Hetimi i The Times: Infantino mori pagesa shtesë që nuk u përfshinë në raportin vjetor të FIFA-s

Një hetim i gazetës britanike The Times thotë se presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino, përfitoi miliona dollarë përtej të ardhurave të deklaruara zyrtarisht. Sipas hetimit, FIFA nuk i përfshiu këto pagesa në raportin e saj vjetor.

Për vitin 2024, FIFA raportoi se Infantino kishte marrë 4.59 milionë euro. Por dokumentet financiare të FWC2026 US Inc, kompanisë amerikane të krijuar për organizimin e Kupës së Botës të këtij viti, tregojnë edhe 1.57 milionë euro pagesa për të. Rreth 560,000 euro nga kjo shumë përbënin kompensime të tjera, të cilat duhej të deklaroheshin veç pagës bazë dhe bonusit.

Të lidhura

None found

Burime të The Times thanë se gjatë viteve 2025 dhe 2026 Infantino mori shuma të ngjashme, ose edhe më të larta. Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafström, nuk përfitoi pagesa shtesë. Pagesa të tilla nuk mori as presidenti i konfederatës CONCACAF, Victor Montagliani, megjithëse ai drejtoi komitetin e Kupës së Botës të organizatës amerikane.

Miguel Maduro, ish-president i komitetit drejtues të FIFA-s, e cilësoi mosdeklarimin si shkelje të qartë të statuteve dhe kërkoi një hetim të pavarur. Statutet kërkojnë publikimin e pagave të presidentit, anëtarëve të këshillit dhe sekretarit të përgjithshëm. Maduro i tha The Times se çdo pagesë nga kompani të lidhura duhet të jetë transparente dhe nuk duhet të miratohet nga nënkomisioni i pagave si “forma të tjera kompensimi”.

FIFA u shpreh se paga vjetore dhe përfitimet e tjera kontraktuale të presidentit përcaktohen nga nënkomiteti i pagave dhe se këto përfitime u janë raportuar autoriteteve amerikane. Ajo nuk dha, megjithatë, një shpjegim për mungesën e pagesave shtesë në raportin vjetor.

Hetimi shtroi pyetje edhe për jetesën e Infantinos në Miami. Burime ndërkombëtare të futbollit ngritën dyshimin nëse një pjesë e pagesave shtesë synonte të mbulonte qiranë e një vile luksoze buzë detit në Ishujt Sunset. Vila ishte blerë në vitin 2023 për afërsisht 24.2 milionë euro nga ish-CEO i Google, Eric Schmidt. Zëdhënësi i Schmidt tha se Infantino e kishte marrë pronën me qira për tre vjet, me çmimin e tregut, por nuk banon më atje. FIFA nuk konfirmoi nëse pagesat shtesë kishin lidhje me kredinë.

Hetimi përmend gjithashtu lidhje mes Infantinos dhe Michelle Ritter, partnere e atëhershme e Schmidt. Kompania e saj, StarX, nënshkroi në tetor 2023 një kontratë me FIFA-n për testimin e teknologjive të reja që synonin angazhimin e tifozëve. FIFA sqaroi më vonë se asnjë projekt komercial mes saj dhe StarX nuk ishte finalizuar. Ajo mohoi gjithashtu që qëndrimi i Infantinos në SHBA të kishte lidhje me marrëdhëniet e tij private.

Në vjeshtën e vitit 2025, Shadi LLC, një kompani e regjistruar në Delaware, bleu për rreth 7.7 milionë euro një apartament luksoz në Miami që më parë i përkiste këngëtarit Marc Anthony. Burime të gazetës thanë se emri i kompanisë është formuar nga inicialet e emrave të vajzave të Infantinos dhe shkronja “I” e mbiemrit të tij. FIFA theksoi se nuk përfshihet në blerjet e pasurive të paluajtshme nga zyrtarët e saj.

Një tjetër pjesë e hetimit trajton një plan të supozuar për komercializimin e Kupës së Botës. Sipas burimeve, Infantino parashikohej të drejtonte fillimisht organizatën e re FIFA Forward Enterprise. Më pas, në vitin 2031, kur të përfundonte mandati i tij i fundit presidencial, ai do të merrte postin e komisionerit, me pagë vjetore prej 26.8 milionë eurosh dhe bonuse shtesë.

FIFA mohoi që kjo mundësi të jetë diskutuar ndonjëherë. Plani u hoq pasi UEFA kërcënoi me bojkot të garave të FIFA-s. Megjithë thirrjet për dorëheqjen e tij, Infantino synon të kandidojë për një mandat të ri presidencial në mars; afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave është 18 nëntori.


Shtuar më 13.10.2026 12:57