Hyjnë në fuqi masat e reja anti-Covid në Kosovë

Qeveria e Kosovës të premten ka miratuar masat e reja anti-COVID, të cilat do të hyjnë në fuqi sot.

Ndër masat që pritet të hyjnë sot në fuqi është, fillimi i mësimit në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, ku në klasa nuk do të lejohen më shumë se 20 nxënës.

Në klasat me më shumë se 20 nxënës, mësimi do të mbahet në dy grupe. Institucionet do të punojnë me kapacitetet të plota, personeli duhet të ofrojë dëshmi të vaksinimit ose teste përkatëse.

Kufizimi i lëvizjes mbetet i njëjti, nga ora 22:00-05:00h.

Më poshtë sjellim gjitha masat që do të hyjnë sot në fuqi:

Masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e  pandemisë COVID-19

A. [Zbatimi territorial]

1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

B. [Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës]

2. Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedojë një nga dëshmitë e  mëposhtme:

2.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të  vaksinës kundër COVID-19;

2.2 Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;

2.3 Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak  se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave  serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;

2.4 Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

3. Nga data 13 tetor 2021, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedojë  certifikatën e vaksinimit të plotë apo ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.2 deri  2.4.

4. Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe personat me leje qëndrimi të përkohshëm ose të  përhershëm në Kosovës, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, në rast se nuk posedojnë  një nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, duhet të vetë-izolohen për 7 ditë. Këta persona  duhet të plotësojnë deklaratën nën betim për vetë-izolim në pikën kufitare përkatëse.

5. Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 , lirohen: 5.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare  tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose  pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajë deklaratën se do  ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh;

5.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të  respektojnë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga COVID-19; 5.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;

5.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar  me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të  nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;

5.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë;

5.6 Personat nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeçare.

C. [Mbrojtja dhe siguria në punë]

6. Të gjithë punonjësit e institucioneve publike, si dhe personeli i ndërmarrjeve publike në  pronësi të Qeverisë apo të një komune, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në  pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës.

7. Nëpunësi më i lartë administrativ i çdo institucioni publik është i obliguar të caktojë një  apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga  dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4

8. Nga data 13 tetor 2021, punonjësit/personeli sipas pikës 6, duhet të posedojnë certifikatën  e vaksinimit të plotë apo ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.2 deri 2.4.

Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]

9. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në  ambientet e brendshme.

10. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti  të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19,  përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës.

11. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë  dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.

12. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç:

12.1 Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë   ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes;

12.2 Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike;

12.3 Gjatë ngrënies apo pijes.

13. Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.

14. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private që të përcaktojnë një punonjës të  monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 13.

D. [Kufizimi i qarkullimit]

15. Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00, përveç:

15.1 Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të  barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur  dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi);

15.2 Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë  punë apo shërbime publike;

15.3 Personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë  funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e  mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga  sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.

15.4 Personat të cilët ofrojnë dëshmi se duhet të jenë në aeroport gjatë orarit të  kufizimit të qarkullimit, për shkak se kanë për të udhëtuar përmes aeroplanit; 15.5 Personave ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohshme që lëshohet nga Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas  pikës 17, për shkak të domosdoshmërisë së qarkullimit gjatë orës policore.

16. Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga  pika 15 të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e tyre.

17. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme mundet që të lëshojë  leje të veçantë, për persona të cilët ofrojnë dëshmi të mjaftueshme për domosdoshmërinë  që kufizimi i qarkullimit të orarit të ju zgjatet përkohësisht.

Dh. [Institucionet e arsimit]

18. Procesi mësimor në institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor vazhdon në mënyrë  të rregullt.

19. Procesi mësimor në institucionet e arsimit parauniversitar zhvillohet sipas skenarëve  përkatës të përcaktuar në udhëzuesin për institucionet e arsimit, mirëpo parakusht për  mësimin me prani fizike është prania e jo më shumë se 20 nxënësve për klasë. Nëse në një  klasë janë më shumë se 20 nxënës, mund të punohet me skenarin A (me klasë të  përgjysmuar) ose me skenarin B (mësim i kombinuar, ku një pjesë e nxënësve e ndjekin  mësimin në distancë. Përzgjedhja e nxënësve që do ndjekin mësimin në distancë (online) bëhet me rotacion çdo javë.

20. Procesi mësimor në institucionet publike dhe private universitare zhvillohet sipas  udhëzuesit përkatës, me kusht që numri i personave të lejuar në një klasë mundëson në  mënyrë rigoroze mbajtjen e distancës prej 1.5 metra në mes të personave.

21. Studentët në mënyrë që të ju mundësohet regjistrimi në konvikt duhet të posedojnë  ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

22. Studentët në institucionet publike dhe private universitare duhet të posedojnë ndonjërën  nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4., në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e  institucionit.

