Prej muajsh, SPAK-u po heton aferat korruptive në Bashkinë e Tiranë, dhe në kuadër të këtyre hetimeve GJKKO-ja lëshoi dje 9 masa sigurie për zyrtarët e Bashkisë së Tiranës, mes të cilëve edhe drejtorë të rëndësishëm.
GJKKO-ja dha masën e sigurisë arrest me burg për Mariglen Qaton, ish-drejtor i Shërbimeve Mbështetëse pranë UKT-së Tiranë dhe Redi Molla, ish-drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë.
Ndërkohë, SPAK-u ka lëshuar një tjetër urdhër-arresti për Taulant Tushën. Ky i fundit, ndodhet pas hekurave për aferën në inceneratorin e Tiranës, ndërsa urdhër-arresti i fundit vjen në kuadër të dosjes “5D” – 5 Drejtorët.
Masat e vendosura nga GJKKO-ja:
Arrest me burg: Mariglen Qato, Redi Molla, Taulant Tusha.
Detyrim paraqitje: Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere, Deborah Keçi.
SPAK-u ka prova edhe për Eglantina Zeren, e cila në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k.”, e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k., duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fituese në mënyrë të parregullt.
Kjo e fundit ka pasur komunikime edhe me Nestor Muhamellarin, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tenderë e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.
Po kështu,Deborah Keçi, si titullare e Klubit Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S. Konstruksion sh.p.k.” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k., duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fituese në mënyrë të parregullt.
Ajo ka pasur komunikime me biznesmenin Muhamellarin, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tenderë e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k., duke i dhënë titullarit të autoritetit kontraktor, shtetasit N.M., user-at e anëtarëve të KVO-së.
Nga hetimet e SPAK-ut rezultoi se Redi Molla dhe Mariglen Qato janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion”.
Pra, dy drejtoreshat, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi, kanë bashkëpunuar Qaton dhe Mollën për t’u dhënë tenderë.