Humbja më 6 mars, Basha: Përgjegjësia bie mbi të gjithë, ne e kemi në dorë të bëjmë ndryshimin

Në mbledhjen me kryetarët e degëve, kreu demokrat ka thënë se përgjegjësia për humbjen në zgjedhjet e 6 marsit është e të gjithëve dhe se për të bërë ndryshimin duhet tejkaluar kulti i individit.

“Përgjegjësia bie te të gjithë, por fillon me mua. Secili duhet te mbaje përgjegjësi. Ne kemi në dorë të qëndrojmë, të bëjmë betejë, të bëjmë ndryshime, të tejkalojmë kultin e individit, për një parti me te fortë”, ka thënë Basha.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes, drejtuesit e PD-së në Lezhë, Mirditë dhe Kurbin kanë dalë në mbrojtje të Bashës, ndryshe nga deputetët, ku një pjesë e madhe e tyre kërkuan organizim të partisë e madje edhe largimin e kryedemokratit.

Fran Frrokaj, nënkryetar i PD në Lezhë Frrokaj është shprehur se Basha nuk është humbësi, ndërkohë që kryetari i degës së Kurbinit Behar Haxhia ka thënë se Basha nuk duhet ta mendojë dorëheqjen.

Frrokaj: Në 2013 nuk ke humbur ti, por Sali Berisha me 1 milion vota kundër.  Kishte krejt shtetin por humbi me 1 milion vota kundër.

Behar Haxhia: Falenderoj kandidatët që e morën përsipër këtë përballje. Ku fitohet përballë këtij pushteti? Nuk e mendoj dorëheqjen time dhe as ti s’duhet të mendosh dorëheqjen.

Mark Ruçi, Mirditë: Duhet një strategji që të dimë si të ecim nesër në zgjedhje. Makineria e pushtetit vijon vijën e partisë së pushtetit të parë (komunizmit). Duhet të konsultohemi me njerëzit që të marrim përgjegjësi. Duhet të qetësohemi e të llogjikojmë. Falendëroj kandidatët që përballuan një garë të barabartë./albeu.com


Shtuar 8.03.2022 19:54