Hamza Lici, ka humbur jetën pasditen e sotme dyshohet si pasojë e një përplasje mes bandash me armë zjarri. Sipas raportimeve dy makina në lëvizje kanë shkëmbyer zjarr me njëra-tjetrën, ku njëra ka përfunduar duke u përplasur në mur.
Sipas informacioneve, në makinën e përplasur ishte dhe Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit. Ky i fundit u arrestua në muajin shkurt të këtij viti në Turqi lidhur me vrasjen e Endri Mustafës, ndërsa familjarët e tij pretenduan se i shumëkërkuari u vetëdorëzua. Disa ditë më pas në një seancë gjyqësore në Stamboll gjykata turke ka vendosur lirimin nga qelia të Ibrahim Licit dhe masën shtrënguese ndaj tij për të mos dalë nga territori turk deri në përfundim të hetimeve ndaj tij.
Lici, duke folur për mediat turke, ka hedhur poshtë edhe dyshimet e ngritura ndaj tij për vrasjen e Endri Mustafes duke deklaruar se kamerat e sigurise dhe qelizat telefonike vertetojnë sipas tij se ka qenë në Tiranë në momentin e vrasjes. Ai akuzohet gjithashtu si i përfshirë në të paktën tri vrasje në qytetin e Shkodrës, përfshirë edhe vëllezërit Bilali, ngjarje e ndodhur më 30 maj të vitit 2019. Në atë kohë, vrasja u cilësua se erdhi për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale.
Endri Mustafa u gjet i vrarë në zonën e Livadheve maj të 2021 në Shkodër, dy ditë pasi e shoqja dhe familja e tij kishin bërë kallëzim në polici. Gruaja e viktimës, Ingridi tregoi se ka qenë 15-vjeçari që me foton e një kali e nxorri nga shtëpia dhe e çoi në duart e vrasësve. Pavarësisht shpalljes në kërkim të Licit, Ingrid Mustafa siguroi në deklaratë për mediat se të shoqin nuk ia ka vrarë fisi Lici dhe as fisi Bajri. Gishtin ajo e drejtoi vetëm tek 15-vjeçari. Ndërsa i mituri është tërhequr nga bashkëpunimi me drejtësinë, duke mos dhënë asnjë detaj më për vrasjen që mendohet se ka kryer në bashkëpunim me Ibrahim Licin.
Sipas policisë, Lici është po ashtu autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali (babai dhe xhaxhai i kampionit të boksit Astmer Bilali), ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019. Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër.
Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij me 30 mars 2019, është babai i Astmer Bilali, ish-kampionit boksit), i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër. Astriti ishte biznesmen i njohur në Shkodër dhe në qytet ai identifikohej për pasionin e tij për kuajt së bashku me vëllain Brahimin, i cili ishte kryetar i shoqatës “2 Prilli”. Endri Mustafa ka qenë shok me Astmer Bilalin, ndërsa emrat e tyre dalin bashkë në disa ngjarje kriminale. Ndaj Ibrahim Lici dyshohet se qëndron pas vrasjes së Mustafës./ Dosja.al