Presidenti aktual Ilir Meta është takuar sot me presidentin e zgjedhur Bajram Begaj.
Takimi i Presidentit Meta me Presidentin Begaj u zhvillua në ambientet e Pallatit te Brigadave.
Publikimi i Metës në Facebook
“Kënaqësi të prisja sot Presidentin e zgjedhur, z.Bajram Begaj dhe t’i uroja sërish suksese në detyrën e lartë, që e pret në interes të vendit dhe të gjithë qytetarëve.”
Bajram Begaj, i cili mbante postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, është zgjedhur President i ri Shqipërisë për një mandat pesëvjeçar.
I propozuar nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, Begaj, është zgjedhur në raundin e katërt me 78 vota pro, katër kundër dhe një abstenim.
Në votim morën pjesë 83 deputetë, ndërkohë Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike, nuk morën pjesë në procesin e votimit.
Për zgjedhjen e presidentit të vendit, sipas Kushtetutës, Kuvendi i Shqipërisë zhvillon deri në pesë votime (raunde).
Raundi i parë, i dytë dhe i tretë për zgjedhjen e Presidentit të ri u ezauruan më 16, 23 dhe 30 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin nuk dorëzuan kandidatura.
Presidenti i zgjedhur nga Kuvendi do ta marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik të këtij viti, kur përfundon mandati i presidentit aktual Ilir Meta.
Meta është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2017 në postin e presidentit të vendit për një mandat pesëvjeçar.