Zhdukja e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj është bërë një nga temat më të diskutuara së fundmi në media. Që pas denoncimit të familjes së tij për zhdukjen, fati i Martinajt mbetet enigmë. Skenarët janë të shumë që përfshijnë njëkohësisht ekzekutimin e tij nga kundërshtarët por edhe një inskenim.
Si qëndron e vërteta, askush deri më tani se di, ndërsa institucionet heshtin. Megjithatë, gazetarët investigative Klodiana Lala, Artan Hoxha si dhe gazetari Ferdinand Dervishi kanë folur në media në lidhje me këtë rast, duke hedhur sado pak dritë mbi ngjarjen.
Çfarë ka deklaruar Ferdinand Dervishi?
I ftuar në studion e ABC një ditë më parë, Dervishi u shpreh se mundësitë që Martinaj të jetë eliminuar ose larguar me vullnetin e tij janë 50 me 50.
Dervishi përshkroi Martinajn si një nga bosët më të mëdhenj që deri ne 2013 kontrollonte lojërat e fatit. Dervish zbuloi një detaj nga kontrolli që policia ka bërë në zyrat e tij në vitin 2013.
Sipas gazetarit aty ndodheshin dy makineri që numëronin para gjatë gjithë ditës dhe besohet se fitimi ditor nga ky biznes për Martinajn të arrinte deri në 1 milion euro.
Deklarata e Klodiana Lalës
Gazetarja Klodiana Lala tha në emisionin “Opinion” mbrëmjen e djeshme se ka patur rastin të takohet me Ervis Martinajn kohë më parë, në prani të një ish-deputeti.
“E kam takuar në prani të një ish deputeti të njohur dhe i kam kërkuar intervistë”, tha Lala e cila pohoi se nuk mund të jepte më shumë detaje duke ju referuar të drejtës së saj si gazetare për të ruajtur burimin.
Lala tha se Martinaj ka refuzuar të flasë. “Nuk ka pranuar, nuk kam interes të ekspozohem më media, kam punët e mia”, tha Lala.
Ndërkohë, ajo gjithashtu tregoi se Martinaj kishte shumë armiq të tjerë krahas Ervis Matës, grupit të Elvis Doçit të vrarë, klanit Duka, Indrit Dokles. Sipas saj, Martinaj kishte patur konflikte të forta me një biznesmen shumë të fuqishëm, i cili po ndërton vila në Gjirin e Lalzit.
“Ka patur konflikte të forta edhe me një biznesmen të fuqishëm që po ndërton vila në Gjirin e Lalzit. Kanë patur probleme parash që Martinaj ia ka dhënë atij dhe më pas nuk janë marrë vesh. Pastaj u tha se do t’i jepnin vila”, tha Lala.
Gazetarja dha detaje në lidhje me dëshminë e familjarëve të Martinajt në prokurori dhe polici, të cilët ishin shqetësuar pas humbjes së kontakteve. Ata janë shprehur se mes datës 7 deri në 9 gusht nuk kanë patur kontakte të Martinajt me familjarët.
“Sipas dëshmisë së babait, ai ka thënë në polici se mendon se ngjarja e rëndë i ka ndodhur të birit mes orës 19:30 deri në orën 22:00 të mbrëmjes së datës 9 gusht”, tha ajo, ndërsa shtoi se polici Jeton Lami që e shoqëronte Martinajn është “çelësi” për zbardhjen e ngjarjes. Lala tha se Lami di gjithçka.
Deklarata e Artan Hoxhës
Gazetari Artan Hoxha ka treguar lëvizjet e fundit të Ervis Martianjt, në emisionin “Opinion”. Hoxha tha se në datën 1 gusht deri në 5 gusht Martinaj ka qenë me pushime në Dhërmi si një qytetarë i lirë edhe pse ishte në kërkim ndërkombëtar.
Hoxha u shpreh gjithashtu se pasditen e 5 gushtit Ervis Martinaj ka shkuar në Durrës dhe më pas pranë një qendre tregtare në Tiranë. Ndërsa më 9 gusht ka shkëputur komunikimet me familjarët më të cilët sipas tij, komunikonte çdo dy orë.
Gazetari tha se Policia vijon të hesht për rastin, ndërsa video që tregojnë lëvizjet e Ervis Martinajt i kanë gjetur familjarët dhe jo autoritetet.
“Besimi i familjarëve të policia është zero. Kamerat qe janë gjetur deri tani i kanë gjetur familjarët, ata e kanë ngritur këtë shqetësim. Ka një itinerar, në 1 gusht deri në 5 gusht ka qenë në Dhërmi ka bërë pushime. Në datën 5 pasdite është shfaqur në hotelin në Durrës. Ditën e shtunë ka shkuar shoferi e ka marrë shoferi, më pas ka shkuar përballë në një qendër tregtare. Ervis Martinaj komunikonte çdo dy orë me familjen me telefon, ishte një njeri që vjen nga një familje, babi kanë mbaruar për ekonomi financë, Ervis ka mbaruar në Itali për të njëjtën degë e më pas për dy vite në Tiranë së bashku me motrat e tij që studionin për të njëjtën degë. Kam parë me sytë e mi komunikimet, kishte komunikim permanent, diku rreth orës 17 të ditës së martë… ai ka marrë një luan para disa kohësh, është interesuar nëse ka shkuar njeri. Komunikimi i fundit ka qenë me xhaxhain e vet me babanë e Brilantit që u vra. Ai komunikonte vazhdimisht, dhe prandaj familjarët u shqetësuan”, tha Hoxha./albeu.com