I afërmi i Arjan Salës futet në magazinën e djegur: Nuk dal pa e gjetur

Vijojnë ende kërkimet për gjetjen e 33-vjeçarit Arjan Sala, i cili shpëtoi të gjithë punonjësit nga zjarri që përfshiu magazinën e një qendre tregtare në Tiranë, ndërsa nuk mundi dot të dilte vetë.

Ndonëse prej dy ditësh vijojnë kërkimet nga zjarrfikësit e kryeqytetit, të Rinasit, të Kamëz dhe të ushtrisë, ende nuk ka asnjë gjurmë nga shefi i sigurisë së kësaj godine.

Këtë mbrëmje, ekipi i shpëtimit iu ka thënë familjarëve të 33-vjeçarit të zhdukur se do të kërkojnë brenda magazinës me duar nëpër mbetjet e djegura, dhe për këtë arsye, kanë kërkuar që të futet brenda edhe një prej familjarëve, që të shohë nëse ka ndonjë gjë identifikuese, që të mund të identifikojë të zhdukurin.

Por, pas disa kërkimeve pa rezultat, punonjësit zjarrfikës kanë dalë të gjithë jashtë, ndërsa i afërmi i 33-vjeçar nuk ka pranuar të dalë dhe ndodhet brenda magazinës prej një ore, shkruan bw.

Familjarët, të cilët vijojnë të presin me makth në vendngjarje, iu kërkojnë punonjësve zjarrfikës që të futen brenda ta nxjerrin, por ata nuk pranojnë. Kjo ka bërë që të nisin konfrontimet mes familjarëve të të zhdukurit dhe ekipeve të shpëtimit.

Xhaxhai: Nesër e mbrapa nëse thirrja ime nuk dëgjohet nga askush, nuk besoj se policia do na kundërshtojë, por do të heqë uniformën dhe do të futet bashkë me ne që të kërkojmë kockat e djalit. Zjarrfikësit nuk është se nuk janë profesionistë, por i kanë shkrirë mundësitë e tyre. Ju lutem zoti kryeministër, zoti President na kushtoni pak kohë, mblidhuni për një hero që shpetoi jetë njerëzish. Të mos shkojë i humbur, të kemi ku ta qajmë me diçka të vogël. Kërkoni ndihmë nga shtetet fqinje, nga ato që kanë ndihmuar edhe në tragjeditë e mëparshme.


Shtuar 26.03.2021 22:12