Kush janë personat që Naile Nela, akuzoi dhe vendos ende gishtin e akuzës për vrasjen e të birit. Pse është e bindur që vrasësi është Kastriot Gjuzi, vëllai i Ilir Gjuzit, të vrarë në vitin 2000 nga babai i Marios, Avni Majollari, në krimin e dyfishtë ku mbeti i vrarë edhe Armand Nela?
Kastriot Gjuzi i cili nuk u gjet në banesë nga policia pas vrasjes së Marios, por që u arrestua vetëm një javë më pas nga policia kufitare, teksa po përpiqej të kalonte ilegalisht kufirin Shqipëri-Kosovë.
Naile Nela- nëna e Mario Majollarit
“Edhe këtë që e kanë gjurmuar me makinë nuk ma ka thënë Mario, ai nuk më thoshte asgjë, këtë ma ka thënë vajza. Kur kishte ardhur në shtëpi Mario ai ishte zverdhur, e kishte pyetur vajza edhe ia kishte treguar. Ai nuk fliste, ishte natyrë e mbyllur, nuk tregonte. Unë ta kisha ditur kisha ikur brenda 24 orëve.
Kastriot Gjuzi, ai që bëri vrasjen, një rast që di të tjerat nuk i di. Ai kishte diçka derisa arriti të ikte, se nuk ikte ai, ku t’ju lej juve të dyjave më thoshte. Problemi ishim ne të dyja, sidomos Xhesi.
Ai kishte aplikuar sërish me këto vendet arabe, nuk donte të rrinte këtu. Ai nuk tregonte dhe këtë e vuaj, se nëse do kishte treguar mbase kishim bërë ndonjë gjë tjetër. Motrat e mia iu lutën që të qëndronte në Itali, po iu tha që boll kishin bërë për ne, do ecim vetë. Ishte njeri që nuk donte t’i binte njeriu në qafë, donte të ecte vetë.
Asnjëherë nuk më ka shprehur, vetëm rrinte në shtëpi, nuk lëvizte, s’ka dalë. Ai ka filluar të dalë kur u kthye nga vendet arabe, pak, nuk dilte shumë. Edhe kur dilte, dilte me Xhesin, ishte Xhesi ajo që e merrte. Nuk është se dilte shumë”.
Fill pas vrasjes së Marios, krahas autorit të dyshuar të ngjarjes, policia mori në pyetje edhe dëshmitarë të tjerë që mund të jepnin detaje të rëndësishme për vrasjen.
Një ndër këta persona do të oshte edhe shoku i tij, Eljon Pirani. Ai që do të konsumonte edhe kafenë e fundit me Marion. Ai që ndjeu edhe krismat e armës, vetëm pak minuta pasi Mario la lokalin ku ndodheshin së bashku atë mbrëmje.
Eljon Pirani- Shoku i Mario Majollarit
“Mario Majollari kishte vetëm disa muaj që kishte ardhur në Shqipëri, pasi kishte qenë në Suedi. Atë natë shkova në lokal dhe aty gjeta edhe Marion, i cili po pinte kafe dhe ishte ulur vetëm. Unë u ula para tavolinës së Marios, hapa kompjuterin dhe fillova të luaja një lojë. Mario u ngrit dhe erdhi te tavolina ime dhe vazhduam të dy lojën në kompjuter. Kemi luajtur rreth 20 minuta dhe më pas Mario më tha se do ikte sepse kishte një punë. Pas 15 minutash kam dëgjuar tre krisma, por nuk u dhashë rëndësi. Pas disa minutash erdhi policia dhe dola tek dera e lokalit për të parë së çfarë kishte ndodhur. Aty mësova nga mediat se Mario ishte vrarë. Unë njihesha prej vitesh me Marion, por nuk e di nëse kishte pasur konflikt.”
Një nga dëshmitarët e parë që e gjeti i pari trupin e pajetë të Marios të plandosur nga plumbat në rrugë, ishte komshiu i tij Sabri Alldervishi.
Ai që rrëfeu për policinë se pavarësisht se doli shpejt nga lokali për të parë nga vinin të shtënat me armë, nuk mundi të shquajë asnjë person të dyshimtë.
