Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi në intervistën e mbrëmshme për televizionin e Kosovës T7 deklaroi se vendimi për dorëheqje të ministrave nga radhët e BDI-së janë në funksion të integrimeve të Maqedonisë së Veriut në BE.
Grubi deklaroi se me vendimin për deponim të dorëheqjeve nga ana e ministrave, BDI ia hapi rrugën opozitës maqedonase të votojë “për” ndryshimet kushtetuese.
Grubi tha se me vendimin të cilin dje e kumtoi lideri partiak, Ali Ahmeti, BDI heqë dorë edhe nga premtimi i dhënë në zgjedhjet e fundit parlamentare për kryeministër shqiptar në Maqedoni të Veriut, dhe atë e bën “për të mirën e qytetarëve dhe në dobi të integrimit në BE”.
“Nëse ne shkojmë në opozitë, me ç’rast opozita (VMRO-DPMNE) do t’i votonte ndryshimet kushtetuese, për çka nevojiten dy të tretat në Kuvend, ne kemi thënë se për të ardhmen e vendit tonë jemi të gatshëm të heqim dorë edhe nga qeveria e përkohshme edhe nga kryeministri shqiptar edhe nga mandatet tona. Nga gjithçka që është marrëveshje politike e koalicionit, ne heqim dorë, nën kushtin që opozita maqedonase t’i votojë ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Grubi për T7.
Anëtari i kryesisë së BDI-së përkujtoi se kusht i liderit të VMRO-DPMNE-së opizitare, Hristian Mickoski që ajo parti të votojë për përfshirje të pakicës bullare në Kushtetutën e vendit ishte “dalja e BDI-së dhe shqiptarëve nga qeveria e vendit dhe formimi i një qeverie monoetnike” mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.
“Është e ditur se para dy muajve pati takim mes kryeministrit (Dimitar) Kovaçevski dhe liderit opoziotar, z. Mickoski, me ç’rast Mickoski theksoi se kusht i vetëm i VMRO-DPMNE-së opozitare për t’i votuar ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për vazhdimin e rrugës sonë evropiane, është dalja e BDI-së dhe shqiptarëve nga qeveria e vendit dhe formimi i një qeverie monoetnike i dy partive kryesore maqedonase, VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Do të thotë, opozitës nuk i pengon prëfshirja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës, nuk i pengon asgjë tjetër, por i pengon shqiptarëtë jenë në qeveri dhe i pengon barazia mes maqedonaseve dhe shqiptarëve”, tha Grubi.
Vendimi për dorëheqjet e ministrave, shtoi zëvendëskryeministri i parë, nuk është i papritur, sepse “përcaktim i z. Ahmeti dhe i BDI-së për integrim të plotë të Maqedonisë së Veriut në BE nuk është i sotëm, nuk është i djeshëm, por është aktual që nga themelimi i partisë”.
Grubi theksoi se në rast të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, BDI u bën thirrje të gjitha partive të tjera shqiptare me qëndrime proevropiane të bashkohen në një front politik proevropian.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dje kumtoi se ministrat nga radhët e partisë së tij kanë dhënë dorëheqje nga funksionet, të cilat do të jenë efektive pasi që VMRO-DPMNE t’i votojë ndryshimet kushtetuese.
“Ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e BDI-së dhanë dorëheqje nga funksionet të cilat i kryejnë për momentin. Dorëheqjet, z. kryeministër, automatikisht janë efektive në momentin kur opozita të votojë për ndryshimet kushtetuese”, qëndron në kumtimin e Ali Ahmetit në Fejsbuk.
Vendimin e këtillë e paralajmëroi dje ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetar i BDI-së, Bujar Osmani, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve për ndryshimet kushtetuese.
“Të gjitha kërkesat e tyre i pranuam. Kërkuan BDI të dalë nga Qeveria. Qëndrimi i BDI-së është i qartë, vendimi do të aktivizohet ditën kur VMRO-DPMNE do të votojë. Madje mund ta nënshkruajmë sot me veprim të shtyrë dhe kjo të hyjë në fuqi ditën kur VMRO-DPMNE të votojë për ndryshimet kushtetuese”, tha Osmani në takimin me gazetarët.