Goditet grupi kriminal, tregtonin kokainë nga Shqipëria drejt Italisë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka bërë hetime instesive, ku ka provuar me prova veprimtarinë një grupi kriminal, i cili merrej me trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Tashmë nga hetimet është provuar tregtimi i një sasie prej më shumë se 120 kilogramë kokainë, 15 kilogramë heroinë shumë e pastër, si dhe 129 kilogramë marijuanë e 92 kilogramë hashash, të sekuestruara në Itali, në disa episode të ndryshme.

Sipas SPAK, veprimtaria kriminale e këtij grupi, është zhvilluar për periudhën kohore nga viti 2015 dhe në vazhdim ku është zhvilluar në Shqipëri kryesisht në Durrës, si dhe në qytete të ndryshme në Itali, si në Bergamo, në Breshia, në Milano, në Torino etj, vende ku është kryer transportimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike.

Gjithashtu, janë sekuestruar tre shoqëri tregtare dhe asetet e tyre, katër aktivitete të tjera tregtare, anije peshkimi, automjete, 5 (pesë) pasuri të paluajtshme të llojit “Njësi”, një apartament dhe një garazh. Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme kapin vlerën e rreth 1,000,000 euro.

Njoftimi i SPAK: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.49 viti 2019, që bën fjalë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 283, paragrafi (1), si dhe nenet 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Ky procedim penal është hetuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me Prokurorinë e Bergamos, në Itali, e cila është mbështetur nga Eurojust, Europol, si dhe është mbështetur në mënyrë të vazhdueshme nga ana financiare nga Projekti IPA/2019 “Lufta kundër krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor”.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në Itali dhe në Shqipëri është bërë e mundur që të zbulohet një grup kriminal që ka vepruar në Itali dhe në Shqipëri, që ka patur si qëllim tregtimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe marijuanë.

Nga veprimet hetimore është bërë e mundur të provohet tregtimi i një sasie prej më shumë se 120 kilogram kokainë, 15 kilogramë heroinë shumë e pastër, si dhe 129 kilogramë marijuanë e 92 kilogramë hashash, të sekuestruara në Itali në disa episode të ndryshme.

Veprimtaria kriminale e këtij grupi është zhvilluar për periudhën kohore nga viti 2015 dhe në vazhdim dhe është zhvilluar në Shqipëri kryesisht në Durrës, si dhe në qytete të ndryshme në Itali, si në Bergamo, në Breshia, në Milano, në Torino etj, vende ku është kryer transportimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike.

Nga hetimet e përbashkëta janë mbledhur provat e nevojshme nga të cilat provohet se ky grup kriminal është krijuar dhe është drejtuar nga të pandehurit Gernard Beu, Emirjan Beu dhe Braniol Liço, të cilët kanë koordinuar veprimet midis tyre për drejtimin e grupit kriminal. 

Ndërsa, si pjesëmarrës në këtë grup kriminal që kanë bashkëpunuar me drejtuesit e grupit dhe me njëri tjetrin, janë identifikuar 18 persona të tjerë, të cilët në vënde dhe në periudha të ndryshme, kanë kryer aktivitetin e tregtimit të lëndëve narkotike.

Në përfundim të hetimeve paraprake të pandehurit Braniol Liço, Gernard Beu dhe Emirjan Beu janë akuzuar se kanë kryer veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 283, paragrafi (1), si dhe nenet 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Të pandehurit Florid Vukaj, Lulzim Selimi, Dhimitër Nina, Dorian Beu, Syrjan Tola, Ramazan Grada, Igli Lala, Saimir Prenga, Rexhep Dallupi, Enkeleda Bakalli dhe Gjergji Luli, janë akuzuar se kanë kryer veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 283, paragrafi (1), si dhe nenet 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Ndërsa të pandehurit Alfred Luli, Ilir Duro, Françesko Çeçi, Lorik Prengaj, Gjergj Zefi, Renato Zefi dhe Eledjo Dedej, janë akuzuar se kanë kryer veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Gjatë hetimeve paraprake lidhur me këtë procedim penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimet nr.395 akti datë 05.10.2023 dhe nr.414 akti datë 18.10.2023 ka vendosur masën e sigurimit “Sekuestro preventive” ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në zotërim direkt dhe indirekt të drejtuesve të grupit kriminal, të pandehurve Braniol Liço, Gernard Beu dhe Emirjan Beu.

Mbi bazën e dy vendimeve gjyqësore të mësipërme janë sekuestruar 3 (tre) shoqëri tregtare dhe asetet e tyre, katër aktivitete të tjera tregtare, anije peshkimi, automjete, 5 (pesë) pasuri të paluajtshme të llojit “Njësi”, një apartament dhe një garazh.

Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme kanë një vlerë rreth 1,000,000 (Një milion) Euro dhe sekuestrimi i tyre është kryer me arsyetimin se vlera e tyre iu korespondon vlerës së produkteve të veprës penale, të cilën të pandehurit kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal.

Në datën 11.12.2023 Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.49 viti 2019 në ngarkim të të pandehurve të mësipërm me akuzat e tyre respektive”, thuhet në njoftimin e SPAK.

 


Shtuar 16.12.2023 12:58