Sabri Alldervishi
“Gjatë kohës që po pija kafen në një lokal në Kinostudio kam dëgjuar të shtëna. Menjëherë jam çuar nga lokali dhe kam shkuar në drejtim të shtëpisë time, pasi të shtënat u dukën sikur ishin nga atje. Rrugës kam parë kufomën të shtrirë përtokë. Kam marrë në telefon 129 në orën 20:05 dhe u kam thënë që është një person i shtrirë në tokë. Pasi ka ardhur policia së bashku kemi shkuar te viktima. Kur e kam parë nuk e njoha kush ishte, por më vonë mësova që ishte komshiu im Mario Majollari. Unë nuk di gjë nëse Mario ka pasur konflikt me ndonjë, për mua ai ishte djalë i mirë dhe i urtë. Kur kam dalë nga pallati nuk kam vënë re asnjë person të dyshimtë”.
Edhe pse një ndjenjë e fortë ligështie e kaploi menjëherë, motra e Mario Majollarit, nuk do ta besonte se trupi që dergjej vetëm pak metra larg shiritit të vendosur nga policia, do të ishte i vëllait të saj.
Ndërkohë që në dëshminë e saj përpara hetuesve, ajo përmendi dyshimet mbi autorët e vrasjes, që lidheshin me familjet Gjuzi dhe Nela.
Xhesila Majollari- Motra e Mario Majollarit
“Kur po kthehesha nga dyqani pashë punonjësit e policisë që kishin bllokuar rrugën, mua diçka më kaploi dhe mora në telefon vëllain, Marion, por ai nuk mu përgjigj. Ne si familje kemi hasmëri me familjen e Ilir Gjuzit dhe Armando Nelës pasi këta të dy janë vrarë nga babai im më 19.11.2000. Për këtë gjë babai im u dënua me burgim të përjetshëm. Unë kam dyshime se familjarët e dy viktimave mund të kenë vrarë vëllain tim. Kam dyshime për shtetasin Petrit Gjuzi dhe Ervin Nela si dhe djemtë e viktimës Ilir Gjuzi, emrat e të cilëve nuk i di. Ne si familje kemi pasur frikën e hakmarrjes dhe ruheshim nga emrat që përmenda. Ne kemi dëgjuar nga banorë të ndryshëm se këta persona mund të hakmerren pasi herë pas herë janë parë në afërsi të banesës tonë. Këto shqetësime mi ka shprehur edhe Mario përpara rreth një viti.”
Kujtimi i Marios, atë ditë të fundit të tij në jetë, ka mbetur i freskët edhe sot te nëna e tij. Ndërsa momenti i mësimit të lajmit për humbjen e të birit do të mbetet për të një gjëmë e zezë, si për çdo nënë që humb fëmijën.
Naile Nela- nëna e Mario Majollarit
“Si nuk e mbaj mend. Isha në punë, erdhën e më morën të iknim në Kombinat te motra, sepse kishte motra ditëlindjen. Kur u kthyem unë zbrita bëra disa pazare. Ai erdhi la makinën edhe erdhi prapë tek unë. Erdhëm të dy në shtëpi. Pastaj më tha se do dilte 2 sekonda tek bilardoja dhe do vinte. Në atë kohë erdhi Xhesi nga shkolla se bënte masterin. Më tha ku është Mario. I thashë te bilardoja dhe më pas ajo doli se kishte lënë takim për flokët. I dëgjova zhurmat po mu dukën si shashka. Nuk më shkoi mendja kurrë se do t’i kishte ndodhur Marios ajo gjë. Në këtë moment vjen një komshia ime më thotë se Xhesi po qan. Mendova se e kishte ngacmuar ndonjë djalë dhe prapë edhe kur zbrita nuk e pash kufomën e Marios. Shkova direkt tek Xhesi. Më tha se kishin vrarë Marion. Ku e di ti i thashë, më tha i bie telefonit. Në atë kohë vjen njëri nga oficerët e policisë, Xhesi vetëm insistonte në telefon”.
Naile Nela kujton edhe zemërgjerësinë e të birit që pavarësisht se ndihej i kërcënuar dhe në nevojën për t’u larguar sa më shpejt nga Shqipëria, bëri edhe gjestin e tij të fundit bujar ndaj familjes pa e ditur se pas disa orësh një dorë gjakftohtë do të shkrepte armën për ta ndarë nga ta. Siç tregon nëna e tij, ai i dha një sasi parash për shkollën e së motrës.
Naile Nela- nëna e Mario Majollarit
“Ishte shumë i acaruar, shumë nevrik, Mario si natyrë nuk ishte.
Ai ua vinte fajin rrugëve, ka shumë njerëz thoshte. Kishte folur me një agjenci dhe do të ikte prapë. Unë do paguaja këstin tjetër të masterit të Xhesit, edhe Mario më dha 900 euro dhe më tha nëse më duhen do të t’i marr, por nuk arriti”.
