullimin e lëndëve narkotike në Shqipëri.Dhe më pas nga moment që droga trafikohej, unë e dërgoja në vende të fshehta në Itali. Unë atje në Itali, bashkëpunoja me Orhanin, vëllain e Lani Duçellarit, që banonte në Romë. Në lidhje me episodin e datës 10 nëntor 2015 në vendin e quajtur ‘Ura e Katorisë’ tek Përroi i Cekodhimës në Pashaliman, droga ishte e Lani Duçellarit dhe do të trafikohej në Itali.Fillimisht droga u grumbullua gjatë muajit shtator 2015 në shtëpinë e Julian Bejdollarit, në afërsi të pyllit të Vlorës. Përgjegjës për ruajtjen e drogës, ishte Aurel Kalari, kushëriri i Julianit. Për të kryer punë, Lani Duçellari më dha 3 mijë euro që të shkoja në Bari dhe të prisja drogën, e cila do të trasportohej me mjet lundrues nga anëtarët e tjerë të grupit. Po kështu në Bari për të pritur drogën erdhën edhe Julian Bejdollari dhe Orhan Duçellari. Orhan Duçellari pasi u takua me mua udhëtoi për në Brindizi për t’u takuar me italianët që do të blinin drogën.
Unë, Julian Bejdollari dhe dy italianët Vito dhe Gaetano kemi qëndruar për 10 ditë në një shtëpi në Vilën ‘Torre Amare’ në pritje të drogës.”, tha Mariglen Shusha, i penduar i drejtësisë. Gjatë deponimit të tij në polici, Mariglen Shusha, tregoi edhe si Lani Duçellari, bleu në vitin 2014, gomonen me të cilën më pas do të kryente transportin e drogës matanë Adriatikut. “Lani Duçellari e bleu gomonen në vitin 2014, nga një italian.Pasi gomonia erdhi në Shqipëri, ai e regjistroi fillimisht në emër të Elton Hamzait. Më vonë e kaloi gomonen në emër të Robert Myftarit, që ishte lidhje e afërt e Lanit. Në lidhje me drogën e sekuestruar më 10 Nëntor 2015, fillimisht malli u nis nga Zvërneci nga Piro Bregu.Por ai u kthye pas, sapo pa në det mjete të policisë. Herën e dytë, gomonia e drejtuar nga Piro Bregu pësoi defekt në det. Edhe këtë herë ai u kthye, ndërsa drogën e shkarkuan në Karaburun.Ku tek droga qëndroi Rexhino Muça, nipi i Lani Duçellarit. Ndërsa gomonia u kthye në Vlorë. Nga ajo që unë di është se droga më pas u dërgua në shtëpinë e Julian Bejdollarit me furgonin e Alban Koshit.”, shtoi Shusha.
Por pavarësisht dy tentativave të dështuara, Mariglen Shusha, rrëfen më tej, se grupi ishte i vendosur për ta kryer transportin e drogës. Duke marrë përsipër çdo rrisk të mundshëm. “Të nesërmen gomonia u riparua mjeti dhe ne bëmë një tentativë tjetër për ta transportuar. Lani Duçellari kishte njoftuar se lënda ishte nisur dhe në dërgoi mesazhin “topi është i juaji”. Që do të thoshte se malli po vinte drejt Barit. Unë bashkë me Julian Bejdollarin dhe dy italianët Tano Monacelli dhe Vito Pinto shkuam te vendi Torre a Mare, në Bari ku do mbërrinte droga.Gomonia kishte lundruar për dy orë, kishte kaluar ishullin e Sazanit por ishte kthyer përsëri në breg për shkak të një defekti, por këtë herë pa njoftuar Lani Duçellarin.”, theksoi Shusha.
Sipas Mariglen Shushës, ky është edhe momenti kur gomonia me drogë ra në duart e policisë shqiptare.
“Në këtë moment ka shkuar policia. Në skaf është arrestuar Piro Bregu. Aty ndodhej dhe Robert Myftari, ne emër të të cilit ishte skafi, Rexhino Muça dhe Elton Hamzai. Në tokë ndodhej Aurel Kalari dhe një person tjetër.Kur u ktheva takova Lanin, ai më tregoi se në momentin që shkoi policia Aurel Kalari ishte fshehur pas disa gurëve, ndërsa Elton Hamzai, ishte ngjitur në pemë.Rexhino Muça dhe Robert Myftari ishin larguar me shpejtësi nga mali. Ndërsa Piro Bregu dhe personi tjetër kanë lëvizur mjetin lundrues dhe e kanë çuar në afërsi të një hoteli. Piro ishte fshehur pas një shkurreje, ku kishte lënë çelësat. Më vonë, unë dhe Lani shkuam dhe i gjetëm çelësat ku i kishte lënë Piro. Në këto rrethana asnjë nuk u arrestua atë ditë. Robert Myftari është arrestuar dhe pas afro 3 muajsh është liruar.”, tha Mariglen Shusha.
