I dërgoi letër kreut të KLSH për Albcontrol, Meta zbulon detajet

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me shkarkimin e disa kontrollorëve të Albcontrol.

Meta përmes një letre drejtuar KLSH kërkon nisjen e procedurave të auditimit mbi veprimtarinë ekonomiko-financiare dhe organizative të “Albcontrol” sh.a, si dhe shkaqeve që kanë çuar në lindjen dhe thellimin e problematikave në këtë shoqëri.

Letra e plote:

Siç dhe jeni në dijeni për sa është bërë publike, në këtë shoqëri është krijuar një situatë shumë e nderë, pasi prej ditës së djeshme, shumica e kontrollorëve të trafikut ajror kanë deklaruar paaftësinë e përkohshme në punë, për shkak të situatës konfliktuale të krijuar me organet drejtuese të kompanisë dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërkohë që, po prej ditës së djeshme, disa prej kontrollorëve janë shkarkuar nga detyra, ndërsa një numër i konsiderueshëm i tyre, janë shoqëruar nga Policia e Shtetit në komisariate.

Punonjësit e kësaj kompanie (kontrollorët ajrorw shqiptarë), të organizuar në Sindikatën e Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror, kanë përcjellë shkresa zyrtare të vazhdueshme, të paktën që prej qershorit 2020, pranë Kryeministrit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Këshillit Drejtues dhe Drejtorit Ekzekutiv të “Albcontrol” sh.a., përmes të cilave kanë ngritur shqetësimet e tyre mbi vendimmarrjet e Këshillit Mbikqyrës të Shoqërisë “Albcontrol” sh.a, për uljen e pagave dhe pezullimin e të drejtave të fituara me kontratën kolektive të punëmarrësve për një periudhë të pacaktuar, duke pretenduar se këto vendimmarrje shkelin një sërë rregulloresh dhe manualësh në lidhje me sigurinë e operimit të trafikut ajror, duke vënë rrjedhimisht në rrezik, individualisht dhe kolektivisht, të gjithë trupën e kontrollorëve të trafikut ajror, funksionimin normal të shoqërisë “Albcontrol” sh.a dhe sigurinë e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë.

Këto kërkime të tyre i janë përcjellë për dijeni dhe një pjese të trupit diplomatik në Tiranë dhe Institucionit të Presidentit të Republikës. Lidhur me këto problematika dhe kërkime të përsëritura të kontrollorëve ajror, ata pretendojnë se janë injoruar për të paktën 10 muaj me radhë, nga institucionet përgjegjëse dhe kërkesat e tyre nuk janë marrë në shqyrtim.

Në datën 31 mars 2021, kam realizuar edhe një takim me përfaqësues të Sindikatës, për të dëgjuar dhe kuptuar nga afër këto shqetësime . Në këtë takim, veç të tjerash, kontrollorët ngritën shqetësime edhe sa i takon mënyrës së menaxhimit të kompanisë dhe përdorimit të fondeve publike dhe llogarive financiare të shoqërisë me kapital shtetëror, nga ana e organeve drejtuese dhe ekzekutive të saj.

Sipas këtyre të dhënave të bëra tashmë dhe publike prej tyre, përdorimi i fondeve të kompanisë, ndërprerja në masë e marrëdhënieve të punësimit, si dhe kufizimi/pezullimi pa afat i të drejtave të fituara prej tyre, nuk përkon me realitetin financiar të kompanisë, dhe as justifikohet nga situata e krijuar për shkak të pandemisë, siç kanë pretenduar organet drejtuese të kompanisë.

Nisur nga situata tepër e rëndë e krijuar, dhe veçanërisht rolit që ka “Albcontrol” sh.a. për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, e lidhur direkt me sigurinë kombëtare të vendit dhe me ofrimin e shërbimeve të pandërprera ndaj udhëtarëve dhe qytetarëve shqiptarë, në mbrojtje dhe garantim të interesit publik, Presidenti i Republikës në mbështetje të nenit 92/h, dhe 162 pika 1, dhe 163 shkronja “a” dhe “b” të Kushtetutës, si dhe referuar dispozitave të ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, kërkon nga ana Juaj që të ndërmerret pa vonesë një auditim i plotë mbi mënyrën e menaxhimit të kësaj shoqërie; respektimin e dispozitave ligjore në vendimmarrjet e organeve drejtuese; përdorimin e fondeve publike; respektimin e procedurave në marrëdhëniet e punës; si dhe çdo aspekt tjetër që paraqet rrezik për veprimtarinë e sigurtë dhe funksionimin normal e të qëndrueshëm të “Albcontrol” sh.a.

 

 

Shtuar 9.04.2021 12:04