Policia ka vënë në pranga 50-vjeçarin U. S., të shpallur në kërkim për tentativë vrasje. Në korrik të 2021, në fshatin Ngjeqar, Roskovec, pas një konflikti për motive të dobëta, 50-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri shtetasin E. H., 40 vjeç, i cili mbeti i plagosur.
Njoftimi i policisë:
Fier
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kurjan”.
Tentoi të vriste me armë zjarri, një shtetas, në muajin korrik 2021, kapet dhe vihet në pranga autori, i cili ishte shpallur në kërkim.
Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Fier, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kurjan”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim U. S., 59 vjeç, banues në Fier.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 29.07.2021 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajta pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Në datën 23.07.2021, në fshatin Ngjeqar, Roskovec, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi U. S. ka qëlluar me armë zjarri shtetasin E. H., 40 vjeç, i cili mbeti i plagosur.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.