Hoxha zbulon farën e re të kanabisit që kultivohet në Shqipëri: 20 mijë shqiptarë të punësuar për “Gorrillën”

Gazetari Artan Hoxha dha sot disa shifra tronditëse sa i përket kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Në një lidhje direkte për emisionin “Zona Zero” në Top News, gazetari investigativ u shpreh se në Shqipëri janë mbi 20 mijë persona që merren me kultivimin e kanabisit.

“Janë 20 mijë punëtorë që merren me kanabis, prandaj i sheh të rinjtë në Tiranë me makina të shtrenjta. Kemi të bëjmë me një strukturë të mirfilltë kriminale. Ka grupe të rinjsh të armatosur që merren me ruajtjen e parcelave me kanabis”, tha Artan Hoxha.

Artan Hoxha tha se së fundmi në vendin tonë është futur kanabisi i llojit “Gorilla”, farë spanjolle, e cila për 60 ditë jep prodhimin e saj.

““Gorilla” është një fare e re e ardhur nga Spanja që ka efekt 25 % te përdoruesit më shumë se ajo e vjetra, ka çmimin më të lartë dhe vegjetacion shumë të shkurtër për 60 ditë ti merr prodhimin, ndërsa fara tjetër donte 5-6 muaj”, tha gazetari.

Sipas Artan Hoxhës, kultivimi i kanabisit në Shqipëri bëhet i kontrolluar nga bandat

“Tashmë kemi kultivim kanabisi të kontrolluar. Në 2015 çmimi i kanabisit ishte sa i domateve. Kjo i dëmtonte bandat kriminale. Kam parë 15 sera në Krujë. Sa herë jemi në vit zgjedhor, kultivimi i kanabisit njeh rritje”, tha Artan Hoxha./tch


Shtuar 10.12.2021 19:17