23. Stafi në të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, duke  përfshirë institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor, duhet të posedojnë ndonjërën  nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e  institucionit.

24. Nëpunësi më i lartë i çdo institucioni sipas pikës 18, 19 dhe 20, është i obliguar me vendim të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës  nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

25. Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet  e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.

E. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]

26. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e  skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në  zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse..

F. [Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]

27. Përveç nëse përcaktohet ndryshe në këtë vendim, lejohen grumbullimet në ambiente të  mbyllura deri në njëzet (20) persona (punëtori, mbledhje, seminare, trajnime apo  grumbullime tjera). Obligohet që pjesëmarrësit të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e  cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në këto ambiente, si dhe  organizatori obligohet të siguroj distancën fizike prej 1.5 metër në mes të personave dhe  kontrollimin e dëshmive përkatëse.

27.1 Mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave,  duke u respektuar mbajtja e maskave dhe distanca fizike prej 1.5 metrash në mes  të personave.

28. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Shëndetësisë mundet që të lëshojë leje të  veçantë, që tejkalon numrin prej njëzet (20) persona, për ngjarje të rëndësisë së veçantë  në funksion të interesit publik.

29. Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në pesëdhjetë (50)  persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave.

30. Pavarësisht pikës 27 dhe 29, për koncerte dhe festivale vlen pika 33.  31. Mbajtja e pritjes për ngushëllim/kryeshëndoshë ndalohet.

32. Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, duke siguruar që  pjesëmarrësit të mbajnë distancë fizike prej 1.5 metër nga njëri-tjetri.

G. [Ndalimi i veprimtarive dhe organizimeve të caktuara]

33. Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi  i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve  familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Gj. [Gastronomia]

34. Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me  udhëzuesin përkatës.

35. Nga data 27 shtator 2021, klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të posedojnë ndonjërën  nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve.

36. Në lokalet e gastronomisë është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona  përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1  deri 2.4.

37. Nga data 27 shator 2021, lejohet shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura deri në 50% e  kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit  të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

38. Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me  Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.

39. Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në kuadër të lokaleve të shërbimeve të  gastronomisë në të cilën lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve, përveç:

39.1 Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i lokalit:

Teksti vazhdon pas reklamës

Parandaloni rënien e flokëve me një shampo plotësisht natyrale! Rigjeneron dhe rikthen shkëlqimin.

Sponosored by MonadPlug

39.2 Ndërsa paguan porosinë;

39.3 Gjatë shkuarjes apo kthimit nga tualeti;

39.4 Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.

40. Në rastet nga pika 39.1 deri 39.4 është e obliguar bartja e maskës duke mbuluar hundën  dhe gojën.

41. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30.

42. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00.

43. Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të  ndryshme të jetë së paku një (1) metër.

44. Pjesa e prapme e një karrigeje, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në distancë  së paku një (1) metërshe.

45. Në hapësirat e mbyllura lejohen deri në 4 persona në tavolinë. Në rast se tavolinat janë më të mëdha se dy (2) metra, atëherë parakusht është kufizimi prej pesë (5) persona në 10 m2.

46. Në hapësirat e jashtme lejohen deri në gjashtë (6) persona në tavolinë apo banak. 47. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool.

48. Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me  leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).

H. [Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomikë]

49. Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.

50. Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me  shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën  kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje

numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën  ku lejohen të qëndrojnë klientët.

51. Klientët dhe stafi në qendra tregtare dhe qendra të thirrjeve (call center) duhet të  posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet  hyrja në objekt.

52. Në qendrat tregtare dhe qendrat e thirrjeve (call center) është e obliguar të caktohet një apo  më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e  cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

I. [Puna me palë]

53. Nga data 27 shtator 2021, në institucionet publike/private apo biznese,  punonjësit/personeli i cili ka punë me palë/kontakt të drejtpërdrejtë me klientë (duke  përfshirë, por duke mos u kufizuar, berberë, punonjësit në markete dhe banka etj.), duhet  të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju  lejohet hyrja në objekt. Obligohet të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do  të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

54. Personi përgjegjës i institucionit publik apo privat dhe i operatorëve ekonomikë, obligohet  që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit,  përveç nëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1.5 metra nga grupet e tjera të personave.

J. [Transporti publik]

55. Ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik pa maskë.

56. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të  kapacitetit të ulëseve.

57. Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy (2) udhëtarë.

K. [Teatrot, bibliotekat, etj.]

58. Bibliotekat, muzetë, kinematë, teatrot, orkestrat, ansamblet, baleti qendrat rinore, qendrat  e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të  Komunave, lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të  hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Obligohet mbajtja e maskës dhe distancës  fizike prej 1.5 metrash në mes të personave.

59. Shfrytëzuesit e veprimtarive sipas pikës 58, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e  cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt.

