Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të gjigantit të dikurshëm Ballkanik dhe më gjerë Trepça, Enis Abdurrahmani, gjatë një interviste për KosovaPress, ka bërë të ditur se borxhet e trashëguara nga menaxhmentet e kaluara, të cilat kapin vlerën mbi 20 milionë euro, Trepça Sh.A. ka arritur që në masë të madhe t’i zvogëlojë falë angazhimit dhe subvencioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Sipas tij, duke ristrukturuar disa prej njësive biznesore të ndërmarrjes, Trepça tashmë është në rrugë të mbarë dhe po kthehet fuqishëm në ndërmarrje profitabile.
Ai përmendi progresin e madh dhe në shumë sfera të ndërmarrjes gjatë dy viteve të fundit, ndërsa potencoi mbështetjen e jashtëzakonshme nga ana e qeverisë, sidomos në investime kapitale, revitalizimin e minierave etj, vetëm që Trepça të kthehet fuqishëm në një ndërmarrje profitabile, me qëllim primar maksimizimin e profitit dhe rritjen e vlerës së aksioneve.
“Borxhet e trashëguara janë mbi 20 milionë. Ne kemi arritur në kategori të caktuara t’i reduktojmë dhe zvogëlojmë këto borxhe, këto detyrime të ndërmarrjes. Kemi arritur të zvogëlojmë detyrimet nga kategoria e borxheve që i kemi ndaj ATK-së, mbi 4.2 milionë, i kemi zvogëluar borxhet ndaj operatorëve ekonomikë kontraktuesve mbi 2.5 milionë, kemi arritur t’i reduktojmë borxhet dhe obligimet ndaj KESKO-s dhe KEK-ut. E them edhe njëherë, falë subvencioneve që i ka dhënë Qeveria e Republikës së Kosovës, në këto dy kategori ku na ka ndihmuar, siç po na ndihmon edhe në kategorinë e pagave…Ndërmarrja Trepça Sh.A… fuqishëm po kthehet në ndërmarrje profitabile dhe tashmë veç ka arritur të ristrukturojë disa nga njësitë biznesore të saj përmes rregulloreve për sistematizim dhe nivelizim, dhe jemi në rrugë të mirë dhe të mbarë. Na presin shumë punë përpara dhe angazhime”, ka shkruar ai.
Si rezultat i kësaj, shtoi Abdurrahmani, ndërmarrja ka arritur të nënshkruajë marrëveshje për investime kapitale mbi 15 milionë euro, si dhe për ndarje të një fondi kapital punues për ndërmarrjen.
“Ndërmarrja Trepça Sh.A. gjatë këtyre dy viteve ka pasur progres të madh, ka bërë kthesa të mëdha nga një ndërmarrje pothuajse e falimentuar me mbi 20 milionë borxhe, kemi arritur si menaxhment, por edhe si bord, falë angazhimit të ministres së Ekonomisë të rikthejmë ndërmarrjen në trasenë e rentabilitetit… Krahas të gjitha këtyre punëve të mira që kemi bërë, Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar si asnjëherë më parë që në ndërmarrjen Trepça Sh. A, të vazhdojnë investimet kapitale, të revitalizohen minierat tona, Trepça Sh.A. të kthehet fuqishëm në ndërmarrje profitabile, me qëllim primar maksimizimin e profitit dhe rritjen e vlerës së aksioneve në ndërmarrje. Si rezultat i kësaj kemi arritur të nënshkruajmë marrëveshje për investime kapitale mbi 15 milionë euro, dhe për ndarje të një fondi kapital punues për ndërmarrjen, meqë ndërmarrja ka trashëguar borxhe dhe obligime nga menaxhmentet e kaluara”, tha ai.
Ai tha se Trepça Sh.A. ka pranuar mbi 210 praktikantë në afat kohor prej gjashtë muajsh për t’i përgatitur ata për punë, 50 prej të cilëve do të punësohen nga data 1 shtator i këtij viti.
“Ndërmarrja ka nevojë që çdo minutë të saj të kohës ta shfrytëzojë për produktivitet, krejt ajo që na duhet është puna, angazhimi, disiplina në punë, dhe unë mendoj se jemi në rrugë të mirë të arritjes së objektivave tona si ndërmarrje dhe industri minerare që jemi…. Gjatë këtyre dy viteve, falë politikave të mira të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kemi arritur të zhvillojmë një rekrutim të ri për praktikantë, mbi 210 praktikantë kemi arritur t’i përgatisim për punë, me një mundësi që iu kemi dhënë për gjashtë muaj në ndërmarrjen Trepça, dhe në muajt e kaluar kemi zhvilluar rekrutimet e para, ku mbi 50 praktikantë kanë arritur të punësohen në ndërmarrjen Trepça Sh.A, dhe ata do të fillojnë punën që nga 1 shtatori i këtij viti. Tani ky është një nga faktorët kyç që ndërmarrja Trepça Sh.A. të rrisë produktivitetin e saj”, tha ai.
