Një zjarr ka shpërthyer të martën në Burgun e Kumanovës duke rrezikuar seriozisht jetën e të burgosurve të tjerë dhe gardianëve të burgut. Zjarrin e ka nisur një 14-vjeçar i cili me urdhër gjyqësor është dërguar brenda Burgut të Kumanovës për të vuajtur dënim.
Në këtë burg nuk ka as kushte e as repart për të mitur, ndaj nuk dihet se si ky i mitur ka përfunduar në ambientet e këtij burgu e duke rrezikuar edhe jetën e të tjerëve. Si pasojë, një polic ka mbetur i lënduar dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore.
Siç raporton gazetari i Klan Macedonia, Furkan Saliu, hero i vërtetë në krejt këtë ngjarje ka dalë një i burgosur, i cili ka sakrifikuar dhe rrezikuar jetën e tij për të shpëtuar të tjerët.
“Në Burgun e Kumanovës ka pas një zjarr i shkaktuar nga një 14 vjeçar i cili është dërguar atje me urdhër të gjykatës edhe pse burgu nuk ka kushte as repart për persona të mitur. Zjarri mund të merrte edhe jetë njerëzish, por fatmirësisht vetëm 1 polic ka kërkuar ndihmë mjekësore. E viktima nuk ka pasur për shkak të ke tij personit që po e shihni në fotografi. Drejtori dhe zëvendësdrejtori e kanë falënderuar personalisht dhe besoj që mund ta konfirmojnë këtë storje por edhe kamerat e sigurisë,”-ka shkruar në rrjetin social Facebook, gazetari Saliu.
Bëhet fjalë për të burgosurin me inicialet A.Z, për të cilin Saliu publikisht i ka bërë një thirrje Presidentit Pendarovski.
“I nderuar President, nëse dikush meriton falje, atëherë ai është ky njeri”, përfundon Furkan Saliu.