Tregu kërkon profesionistë, por interesi i të rinjve për zanatet ka shënuar rënie.
Të paktën në tre vitet e fundit, sipas të dhënave nga INSTAT, numri i nxënësve në shkollat e mesme nga rreth 19 mijë në vitin 2021 ka shkuar në 16.800 për 2023-shin.
Sakaq transferimet online nga gjimnazi vijojnë dhe deri më tani të paktën 400 nxënës janë regjistruar në shkollat e mesme profesionale.
“Kam zgjedhur kuzhinën, atje nuk më pëlqeu gjimnazi, erdha këtu se është shkollë më e mirë dhe kam më shumë shokë e shoqe. Erdhe për shokët apo të pëlqen kuzhina? Jo, më pëlqen kuzhina. Pse e zgjodhe gjimnazin kur të pëlqente kuzhina? Po, e kisha dhe larg gjimnazin prandaj kalova këtu më mirë. Me sa shokë të tjerë je transferuar? Jemi 3 shokë. Çfarë lëndësh bëni? Recepsionin, ushqim dhe pije, këto që lidhen me gatimin”, tha Enea Nebiu, nxënës në shkollën e mesme “Hoteleri-Turizm”.
Por cilat janë drejtimet që preferohen më shumë?
“Përgjithësisht kanë preferuar degën e TIK. Kur shkojnë në shkollat profesionale vajzat përgjithësisht kanë zgjedhur IT ndërsa nxënësit që zgjedhin hoteleri-turizëm, preferojnë guidën turistike dhe kulinarinë”, tha koordinatorjna e këshillimit të karrierës, Donika Lici.
Mësuesit e këshillimit të karrierës në gjimnaze shprehen se orientimi i nxënësve nis shumë më herët prandaj identifikimi i aftësive që në ciklin nëntë vjeçar është pozitiv, nëse zbatohet si duhet në vazhdimësi.
“Në gjimnaz zhvillohet një lëndë normale por është kurrikul me zgjedhje. Marrin informacion për tregun e punës, për zgjedhjet që do të bëjnë në të ardhmen. Nëse do të funksionojë si duhet edhe në ciklin nëntëvjeçar, do të kemi rezultat të dukshëm në tregun e punës”, tha mësuesja Ana Llazo.
Një ndër sektorët që është prekur më shumë nga mungesa e fuqisë punëtore është ai i hoteleri-turizmit.