Humbi në Kukës, reagon Emri Vata: Patronazhistët dhe super-ministrat ishin në Kukës me torbën plot me lekë

Emri Vata, kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Kukës, ka reaguar pas humbjes përballë kandidati të PS, Albert Halilaj.

Përmes një statusi në Facebook, Vata shprehet se zgjedhjet në Kukës u vodhën nga patronazhistët dhe super-ministrat, të cilët sipas tij “ishin në Kukës me torbën plot, të lekëve dhe premtimeve”.

Vata shprehet se misioni i opozitës për zgjedhje të lira nuk mbyllet me Kukësin.

“Të dashur miq, të dashur bashkëpunëtorë, të dashur demokratë, të dashur kuksianë! Dua të falenderoj, së pari strukturën e Partisë Demokratike në Kukës dhe familjet e tyre për qëndresën dhe mbështetjen në këtë sfidë të pabarabartë në shumë drejtime.

Demokratëve që më dhanë besim duke më votuar, u jam përherë mirënjohës. Miqve që më mbështetën vazhdoj të jem borxhli dhe mirënjohës. Përsëritja e asaj që të gjithë bashkë e kemi parë me sy është e panevojshme. Dua të theksoj se vetëm në pushtetin e Edi Ramës skandalet politike, morale dhe shoqërore nuk reflektohen në rezultat, por e thellojnë atë në favor të shkelësve.
Patronazhistët dhe super-ministrat ishin në Kukës me torbën plot, të lekëve dhe premtimeve, por tabloja e Kukësit të zbrazur në 10 vitet e pushtetit të tyre flet pa pasë nevojë për dorëzanë. Rezultati i zgjedhjeve, me gjithë deformimet, presionin, shitblerjet e votës, krimin shtetëror duhet lexuar me kujdes. Ne sot mbyllëm një fushatë, por jo misionin tonë që në Kukës dhe në gjithë Shqipërinë të kthejmë zgjedhjet e lira. Uroj që vota e çdo qytetari Kukësian , të mos shpërdorohet. Pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje.


Shtuar 25.09.2023 19:10