Abdurrahmani sqaroi se për të gjitha këto suksese dhe të arritura të ndërmarrjes me të cilën udhëheqë, dëshmon më së miri opinioni i auditorit të pavarur, ku siç tha ai, Trepça për herë të parë prej pasluftës, merr opinion të kualifikuar.
Në këto dy vite në ndërmarrjen Trepça Sh.A. janë bërë progrese të mëdha. Për këtë flasin dhe dëshmojnë edhe opinionet e auditorit të pavarur. Për dy vite radhazi, Trepça për herë të parë merr opinion të kualifikuar. Rrjedhimisht, për dy dekada kemi pasur mohim të opinionit të ndërmarrjes Trepça Sh.A. Një nga progreset më të mëdha është ngritja e përgjegjësisë të raportimit financiar në këtë ndërmarrje, ngritja e disiplinës në punë… Po ashtu përveç kësaj, për herë të parë Trepça Sh.A. ka pasur një bilans pozitiv, për herë të parë do të thotë ka pasur një fitim neto në historinë e saj të pasluftës. Kjo na jep kurajo dhe na premton se vitet në vazhdim mund të bëhen punë edhe më të mëdha, falë angazhimeve dhe investimeve që do të bëhen në Trepça Sh.A”, tha ai.
Ai u shpreh se përkundër progresit të arritur deri tani, ndërmarrjen e presin punë dhe angazhime të mëdha në të ardhmen.
Abdurrahmani foli edhe për problemet, vështirësitë dhe sfidat me të cilat po përballet ndërmarrja, me ç’rast tha se edhe pse janë bërë përpjekje për të zvogëluar shpenzimet operative dhe rritjen e të hyrave, Trepça ka pasur disa kriza si rezultat i faktorëve të jashtëm.
“Përkundër përpjekjeve dhe angazhimeve tona që të zvogëlojmë shpenzimet operative mbi 25 përqind gjatë vitit 2022 dhe rritjes së të hyrave mbi 17 milionë nga prodhimi i koncentratit, plumbit dhe zingut, kemi pasur disa kriza si rezultat i faktorëve të jashtëm që janë të pamenaxhueshme nga ana jonë, siç është rënia e çmimit të metaleve në bursë, kushti i paritetit mes dollarit dhe euros, edhe shumë probleme tjera si rezultat i krizës së energjisë… Dhe, krejt këta faktorë kanë prekur në formë direkte të hyrat e ndërmarrjes. Kjo është shoqëruar edhe me rënie të produktivitetit si shkak i vjetërsisë dhe zhvlerësimit të makinave produktive në miniera dhe flotacione”, tha ai.
Kryeshefi i Trepçës ka përmendur shifrat prej 40 mijë deri në 50 mijë euro humbje ditore në raste kur sabotohet puna, andaj apeloi tek minatorët që të mos bojkotojnë, por t’i qasen punës me seriozitet dhe angazhim maksimal për të mirën e përgjithshme.
“Një vlerë që mund të jetë e përafërt (e humbjeve ditore në rast të mos punës) varet nga shumë faktorë, mund të jetë nga 40 mijë deri në 50 mijë euro në ditë,… Në konsultim me zyrën ligjore dhe departamentet tjera, kemi marrë masat e para që çdo bojkot dhe sabotim në punë do të sanksionohet me ndalesa të ekzekutimit të meditjeve dhe shujtave ditore, dhe nëse ky bojkot dhe sabotim thellohet, atëherë i kemi masat e rregulloreve të brendshme të cilat sanksionojnë edhe me pagë deri në 40 përqind , mirëpo ligjet i kemi shumë të qarta që do të thotë se çdo bojkot dhe sabotim mbi tre ditë pune mund të shpie edhe deri në shkëputje të marrëdhënies së punës për çdo punëtor që e bënë këtë vepër… Masa fillestare është marrë ndaj 151 punëtorëve të cilët kanë bojkotuar punën, dhe një kalkulim i përafërt i masës financiare që do të merret ndaj tyre do të jetë rreth 176 euro për një punëtor, për këto katër ditë të bojkotit të punës”, ka thënë Abdurrahmani./kp