Mariglen Shusha, rrëfen më tej se ‘Lani’ ishte i fuqishëm kudo. Madje ishte i aftë ti shpëtonte bashkëpunëtorët e tij, kur binin në rrjetën e drejtësisë. Siç ishte edhe rasti i Robert Myftarit, bashkëpunëtorit të tij, të cilin e liroi nga qelia. Pavarësisht se ky i fundit u kap me gomone me drogë.
“Lani Duçellari ka paguar të gjitha shpenzimet për familjen e Robertit, ashtu edhe për avokatin. Paratë që Lani dhe grupi i tij fitonin nga aktiviteti kriminal pastroheshin nëpërmjet kompanisë dhe fabrikës që disponon ai dhe bashkëshortja e tij.”, tha Mariglen Shusha, i penduari i Drejtësisë. Sipas hetimeve të palës italiane dhe dosjes që disponon ‘Në shënjestër’. Lani Duçellari, ia kishte ndryshuar disa herë emrin gomones që përdorte për trafikimin e lëndës narkotike. Kjo me qëllim që t’i shpëtonte monitorimit në det.
Dosja Italiane
“Nga hetimi ka rezultuar se gomonia me mbishkrimin ‘TILI’ ka qenë e regjistruar në emër të Elton Hamzait. Ai më pas ia ka shitur Elton Myftarit. Më 9 gusht 2017 mjeti është ripajisur me çertifikatën e përdorimit të SPK Triport, Vlorë me pronar Robert Myftarin dhe përdorues Ilirjan Duçellari dhe Mariglen Duçellari, ky i fundit i biri. Në 2018 mjeti ka kaluar në pronësi të Ervis Boraj dhe ka ndryshuar emrin nga ‘TILI’ në ‘STUHIA’. Në 2019 Florian Hoxha ka bërë ndryshimin e emrit të mjetit nga ‘STUHIA’ në ‘MAJ’. Po sipas dosjes italiane, Mariglen Shusha, dha detaje të rëndësishme për hetimin edhe në lidhje me mbishkrimet që mbanin pakot me drogë. “Pakot me drogë mbanin mbishkrime të ndryshme, sipas destinacionit që do t’i shpërndanim në Itali.”, tha Mariglen Shusha, i penduari i drejtësisë.
Por siç e theksuam më lart frika që kishte mbjellë ‘Lani’ ishte e pranishme edhe te bashkëpunëtorët e tij, të cilët i druheshin një hakmarrje. Të njëjtin terrorizim që shfaqi edhe Mariglen Shusha përpara hetuesve italianë, ndërsa rrëfente për eprorin e tij.
“Vendosa të bashkëpunoj me drejtësinë për të mbrojtur veten dhe familjen. Kam frikë se mund të na vrasin.Kam nisur të bëj pjesë në organizatën që merret me trafikut e drogës midis Shqipërisë dhe Italisë nga viti 2014. Organizata importon dhe eksporton drogë nga Italia, Spanja dhe Gjermania.Shteti me degëzimin më të madh është Italia. Organizata drejtohet nga shqiptarë nga Vlora. Kapo njihet me tre emra: Lani shkurtim i emrit Asllan. Emri tjetër është Ilirian, mbiemrin e ka Duçellari, por aktualisht e ka ndryshuar në Zaimi. Si përfundim aktualisht njihet si Ilirian Zaimi. Orhan Duçellari është vëllai i tij si dhe zëvendës i tij, i arrestuar në vitin 2013 në Itali. Në grup bëjnë pjesë 10 persona këtu në Itali, ndërsa në Shqipëri numri i tyre ndryshon më shumë sipas nevojave. Në fillim vëllezërit e blinin drogën nga të tjerë persona, ndërsa më pas e kultivonin direkt lëndën narkotike. Organizata merret me marijuanë dhe hashash që vjen nga Spanja dhe pjesërisht kokainë. Posedojnë armë, sigurisht në Shqipëri, në Skrapar, në këtë rast kam parë me sytë e mi kallashnikovë. Mendoj se armët i kanë edhe në Itali. Në vitin 2006 ose 2007, Orhani ka kryer një vrasje të një shqiptari në Romë, fakt që e kam mësuar direkt nga Lani, me të cilin kam kaluar shumë kohë dhe për këtë arsye më ka thënë me mirëbesim. Arsyeja ishte për shkak të prostitucionit. Kam frikë për jetën time dhe të familjes time. Në veçanti për nënën time. Kjo për faktin se e kam ngarkuar si ndërmjetëse me Lanin që të më jepte paratë për qëndrimin tim në burg dhe për të paguar avokatët.”, pohoi Shusha.
