Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se SHBA-të duhet të përcaktojnë nëse Serbia ishte përgjegjëse për sulmin e së dielës në veri të Kosovës. Ai ka thënë se ky sulm ka qenë i koordinuar dhe sofistikuar.
Në një intervistë për “Politico” ai ka thënë se “njerëzit që ne i mbajmë më përgjegjës janë njerëzit që qëlluan në drejtim të zyrtarit policor të policisë së Kosovës”.
Hovenier ka thënë se “sasia e armëve sugjeron se kjo ishte serioze, me një plan për të destabilizuar sigurinë në rajon”.
Hovenier tha se SHBA-të duhet të përcaktojnë ende nëse Serbia ishte përgjegjëse për pritën, siç pretendon Kosova, por ai tha se pajisjet e konfiskuara nga autoritetet, që përfshinin raketahedhës, mina dhe një transportues të blinduar të personelit, ishin të “gradës ushtarake të padisponueshme për qytetarin e zakonshëm.”
Ai tha se SHBA-të nuk kishin arsye të dyshonin se armët dhe pajisjet e tjera të paraqitura nga policia e Kosovës në një konferencë për shtyp të hënën nuk ishin ato që u gjetën në vendin e ngjarjes.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.
Tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa deri tani dihet për tetë persona të arrestuar.