Një aksident i rëndë u shënua mesditën e kësaj të marte në minierën në Thekër të Martaneshit. Dy minatorë të cilët ishin duke punuar si vagonistë u zunë poshtë nga një masiv gurësh.
Si pasojë e plagëve të marra minatori Armand Peshku, vetëm 29 vjeç humbi jetën, ndërsa shtetasi Hajdar Bala, rreth 40 vjeç është transportuar në spital për ndihmë mjekësore informoi policia e Dibrës.
Aksidenti i rëndë u shënua sot rreth orës 12:50 minuta (21 maj 2024.
Bala u nis me urgjencë me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë ku dhe po i nënshtrohet operacionit. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
“Me datë 21.05.2024, rreth orës 12.50, dyshohet se janë aksidentuar gjatë punës në një subjekt minerar në Thekën, Martanesh, shtetasi A.P., dhe H.B., të dy me detyrë vagonist në minierë. Si pasojë e plagëve të marra shtetasi A.P., ka humbur jetën, ndërsa shtetasi H.B., është transportuar në spital për ndihmë mjekësore”, informoi policia.