I shpallur non grata nga SHBA dhe Britania! Kush është krimineli Milan Radojiçiç, u plagos pas pjesëmarrjes në sulmin ndaj policisë së Kosovës

Disa orë pasi Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se ka dokumente që dëshmojnë se krimineli serb, Milan Radojiçiq, është i përfshirë drejtpërdrejtë në sulmin terrorist në veri të vendit ku u vra polici Afrim Bunjaku, medium boshnjak “Istruga” ka raportuar se Radojiçiq është në mesin e terroristëve të plagosur.

Mediumi boshnjak “Istraga” ka raportuar se krimineli serb i cili është edhe nënkryetar i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, është në mesin e terroristëve të plagosur në Banjskë të Zveçanit.

Sipas këtij medium, Radojiçiq ndodhet në Serbi dhe po trajtohet në spital, sipas medias “Istraga”.

 

Mediumi raporton se në disa raste ka tentuar të kontaktojë me Radojiçiqin, por fillimisht një person i panjohur i cili është përgjigjur në telefonin e tij ka thënë se “nuk është Radojiçiq”, ndërsa më pas, i njëjti person ka pohuar se Radojiçiq është mirë.

Ministri deklaroi se në një nga automjetet e sekuestruara që është përdorur nga grupi terrorist, janë gjetur dokumente të Radojiçiqit.

Ai tha se këto dokumente dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion, derisa edhe detaje se çfarë dokumentesh janë gjetur saktësisht.

“Në këto materiale, po ashtu kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit që, po ashtu, është në listën e zezë të SHBA-së, Millan Radoiçiq, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve të institucioneve të Serbisë dhënë Millan Radoiçiqit ku është edhe lista me armët që ai posedon, me numra, me të gjitha që janë gjetur në veturën e parë në radhë atje dhe patjetër që dokumenti origjinal është në dorën e forenzikës”, tha Sveçla gjatë konferencës për media, ku policia ekspozoi armët dhe pajisjet që ka gjetur në vendin e ngjarjes.

Kush është Milan Radojiçiq, krimineli serb nga Veriu i shpallur “non grata” nga SHBA e Britania e Madhe

Krimineli serb Milan Radojiçiq ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Radojiçiq dyshohet edhe për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Në dhjetor të vitit 2021, Ministria e Financave e SHBA-së ka futur në listë të sanksioneve Millan Radoiçiqin, Zvonko Veselinoviqin, vëllain e tij, Zharkon, dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.

Në sqarim është thënë se Radoiçiq ka qenë zëvendës i Zvonko Veselinoviqit dhe udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, kur Veselinoviq është tërhequr për pak kohë.

Po ashtu, është thënë se Radoiçiq ka qenë përgjegjës për kontrabandën e armëve në grupin e krimit të organizuar të Veselinoviqit.

Sipas Ministrisë së Financave në SHBA, grupi kriminal i Veselinoviqit është i përfshirë në një skemë të gjerë të ryshfetit, së bashku me zyrtarë të sigurisë kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë tregtinë e paligjshme të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Radoiçiq i ka shpëtuar dy herë arrestimit nga Policia e Kosovës, duke u arratisur nga Kosova.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Radoiçiq, 44 vjeç, është njëri prej udhëheqësve të grupeve kontrabanduese që sulmojnë policinë në veri të Kosovës – atje ku Qeveria e kryeministrit Albin Kurtit po përpiqet të frenojë kontrabandën.


Shtuar 26.09.2023 07:38