“Alibeaj nuk ka asnjë tagër”, Salianji për Presidentin: Rama ka hedhur grepat te opozita, s’dueht të biem në grackë

Mazhoranca ka rënë dakord me draftin e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj, për kushtet dhe kriteret për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Kjo do të thotë se në tre raundet e para, ekskluzivitetin për të propozuar kandidatë do ta ketë vetëm opozita dhe më pas në të katërtin e të pestin mazhoranca mund të shohë nëse do që të bëjë propozime.

Ervin Salianji, i ftuar në “Radari Informativ” në Abc, të gazetares Juli Xhokaxhi e shikon këtë si një hap të nxituar, ndërsa shprehet se Alibeaj nuk ka asnjë tagër. Sipas tij, demokratët duhet të ulen fillimisht me njëri-tjetrin.

Salianji: Opozita ka minimalisht 63 deputetë që kanë dalë nga votat më 25 prill. Nga këto ka një pakicë me 22, po marrim rastin,  që nuk e plotëson kuorumin për të marrë një vendimmarrje. Nuk e kuptoj si mund të quhet një marrëveshje kur brenda PD është një numër që nuk plotëson kuorumin për zhvillimin e mbledhjes dhe shkon pa asnjë tagër. I ka bërë të gjitha veprimet e nxituara, nuk ka thirrur grupin parlamentar. Sido që ta merrni 52 deputetë ka grupi parlamentar. Çfarë fiton PD nga kjo, çfarë fiton opozita? Pse është ky nxitim për tu ulur me 3 njerëz të PS që PD i ka akuzuar ndër vite dhe nuk ulemi me demokratët?

Deputeti demokrat u shpreh se PD e ka të drejtën të propozojë në të pesta raundet.

Salianji:  Kam kërkuar që ditën e parë që të bëhet një mbledhje e përbashkët, por kemi një nxitim të pashpjegueshëm. PD e ka të drejtën të propozojë në të gjitha raundet. Ky kompleksi që ata që kemi kundërshtarë duhet të na konfirmojnë që jemi opozitë është e tmerrshme. Kjo është të shkatërrosh personalitetin e cilitdo që merr pjesë aty.

Salianji e shikon si një lojë politike të kryeministrit Rama të gjithë procesin për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Në gjykimin e tij, procesi duhet të shfrytëzohet nga vetë demokratët për një bashkim. Presidenti është zgjedhur tashmë nga Rama sipas deputetit demokrat.

Salianji: Rama me përfaqësuesit e vet është në lojën e vet politike dhe ka hedhur një grep. Ka kapur ai, këtu, ka peshkuar dhe ka kapur një pakicë që po lufton për interesat e veta. PD e ka të drejtën të propozojë në çdo raund. Rama të gjithë fokusin nga emrat e vet që do t’i zgjedhë do thotë se “shiko propozuan ata 3-4 po këta s’janë dakord vetë, a s’janë më të mirë këta.” Kjo është një lojë. Ky proces duhet të shfrytëzohet për tu ulur gjithë deputetët opozitarë. Sot është urgjente që të bashkohen deputetët vetë jo t’i zgjedhin presidentin Ramës. Presidentin e ka të zgjedhur ai. Gjithçka që thuhet në këtë sulm politik vetëm i jep peshë atij që sulmohet. Për ne është më mirë të ulemi me Ballën që e kemi akuzuar apo me Luçiano Boçin që është deputet i kësaj PD-je? Çfarë sensi ka kjo? Kjo është një lojë politike e Ramës, por PD nuk duhet të bjerë në grackë. Nuk e kuptoj çfarë është ky nxitim për tu ulur me këta.

Salianji konfirmoi dhe një herë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është e mbyllur. Sipas tij, i gjithë procesi është një farës për të zhvendosur vëmendjen nga problemet aktuale që ka Shqipëria.

Salianji: Është e mbyllur ajo, dukej nga tallja e sotme. Për çfarë të shkoj në raundin e katërt, ai e ka zgjedhur. Kjo është një farsë për të hequr vëmendjen nga problemet që ka Shqipëria.

Salianji u ndal dhe te situata politike brenda Partisë Demokratike e cila vijon të jetë e përçarë. Vula ende është në Apel.

Salianji: Duket që ka mosdakordësi. Duket se po tentojnë të bëjnë këtë gjë ose të jesh me një palë ose me një tjetër. S’kam ndonjë palë, interesi im është interesi i PD. Nëse dikush në këtë rast ishte Boçi që këkronte që zgjedhja të bëhej me vonesë, nëse bëni një gjë që më përfshini dhe mua do mbaj anën e asaj që është e drejtë.

Por çfarë ndodh  me PD nëse apeli i jep të drejtë Alibeajt? Kush do quhet PD? Salianji u shpreh se po përpiqet që PD mos të ndahet.

Salianji: Këtë do duhet ta them. Personalisht dhe një grup kolegësh po bëjnë çdo gjë që PD të mos ndahet. Njerëzit s’ndahen dot me vendim gjykate. Duhet të ketë një situatë ku të gjithë të jenë të përfshirë. Nuk është situatë e lehtë. Do bëjmë çdo përpjekje që t’ja dalim. Ata që do krijojnë parti për interesa personale do dimë t’i bëjmë përgjegjës. Do bëjmë çdo gjë që PD të jetë një./abcnews.al