I mori jetën me grushte inxhinierit në Vlorë, kush është doganieri Rei Meta, i biri i anëtares së KLP-së që votoi kundër Altin Dumanit

Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e sotme në Vlorë, ku një 55-vjeçar humbi jetën pas një sherri banal.

Armando Meshau mbeti i vdekur pas grushteve nga 33-vjeçari Rei Meta, banues në Tiranë.

Ky i fundit u arrestua nga policia disa orë pas ngjarjes.

Kush është Rei Meta

33-vjeçari Rei Meta është i punësuar si doganier, shkruan Newsbomb, dhe është djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Meta (Seiti), emri i së cilës qarkulloi gjerë në media vitin e kaluar, pasi votoi kundër Altin Dumanit, i cili sot mban postin e kreut të SPAK. Vota e saj shkoi për kandidatin tjetër në garën për kreun e SPAK, Edvin Kondilin.

Si ndodhi ngjarja në Vlorë

Një borxh i pashlyer dyshohet se është shkaku i sherrit mes dy personave që mesditën e 7 gushtit 2023, përfundoi me një viktimë në qytetin e Vlorës. Armando Meshau, 55 vjeç, me profesion inxhinier, vdiq nga goditjet e me grushte të agresorit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në ambientet e një qendre interneti në lagjen “Hajro Çakërri” rreth orës 11:45.

Dyshohet se një grusht në zemër ka qenë goditja fatale për jetën e inxhinierit.

Gati 4 orë më pas, rreth orës 15:45 policia e qytetit njoftoi se kishte arrestuar autorin e dyshuar, Rei Meta.  33 vjeçari banues në Tiranë u shoqërua në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale./Albeu.com/


Shtuar 7.08.2023 17:23