Deputetja e PD-së dhe kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka kundërshtuar nismën e qeverisë për ndryshimin e ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, duke deklaruar se ky projektligj nuk mund të shërbejë si alternativë ndaj shfuqizimit të ligjit 21/2024 për Zonat e Mbrojtura.
Sipas Zhupës, VNM-ja përbën një mekanizëm për vlerësimin dhe marrjen e vendimeve, por nuk mund të rikthejë nivelin e mbrojtjes që është humbur pas ndryshimit të regjimit ligjor.
Të lidhura
None found
Ajo ka kujtuar se Parlamenti Europian ka kërkuar anulimin e ndryshimeve të miratuara në vitin 2024.
Ndërkohë, më 14 maj 2026, Zhupa ka depozituar në Kuvend projektligjin për shfuqizimin e ligjit 21/2024, duke e konsideruar këtë masë si zgjidhjen e vetme reale për garantimin e mbrojtjes së zonave të mbrojtura.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Ligji 21/2024 nuk mund të ndreqet përmes një projektligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis. Ai duhet shfuqizuar.
Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj që parashikon shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 440, datë 07.07.2011, “Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”, të ndryshuar.
Nisma synon të ndërhyjë në vetë ligjin e VNM-së, duke përfshirë edhe konceptin e “Vlerësimit të Duhur” për projektet që mund të ndikojnë në Zonat e Veçanta të Ruajtjes. Por pikërisht ky formulim nxjerr në pah problemin: ndryshimet në ligjin për VNM-në nuk mund të zgjidhin pasojat e krijuara nga ligji 21/2024 për Zonat e Mbrojtura.
Edhe nëse procedura forcohet, VNM-ja mbetet një instrument vlerësimi dhe vendimmarrjeje. Ajo funksionon brenda kuadrit material ligjor, i cili përcakton ndërhyrjet e lejuara dhe ato të ndaluara në një zonë të mbrojtur.
Ligji 21/2024 ka ndryshuar regjimin e mbrojtjes dhe ka bërë të mundura ndërhyrje që më parë ishin të kufizuara ose të ndaluara. Për këtë arsye, një procedurë VNM-je nuk mund të rikthejë mbrojtjen e humbur.
Vetë projektligji parashikon që “Vlerësimi i Duhur” të përdoret për përcaktimin e ndikimit të projekteve në Zonat e Veçanta të Ruajtjes. Sipas tij, zhvillimi mund të miratohet kur vlerësimi arrin në përfundimin se nuk shkaktohen efekte të konsiderueshme mbi integritetin e zonës.
Çështja kryesore është se kush vendos se çfarë mund të zhvillohet në atë territor. Përgjigjja lidhet me ligjin material që rregullon Zonat e Mbrojtura, pra me ligjin 21/2024.
Për rrjedhojë, një projektligj që prek VNM-në nuk mund të përdoret si zëvendësim për shfuqizimin e ligjit 21/2024.
Parlamenti Europian ka kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe e ka lidhur këtë çështje drejtpërdrejt me respektimin e standardeve të Bashkimit Europian për mbrojtjen e natyrës.
Më 14 maj 2026 kam depozituar në Kuvend projektligjin për shfuqizimin e ligjit 21/2024 dhe kjo është zgjidhja e vetme dhe reale. Çdo alternativë tjetër përbën një përpjekje për të vijuar shkatërrimin e zonave të mbrojtura, vetëm me një paketim më të pranueshëm.
https://www.facebook.com/share/1DUbqK757W/?mibextid=wwXIfr
