Gjatë paraqitjes së veprimtarisë së institucionit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela tha se të dhënat e referuara tregojnë një zgjerim të hetimeve për pastrimin e parave dhe korrupsionin.
Sipas Çelës, që nga viti 2020 janë ndërmarrë hapa për të forcuar bashkëpunimin mes institucioneve, duke ngritur struktura të posaçme dhe duke nënshkruar memorandume me Doganat, Tatimet, Policinë e Shtetit dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.
Të lidhura
None found
Ai theksoi se sistemi i drejtësisë është shmangur nga kolapsi dhe se ekzekutimi i letërporosive mbetet një tregues i rëndësishëm për punën e prokurorive.
“Shifrat që kemi paraqitur tregojnë rritje të hetimeve për pastrimin e parave dhe korrupsionin. Që nga viti 2020 kemi nxjerrë një udhëzim për ngritjen e strukturave të posaçme, po ashtu kemi memorandum edhe me Doganat, Tatimet, Policinë e Shtetit, AMF. Shifrat e përmirësuara janë fryt i këttyre nismave”, tha Çela.
Sipas tij, sistemit iu dha mundësia të mos binte në kolaps, ndërsa ekzekutimi i letërporosive mbetet një tregues i rëndësishëm. Ai shtoi se prokuroritë funksionojnë me 60% të kapaciteteve dhe arrijnë të shqyrtojnë deri në 40% të letërporosive. Çela përmendi gjithashtu 22 mijë procedime penale, duke nënvizuar se plotësimi me më shumë magjistratë do të rriste kapacitetet.
Ai bëri me dije se çështjet e mosfilluara vazhdojnë të jenë të shumta, rreth 17 mijë, dhe se nevojiten më shumë burime njerëzore, si edhe një përmirësim i dukshëm i kushteve infrastrukturore.
“Numri i çështjeve të mosfilluara është i madh, rreth 17 mijë çështje. Janë shtuar burimet njerëzore për t’ju ardhur në ndihmë prokurorëve, Numri i prokurorëve duhet të jetë më i lartë, Çësthja e dytë është infrastruktura, sepse s’kemi ku të vendosim prokurorët. Kemi bërë një projekt, por nuk është realizuar. Na është premtuar një godinë deri në 2030”, tha ai.
Kur u ndal te pavarësia e prokurorëve, Çela e cilësoi këtë si një çështje thelbësore dhe njëkohësisht ngriti shqetësimin për mungesën e një mekanizmi të efektshëm kontrolli.
“Sipas vlerësimit tonë, mungon një mekanizëm efikas. Dy mekanizmat janë vlerësimi i prokurorëve, që bëhet çdo pesë vite, dhe inspektimi. Mekanizmi që do të rriste efikasitetin është inspektimi, jo si dikur, por duhet një fuqi inspektuese për çështjet që lidhen me Kuvendin”, tha Olsian Çela.
