Dy efektivë të policisë rrugore janë përjashtuar përfundimisht nga Policia e Shtetit pasi janë kapur duke u marrë qytetarëve ryshfet.
Sipas burimeve nga policia, dy policët e përjashtuar janë Shamet Kuqo dhe Elton Gjedia.
Vendimi për përjashtimin e tyre u mor nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, pas denoncimit nga emisioni investigativ ‘STOP’.
Dy policët i kanë marrë para të infltruarit të emisionit, i cili u hoq si një qytetar i thjeshtë.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin në lidhje me këtë rast.
Pjesë nga biseda e policit me të infiltruarin:
Efektivi i policisë: Ec përpara…!
Agjenti i “Stop”: Ku do më çosh?
Efektivi i policisë: Në komisariat për verifikim!
Agjenti i “Stop”: Po shoqe e kam, çfarë e kam?
Efektivi i policisë: Çfarë ke ndonjë gjë të paligjshme brenda?
Agjenti i “Stop”: Po hajde, kontrolloje, po pati gjë…!
Efektivi i policisë: Pyes!
Agjenti i “Stop”: Po nuk kam gjë, o shefi!
Efektivi i policisë: Po hë, mos u nxito tani! Është turp. Është turp. Është turp, o vëlla. Të mbaj deri në 11 në komisariat, të vijë të të marrë familja!
Agjenti i “Stop”: Po më pe në këtë vend, ose në ndonjë vend tjetër jashtë… se qenka problem i madh.
Efektivi i policisë: Na sill ndonjë kafe dhe ik!
Agjenti i “Stop”: Të të jap ndonjë njëzetëshe, se nuk kam shumë!Efektivi i policisë: Ik! Lëviz, që këtej, se do vijë shërbimi tjetër dhe…
Njoftimi i Policisë:
Menjëherë pas transmetimit të pamjeve filmike, në emisionin investigativ “STOP”, ku u shfaqën dy punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në shpërdorim të plotë të detyrës dhe në shkelje të hapur të etikës dhe të komunikimit, duke i marrë një shumë parash, me anë të akteve korruptive, drejtuesit të një automjeti që kishte ndaluar në anë të rrugës, në Kashar, sqarojmë opinonin publik se:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar menjëherë përjashtimin përfundimtar nga radhët e Policisë së Shtetit, të dy punonjësve të Patrullës së Përgjithshme, inspektorëve Shamet Kuqo dhe Elton Gjedia.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur menjëherë hetimin e thelluar disiplinor, për shkelje të rëndë disiplinore, ndaj specialistit të Seksionit të Patrullës së Përgjithshme, Nënkomisar A. K., si dhe ndaj shefit të Seksionit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Komisariatin e Policisë Nr. 6, Komisar V. I.
Njëkohësisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal në lidhje me këtë rast.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderon drejtuesit e emisionit “STOP” dhe inkurajon median dhe qytetarët që të denoncojnë çdo rast të korrupsionit, të abuzimit me detyrën apo shkelje të kodit të etikës dhe sjelljes me qytetarët, duke iu garantuar se është shumë i vendosur për të reaguar me ashpërsinë e ligjit që të largojë nga radhët e Policisë së Shtetit, punonjës të tillë që njollosin emrin dhe uniformën e Policisë së Shtetit./albeu.com/