Të njëjtën dëshmi fundosëse për Lani Duçellarin dhanë për hetuesit italianë edhe skafistët Fiqiret Seferi dhe Fërhat Ajdini. Ku sipas tyre, Duçellari, në vitin 2016 kishte ndërtuar dy parcela me lëndë narkotike në territorin e Skraparit. Një në malin mes Prishtës dhe Çepanit dhe tjetra në territorin e Çorovodës.
Dëshmia e dy të penduarve
“Lani ishte pronar i vetëm i atyre plantacioneve. Për të mbjellë kanabisin, për ta kultivuar dhe për ta mbledhur ai përdorte punëtorë që i paguante rreth 20 euro në ditë. Farat i kishte blerë në Hollandë, dy tipesh, ato me rritje të shpejtë që bënin bimë të shkurtra, edhe ato me zhvillim normal dhe me trup të gjatë. Për blerjen e e farave “Lani” i kishte dhënë detyrën “ekspertit” të kultivimit të bimëve narkotike shtetasit Ilir Gaba i njohur si “Liloshi i Lazaratit”.
Do të ishin këto rrëfime të të penduarve të drejtësisë që do të çonin edhe në arrestimin e 38 personave në kuadër të operacionit të koduar ‘Shpirti’ të shtrirë në katër vende të ndryshme të Europës. Në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë. Ku koka e grupit do të ishte Ilirjan Duçellari, i njohur si ‘Lani’. Ku nga hetimet e antimafias italiane dhe SPAK u zbulua se përgjatë viteve 2014-2017, ky grup kriminal, në bashkëpunim me prokurorë, zyrtarë policie dhe dy shoqëruesit e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, kishin trafikuar drejt shtetit italian 6 ton drogë.
Dosja Hetimore Italiane
“Ilirjan Duçellari, pseudonimi Ilirjan Zaimi, i thirrur ndryshe si ‘Lani i kafes’, ‘Daja’ apo ‘Sybardhi’, është personi në krye të grupit kriminal.Që ka kryer në Shqipëri gjetjen e lëndës narkotike, por edhe që është marrë direkt me kultivimit e lëndëve narkotike, përpunimit të saj, konfeksionimit dhe ruajtjes së saj, me qëllim për ta trafikuar në Itali me mjete lundruese të fuqishme.Mjete në të cilat hypte gjithmonë një njeri i besuar, i thirrur “shoqëruesi” ndër të cilët ishin edhe shtetasit Donial Drolli dhe Elton Hamza në rolin e caktuar që kishin, që të mos lejonin që të vidhej lënda narkotike nga personat skafistë të tjerë. Nga hetimi rezulton se deri në vitin 2014 Ilirjan Duçellari ‘Lani’ organizonte trafikimin e lëndëve narkotike në rrugë detare, në atë mënyrë që të mbronte identitetin e personave skafistë dhe shoqëruesve të tyre. Mjetet lundruese, gomonet e tij që përdorte për trafikimin me rrugë detare qëndronin të parkuara në Torre a Mare.
Kur ishte gjithçka gati për trafikimin e lëndës narkotike mjeti nisej nga Shqipëria, me në bord të njëjtin drejtues, personin skafistin tjetër dhe shoqëruesin.Pasi arrinin në Torre Mare, pas operacioneve të shkarkimit, parkonin mjetin lundrues në zonën e territorit italian të njohur prej tyre dhe ekuipazhi kthehej në Shqipëri me traget, pa dhënë asnjë lloj dyshimi tek policia. Në këtë mënyrë veprimi, drejtuesi i mjetit lundrues ishte gjithmonë i regjistruar në hyrje dhe në dalje nga Shqipëria, dhe pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit vetëm në hyrje.Fitimet e paligjshme nga trafikimi i lëndëve narkotike, në veçanti paratë e mbledhura në Itali, dërgoheshin më pas në Shqipëri nga Mariglen Shusha, të fshehura në trup apo nëpërmjet shoferave të autobuzit dhe kamionave, që shpërbleheshin. Ndonjëherë pagesat bëheshin direkt në Shqipëri nga ana e blerësve në Itali. Rezulton se sasitë e mëdha të lëndës narkotike të trafikuar nga Shqipëria në Itali nga viti 2014 deri 2016 janë fshehur në një garazh në qytetin e Barit.
Personi i fundit në kuadër të operacionit ‘Shpirti’ që u ekstradua në muajin maj të vitit 2022 nga Gjermania, për të dhënë llogari përpara drejtësisë, ishte Hekuran Marku. Njëri nga ish-truprojat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Një dosje që në thelb krahas aktivitetit kriminal të bandës, tregon në një aspekt edhe lidhjen e tyre tashmë të dukshme me pushtetin.
Në një nga kohët më të errëta të Shqipërisë, të kanabizimit të saj./balkanweb