Gledis Nano njofton raund të dytë për testin e drogës, zbulon dhe masat e marra për Kuvendin e Berishës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, në një prononcim për media, ka njoftuar se do të ketë edhe një raund të dytë të analizave të punonjësve të policisë që rezultojnë përdorues të lëndëve narkotike. Ai tha se sapo të mbarojë procesi, Policia do të dalë me një informacion zyrtar.

“Analizat janë zhvilluar në raundin e parë dhe në do të zhvillojmë përsëri analiza mjekësore. Në përfundim të këtij procesi do keni informacion zyrtar nga policia e Shtetit. Kriteri është grupmosha me risk dhe të gjithë sektorët që janë me risk”, tha Nano.

Nano ka folur dhe në lidhje me masat që janë marrë për ditën e nesërme, për Kuvendin Kombëtar të PD-së të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili do të mbahet në stadiumin “Air Albania”.

“Nesër policia është në gatishmëri e cila do të ruajë rendin dhe qetësinë publike për të garantuar rendin dhe sigurinë. Policia është e drejtuar me qasje dhe informacione nga institucione të tjera të inteligjencës do të merren masa në lidhje me këtë aktivitet”, u shpreh Nano./albeu.com