Të tjera të dhëna kanë dalë pas hakerimit të sistemeve të policisë dhe sistemit TIMS nga hakerat iranianë.
Paraprakisht bëhet me dije se kemi të bëjmë me të dhënat e sistemit MEMEX të Policisë së Shtetit.
Janë dhjetëra dokumente me emra dhe foto shqiptarët, ku në fund të çdo faqe të secilit dokument shkruhet “Albanian suspects”. Pra, “shqiptarët e dyshuar”.
Ndërkohë albeu.com ka arritur të sigurojë një foto të biznesmenit të shumëkërkuar nga SAPK, Ervis Martinaj.
Nisur nga pamja dhe tiparet, krahasuar me fotot e fundit të “mbretit të kumarit”, bëhet fjalë për një imazh të viteve më parë, kur Ervis Martinaj është skeduar për herë të parë nga Policia.
Në dhjetëra dokumentet e publikuara sot nga hakerat, ka mijëra emra të personave të skeduar nga Policia shqiptare për vepra të ndryshme të kundërligjshme. Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se të dhënat lidhen pikërisht me sistemin MEMEX, me 105 mijë emra të skeduar.
Kujtojmë se Martinaj rezulton i zhdukur prej 2 muajsh dhe ende nuk ka asnjë gjurmë të tij. Policia po heton në dy pista kryesore, atë të eliminimit të tij dhe në atë të një inskenimi të mundshëm./albeu.com/