Homazhe në teatrin “Migjeni” në nderim të “Mjeshtrit të Madh” të humorit, Zef Deda

Kanë nisur në Shkodër, në hollin e Teatrit “Migjeni”, homazhet në nderim të “Mjeshtrit të Madh” të humorit, Zef Deda, i cili ndërroi jetë dje nga një sëmundje e rëndë.

Familja e tij, bashkëshortja, djemtë me familjet e tyre, kanë nisur të presin ngushëllimet dhe në krah të tyre gjenden edhe të gjithë aktorët e këtij teatri, kolegët ndër vite të Zef Dedës, emra të mëdhenj ndër ta, të konsideruar po aq të afërt dhe të dashur për të njesoj si familja.

KUSH ISHTE ZEF DEDA

Zef Deda ishte një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950, ndërsa u shkollua në qytetin e tij të lindjes, dhe në Politeknikumin e Ndërtimit në Tiranë. Deda filloi shkollën e lartë për Gjuhë-Letërsi, por nuk e mbaroi dot për arsye shëndetësore. Aktori ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël, pasi me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrinte të realizonte qindra figura artistike.

Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit. Zef Deda gjithashtu ka interpretuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj.


Shtuar 25.11.2023 09:51