60. Në veprimtaritë sipas pikës 58, duhet të caktohet me vendim një apo më shumë persona  përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1  deri 2.4.

L. [Sporti dhe rekreacioni]

61. Lejohen organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe  rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat  mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

62. Numri i pjesëmarrësve në garë (sportistë, klube, zyrtarë, dhe pjesëmarrës tjerë të  nevojshëm për zhvillimin e garës) përcaktohet nga federatat sportive duke respektuar  masën e distancës dhe masat tjera mbrojtëse.

63. Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura lejohet prania e shikuesve deri në 10% të  kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (stadium, salla sportive, pishina, hapësira të  tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera  mbrojtëse.

64. Në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve deri në 30% të  kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (stadium, salla sportive, pishina, hapësira të  tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera  mbrojtëse.

65. Shikuesit në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura apo të jashtme, duhet të posedojnë  një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

66. Organizatorët e garës janë të obliguar të caktojnë persona përgjegjës për kontrollimin e  posedimit të ndonjërës nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, si dhe të ndërmarrin masat  specifike, në përputhshmëri me protokollet ndërkombëtare, për menaxhimin e masës  (tifozëve) para, gjatë dhe pas hyrjes në hapësirën sportive.

67. Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale  rekreative. Klientët dhe stafi, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e përcaktuara në pikën 2.1 deri 2.4 të këtij Vendimi.

68. Çdo fitnes, palestër dhe i ngjashëm është i obliguar të caktojë të paktën një punonjës i cili  do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

69. Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme, bëhet në proporcion 1 klient në 10 m2.

70. Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për  pastrimit) në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijësimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit.

LL. [Banjat termale]

71. Për të hyrë në banja termale, klientët dhe stafi duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë  e përcaktuara në pikën 2.1 deri 2.4 të këtij Vendimi. Obligohet caktimi i të paktën një  punonjësi i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën  2.1 deri 2.4.

M. [Tregjet dhe therja e kafshëve]

72. Tregjet publike të automjeteve, kafshëve dhe shpezëve lejohet të zhvillojnë veprimtarinë  duke shfrytëzuar 30% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse.  Obligohet mbajtja e maskës dhe vendosja e tezgave në distancë fizike prej të paktën 2  metra.

N. [Të dhënat personale dhe mënyra e kontrollimit të dëshmive sipas pikës 2.1 deri 2.4]

73. Caktimi i personave të autorizuar apo punonjësve të autorizuar për kontrollimin e  dëshmive sipas pikës 2.1 deri 2.4, bëhet përmes vendimit ku përcaktohet emri dhe  mbiemri i personit të autorizuar.

74. Prezantimi i dëshimeve të përmendura në pikat 2.1 deri 2.4, bëhet në një formë e cila nuk  lejon që personat e autorizuar ose shërbimet e autorizuara për të kontrolluar posedimin e tyre, t’i mbajnë, t’i ruajnë, t’i regjistrojnë apo përpunojnë të dhënat që përbahen në  dëshmi në çfarëdo forme, përpos nëse subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në  formë të shkruar për përpunimin e këtyre të dhënave.

75. Personat e autorizuar dhe të caktuar me emër, për të kontrolluar dëshmitë përmendura  në pikat 2.1 deri 2.4, në rastet kur subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në formë  të shkruar për përpunimin e këtyre të dhënave, nuk lejohen t’i mbajnë të dhënat ose  ripërdorin ato për qëllime të tjera, përveç për konstatimin e posedimit të dëshmive, në  interes të shëndetit publik dhe për qëllimet e vetme për të luftuar përhapjen e pandemisë  COVID-19.

Nj. [Udhëzuesit dhe sqarimet]

76. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të nxjerrë udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm  dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:

76.1. Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për  parandalimin dhe luftimin e COVID-19;

76.2. Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve,  industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;

76.3. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha niveleve; 76.4. Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe  qendra tregtare;

76.5. Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete  kulturore,

76.6. Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative  dhe sportive;

76.7. Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik;

76.8. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor; 76.9. Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;

76.10. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të  mbajtjes për të huaj;

77. Udhëzuesit nga pika 76 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët ndaj të cilëve zbatohen.

78. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e këtij  vendimi.

O. [Zbatimi]

79. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me  shtabet emergjente të komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë  në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).

80. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën e  Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave,

gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike si dhe parashikimet për  dy javët në vijim.

81. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin  dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë  vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të  IKShPK-së.

82. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e  masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për  Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

83. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore  sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në  territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

84. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë,  ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat  aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së  Shëndetësisë.

P. [Shfuqizimi i vendimit Nr. 01/35]

85. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 01/35, i datës 12.09.2021.

Q. [Hyrja në fuqi]

86. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës./GazetaExpress


Shtuar 27.09.2021 08:34