Historia e Erling Haaland: Ylli dhe krenaria e fabrikës së futbollit në Bryne (FOTO LAJM)

Dyert e sallave sportive në qytetin e qetë të Norvegjisë Bryne ishin gjithmonë të hapura – një ikje e mirëpritur për fëmijët vendas. Shumë talente futbolli u shfaqën, por një në veçanti u dallua: Erling Braut Haaland. Ishte në këtë qytet me rreth 12.000 banorë në një vend të fiksuar pas sporteve dimërore ku ndoshta futbollisti i ri më emocionues në botë doli për herë të parë në fushë.

“Ai gjithnjë shënonte shumë”, tha Alf Ingve Berntsen, një mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme lokale që ishte trajner i Haalandit. “Kur ishte 12 vjeç, ai filloi të luante me 13-vjeçarët dhe vazhdoi të shënonte. Kur u zgjodh për ekipin rajonal, ai shënoi përsëri. Pastaj, kur ishte 15 vjeç, ai u thirr në ekipin e të rinjve të Norvegjisë dhe përsëri shënoi”.

Përkundër talentit të shfaqur në moshë të re, askush nuk ka besuar që Haaland një ditë do të bëhet njëri prej sulmuesve më të mirë dhe më të kërkuar në botë. Haaland aktualisht është pjesë e Borussia Dortmundit dhe këtë sezon ka shënuar 37 gola në 38 ndeshje në të gjitha garat.

“Ne pamë mjaft shpejt që ai mund të bëhej një emër shumë i madh. Por, nuk e mendonim se do të ndodhte kaq shpejt që ai të ishte golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve në moshën 19-20 vjeç”, shtoi Berntsen. “Askush nuk ka besuar se ai do të bëhej ndër sulmuesit më të rrezikshëm gjithashtu. Zhvillimi i tij si futbollist është i jashtëzakonshëm”.

Një shëtitje nëpër qytetin Bryne lë pak dyshime për rrënjët e 20-vjeçarit në rajon, dikur skena e një beteje epike vikingësh.

Zona përreth Bryne, e cila mburret me përqendrimin më të lartë të traktorëve në Norvegji, përfshin një fshat rural të quajtur “Braut”. Ndërsa, disa kilometra më larg, është një zonë industriale që mban emrin “Haaland”.

39 djem dhe një vajzë

Haaland lindi më 21 korrik të vitit 2000 në qytetin anglez Leeds, ku babai i tij Alf-Inge luajti deri pak para ardhjes së djalit të tij dhe një transferimi te Manchester City.

Babai i Haalandit ishte një mesfushor ndërkombëtar, i cili bëri 34 paraqitje për Përfaqësuesen e Norvegjisë dhe luajti në Premier League për pjesën më të madhe të karrierës së tij. Megjithatë, ai u detyrua të tërhiqej nga futbolli aktiv për shkak të lëndimit në vitin 2003, kur ishte vetëm 30-vjeçar dhe ende lojtar i Cityt. Vitin pasues ai e zhvendosi familjen e tij në Bryne, i cili ishte vendi ku ai ishte kishte shpërthyer si produkt i të rinjve në fillim të viteve 1990. Duke ndjekur gjurmët e babait të tij, Haalandi i ri favorizoi futbollin para atletikës, sporti i preferuar i nënës së tij Gry Marita Braut, një ish-kampione e heptatholit (shtatë-garëshit) për Norvegjinë. Këtu ishin mbjellë farat për karrierën e ardhshme të Haalandit dhe këtu ai takoi Alf Ingve Berntsen, i cili trajtoi një grup prej 40 të rinjsh – 39 djem dhe një vajzë të talentuar, futbollisten e Përfaqësueses së Norvegjisë, Andrea Norheim. Duke ndjekur filozofinë për të mos lënë askënd pas dhe për t’i mbajtur të gjithë lojtarët të angazhuar, trajneri Bernsten të gjithë i ftonte në të njëjtën kohë në fushë, pavarësisht nga aftësitë.

“Erlingu ishte i vogël dhe mjaft i lehtë, por duke pasur parasysh gjenet e tij e dinim se ai ndoshta do të rritej për t’u bërë një djalë i madh”, kujton Berntsen. “Edhe pse ishte fizikisht pak inferior ndaj të tjerëve, ai shënoi aq shumë gola saqë u befasuam për të mirë”.

Vetëm vite më vonë, rreth moshës 15 vjeç, Haalandi mori një rritje të shpejtë, duke u rritur në 194 centimetra. Gjatë gjithë rinisë së tij, ai dhe miqtë e tij plotësuan stërvitjet e tyre javore ose dy herë në javë me klubin dhe seanca të panumërta të improvizuara në stadiumin lokal të mbuluar “Jaerhallen” – një objekt i rëndësishëm, por i hapur për të gjithë.

“Nuk kishte shumë gjëra për të bërë në Bryne veçse të luaje futboll”, thotë ish-mikja e Haalandit, Norheim. “Në fundjavë ne dilnim në fushë, nuk kishim për të planifikuar asgjë, e dinim se do të ishte gjithmonë dikush me të cilin do të luanim”.

Krenari e qetë lokale

Megjithëse stadiumi nuk ishte i nxehtë, çatia siguroi një pushim të mirëpritur nga bora ose ngrica, duke përjashtuar lojërat në rrugë gjatë dimrit.

“Stadiumi ‘Jaerhallen’ lindi shumë talente në Bryne, që nuk do të kishte lindur po të mos kishte ekzistuar salla”, thotë babai i Andreas, Stig Norheim, vetë një ish-lojtar. “Ju mund të shkoni dhe të stërviteni atje në çdo kohë. Në fundjavë të rinjtë shkonin atje në nëntë ose dhjetë të mëngjesit me drekën e tyre të paketuar dhe qëndronin atje deri në tetë të mbrëmjes”, thotë ai.

Stadiumi “Jaerhallen” mund të mos jetë një objekt tërheqës për sytë, por mburret me një rekord mjaft mbresëlënës: orët që fëmijët investuan në organizimin e seancave të tyre të trajnimit u dhanë rezultate të dobishme. Nga 40 të rinj, pesë prej tyre – përfshirë Haalandin dhe Norheimin – përfunduan duke luajtur për përfaqësueset e Norvegjisë. Në këtë ditë me diell, nxënës të shkollës së mesme po shkelmojnë topin përreth në fushën e hapur ngjitur. Krenaria e tyre lokale është e dukshme, megjithëse delikate.

Të pyetur se kush është futbollisti më i mirë në botë, ata përgjigjen: “Lionel Messi” dhe “Cristiano Ronaldo”. Mirëpo, në pyetjen se kush është lojtari më premtues në botë, ata nuk hezitojnë të brohorasin njëzëri: “Erling!”.

“Unë jam shumë i frymëzuar nga ai”, thotë futbollisti 18-vjeçar i talentuar, Malin Amilie Liland. “Fakti që ai vjen nga një vend kaq i vogël dhe luan për një klub kaq të madh tregon se gjithçka është e mundur”.


Shtuar 12.05.2021 20:39