Ditën e sotme, Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe Check up në Shëndetësi, miratoi planin e vizitave në spitalet e vendit.
Mazhoranca dhe opozita, vendosën të vijojnë me vizitat e përbashkëta në terren, për të parë zbatimin e kontratave koncensionare.
Në dy javët e ardhshme do të zhvillohen vizita në Durrës, Shkodër, Lushnje, Vlorë dhe Spitalin e Traumës.
Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi tha se, “këtë të premte do të bëhet një vizitë në në spitalin e Durrësit. Më tej do vendosim për vizita në dy qendra shëndetësore apo në laborator. E gjithë disa do fokusohet në Durrës”.
“Të martën do të bëhet një vizitë te spitali i Traumës”, shtoi Vokshi.
Po ashtu, theksoi ajo, “do të diskutojmë nëse do të vizitojmë në të njëjtën rrugë një qendër shëndetësore dhe një laborator”.
“Fundjavën që vjen vizitat do të bëhen në Vlorë, Lushnjë dhe Shkodër. Në fund të javës që vjen shpresoj që ti kemi ezauruar. Jeni dakord që për këto dy javë të fokusohemi te vizitat në terren”, tha Vokshi.
Mazhoranca dhe opozita, nuk kanë gjetur ende dakordësi për shtrirjen e periudhës së hetimit prej vitit 2009 e këtej.
Kjo pikë e rendit të ditës, u shty për një mbledhje tjetër. Më pas, deputetët e Komisionit miratuan që dëgjesat e dëshmitarëve të nisin më datën 3 qershor.
Të parët në radhë janë grupet e auditit të KLSH e më pas Nisma Thurje, e cila ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme për kontratën e shërbimit të sterilizimit.
Në vazhdim do të mbahen dëgjesa të tjera sipas listës së dëshmitarëve të miratuar në Planin Hetimor.