Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, është shprehur se ka rreth 2 muaj pa e takuar bashkëshortin e saj, presidentin Volodymyr Zelensky.
Gjatë një interviste të dhënë së fundmi, ajo ka treguar se se nuk e ka parë bashkëshortin e saj që nga fillimi i luftës.
Duke folur për gazetën polake “Rzeczpospolita”, ajo tha se e kishte ndjekur presidentin Zelensky ashtu si të gjithë të tjerët gjatë fjalimeve të tij të transmetuara në media.
Zelenska tha se konflikti nuk e ka ndryshuar bashkëshortin e saj pasi theksoi se ai gjithmonë ka qenë i tillë, një njeri tek i cili të gjithë mund të mbështeten. Duke i bërë jehonë komenteve të presidentit, ajo akuzoi Rusinë për komplot për të kryer gjenocid, diçka që Rusia e ka mohuar me forcë. Sidoqoftë, sipas Zonjës së Parë të Ukrainës, ajo gjykon qëllimet reale të rusëve jo me deklarata, por me veprime.
“Ajo që trupat ruse po bëjnë në Ukrainë çon drejtpërdrejt në përfundimin se rusët po përpiqen të shkatërrojnë plotësisht ukrainasit. Ky është qëllimi i tyre i vërtetë. Ky përfundim më vjen në mendje kur shoh shkatërrimin e Mariupolit, nga i cili nuk u lejua asnjë evakuim i sigurt nga korridoret humanitare apo kur shoh bombardimin e ndërtesave të banimit në Kharkiv, Chernihiv, Odessa, stacionin hekurudhor Kramatorsk, që vrau më shumë se 50 persona që donin të largoheshin nga vendet më të qeta dhe më të sigurta në Ukrainë ”, theksoi Zelenska.