Greqia nuk hapi kufijtë, shqiptarët ngrihen në protestë: Mos na refuzoni shtëpinë tonë!

Komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Greqi ka paralajmëruar se do të mbajë një protestë ditën e sotme për hapjen e kufijve me Shqipërinë.

Ky vendim vjen në një kohë ku autoritetet greke vijojnë të shtyjnë hapjen e kufijve dhe mbajtjen në fuqi të masave kundër covid-19, ku parashikohet që në dogana të kalojë vetëm një numër i kufizuar personash.

Me anë të një njoftimi ata bëjnë të ditur se protesta do të jetë paqësore, e që qeveria greke të hapë kufijtë.

Reagimi i komunitetit të emigrantëve:

Protestë paqësore në Sintagma për hapjen e kufijve: 08/06/2021, ora 18:00
Hapni tani doganat! Mos na refuzoni shtëpinë tonë! Edhe një herë tjetër si emigrantë shqiptarë dhe qytetarë të Greqisë ndjejmë nevojën kaq shumë të kemi një Zë të lartë, të fuqishëm dhe të fortë…!

Përse qeveria greke mban mbyllur kufirin me Shqipërinë dhe ka kufizuar në mënyrë asfiktike numrin e hyrjes në Greqi, ndërkohë që me shtetet e tjera ndodh krejtësisht e kundërta?Përse ky dallim të bëhet vetëm me shqiptarët dhe i detyron ata të gjejnë zgjidhje të tjera?Përse në këtë moment kur kufizimi i hyrjeve ndëshkon edhe vetë fermerët grekë të cilët janë në pritje të mijëra punëtorëve të kualifikuar sezonalë që vijnë nga Shqipëria?Përse ky dallim edhe ndaj minoritarëve grekë ?

Përse duhet të “ndëshkohen” me mijëra biznese nga të dy anët e kufirit të cilët kontribuojnë në ekonominë e vendit?
Ju bëjmë thirrje të gjithëve pa përjashtim dhe dallim, të mblidhemi më 8/06/2021 në sheshin “Sintagma” të kërkojmë të drejtat tona në mënyrë Demokratike në një protestë Paqësore.

Të dëgjohet zëri ynë nga qeveria greke, të cilës ne i bëjmë thirrje të rishikojë qasjen e padrejtë ndaj nesh, qytetarëve të saj, pasi vazhdon me penalizmin duke mbajtur mbyllur pikat doganore dhe kështu na privohet një e drejtë themeltare për të udhëtuar drejt vendlindjes dhe anasjelltas në vendin ku kemi zgjedhur të jetojmë dhe ndërtuar jetën tonë, Greqi!I bëjmë thirrje çdo qytetari, bashkatdhetari, intelektuali, organizate, shoqate etj, të organizohemi dhe të protestojmë në mënyrë demokratike, pasi nga qeveria shqiptare nuk kemi patur asnjëherë mbështetje!Mos mungoj askush, të gjithë së bashku më 8/06/2021 në sheshin “Sintagma”! 18:00


Shtuar 7.06.2021 19:09