Elon Musk, manjati i teknologjisë, do të ketë një rol drejtues në një program të ri të Pentagonit që synon të shqyrtojë të ardhmen e luftës dhe teknologjive ushtarake, bëri të ditur të mërkurën Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës së tij para personelit ushtarak në bazën e Trupave të Marinës në Quantico të Virxhinias, Hegseth tha se Musk dhe sipërmarrësi i dronëve Palmer Luckey do të përfshihen në grupin drejtues të nismës, të quajtur Projekti Meridian.
Pentagoni pret që programi të paraqesë gjetjet e tij brenda 120 ditëve. Sipas Hegseth, qëllimi është që të shqyrtohen në mënyrë krijuese zhvillimet e ardhshme dhe të identifikohen fushat ku ushtria e SHBA-së duhet të investojë, si dhe kapacitetet që duhet të ndërtojë.
Një nga pikat qendrore të programit do të jetë lufta autonome, e cila përfshin përdorimin e sistemeve të armëve dhe inteligjencës artificiale të afta për të identifikuar objektivat dhe për të kryer sulme me ndërhyrje të kufizuar njerëzore ose fare pa të.
“Ne duhet të shikojmë përpara për të arritur dominim teknologjik dhe ushtarak në fushën e betejës në dekadat e ardhshme”, tha Hegseth.
Sekretari i Mbrojtjes njoftoi gjithashtu krijimin e një strukture të re, Komandës Autonome të Operacioneve të Luftës, e cila do të drejtohet nga një gjeneral dhe do të ketë për detyrë zgjerimin e përdorimit të sistemeve autonome dhe robotike në të gjitha forcat e armatosura të SHBA-së.
Përdorimi i inteligjencës artificiale në armatimet autonome është bërë një çështje tejet e diskutueshme pas përplasjes së fundit mes Pentagonit dhe kompanisë amerikanike të AI-së, Anthropic.
Kompania ka refuzuar që teknologjia e saj të përdoret për armë autonome ose për mbikëqyrje masive të qytetarëve amerikanë, ndërsa Pentagoni ka këmbëngulur se duhet të ketë mundësi ta përdorë inteligjencën artificiale për çdo qëllim të ligjshëm.
Më tej, Pentagoni e cilësoi Anthropic si një rrezik për zinxhirin e tij të furnizimit.
Elon Musk është gjithashtu thellësisht i përfshirë në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës. Kompania e tij xAI zhvillon sistemin Grok, ndërsa Tesla, e drejtuar nga Musk, po zgjeron zhvillimin e robotëve humanoidë Optimus.
Projekti Meridian ishte vetëm një nga nismat e prezantuara nga Hegseth. Ai konfirmoi gjithashtu planet për të ulur me rreth 20% numrin e vendeve të oficerëve të lartë.
Po ashtu, ai njoftoi një iniciativë që do t’u mundësonte instalimeve kryesore ushtarake të SHBA-së të prodhojnë vetë energjinë elektrike, në rast të ndërprerjes së furnizimit nga rrjeti civil.
Hegseth tha se presidenti Donald Trump dëshiron të krijojë një bazë të re ushtarake në SHBA dhe u bëri thirrje shteteve të paraqesin propozime për të pritur një forcë prej 15,000 deri në 25,000 trupash.