Naile Nela thotë se Mario ndiqej vazhdimisht nga hasmi i tyre, Kastriot Gjuzi për të cilin vazhdon të insistojë se është ai vrasësi i të birit.
Bindje që e ka krijuar edhe pas veprimeve që autori i dyshuar prej saj, kreu fill pas ngjarjes së vrasjes së Marios, ku Kastriot Gjuzi që mban edhe emrin Petrit Gjuzi tentoi të kalojë malin në këmbë drejt Kosovës.
Ndërkohë që policia në atë kohë kishte bindjen e fortë që ai ishte vrasësi i Mario Majollarit dhe se u ndihmua nga dy persona të tjerë për t’u larguar nga vendngjarja.
Naile Nela- nëna e Mario Majollarit
“Nga Kastriot Gjuzi, i ka parë shumë mirë, edhe Mario është fshehur, është futur në një rrugicë tjetër për të marrë hakun e të vëllait. Vëllanë e kishte vrarë i ati Marios, këtë dimë nga sa është fol, se unë nuk i di, kam qenë jashtë kësaj historie bashkë më fëmijët e mi. Kam parë punën time, fëmijët e mi.”
Në lidhje me dyshimet e nënës së Marios, mbi autorësinë e ngjarjes së vrasjes së të birit, policia në mungesë të Kastriot Gjuzit, i cili nuk gjendej në banesë, mori në pyetje edhe familjarë të tij.
Një ndër personat e parë që u pyet ishte edhe një nga djemtë e Ilir Gjuzit, të vrarë në vitin 2000 nga babai i Marios, Avni Majollari.
Rigers Gjuzi- Djali i Ilir Gjuzit
“Unë në shtëpi banoj më xhaxhin tim Petrit Gjuzi, me gjyshin Besim Gjuzi, me gjyshen, me nënën, motrën dhe me vëllain tim Amarildo. Rreth orës 21:30 në shtëpinë time kam gjetur policinë, të cilët më kanë thënë që kishin ardhur për kontroll. Më pas më kanë shoqëruar për në Komisariatin e Policisë. Unë Marion nuk e njoh personalisht, por njerëzit e shtëpisë time më kanë thënë se Avni Majollari ka vrarë babain tim. Unë nuk kam hasmëri apo konflikte me Marion dhe Avni Majollarin, pasi ia kam lënë shtetit të merret me ta. Nuk kam dijeni se kush mund ta ketë vrarë Mario Majollarin.”
Po kështu policia shoqëroi për të marrë në pyetje edhe pjesëtarë të familjes Nela.
Midis tyre edhe vëllain e viktimës, Armand Nela, të vrarë nga Avni Majollari në krimin e dyfishtë të nëntorit 2000.
Grafikë Ervin Nela- Vëllai i Armand Nelaj
“Mario Majollarin e njoh si fytyrë, ndërsa mamanë e tij Nailen, babai im i ndjerë e ka gocën e djalit të xhaxhait. Unë nuk kam dijeni lidhur me këtë ngjarje. Babai i Mario Majollarit, Avni Majollari në vitin 2000 ka vrarë me armë zjarri vëllain tim Armand Nelën.”
Ashtu siç pritej, asnjë nga pjesëtarët e familjeve Gjuzi dhe Nela, nuk pranuan të kishin dijeni për vrasjen e Mario Majollarit.
Ndërkohë që ajo që shokoi familjen ishte se si Kastriot Gjuzi, një prej të dyshuarve për këtë vrasje, pavarësisht se ishte arrestuar në arrati e sipër, u lirua vetëm disa kohë më pas nga drejtësia.
Madje sipas nënës së Marios, drejtësia nuk mori parasysh as faktin që në familjen e Kastriot Gjuzit, atë ditë ishin hequr të gjitha kamerat e sigurisë që mund të jepnin një panoramë më të qartë të lëvizjeve të fundit që ai kishte kryer.
Ashtu sikurse çdo prind që humb fëmijën e tij, edhe Naile Nela thotë se do të kërkojë drejtësi deri në frymën e fundit për të birin. Pavarësisht se kjo ditë duket e largët për Marion e saj.
Naile Nela- nëna e Mario Majollarit
“Për mungesë provash, kështu më thanë. Në gjyqin ku shkova, ishte prokuror Avni Kraja. Nuk ishte gjetur arma e krimit. Kush është ai kriminel që kapet me armë në dorë 9 ditë pasi ka bërë krimin. Ai nuk u dënua jo vetëm për krimin, por as për falsifikimin e dokumentit. U kap me dokumente false, e ka kapur rastësisht policia e Kosovës. Nuk kanë marrë asnjë dëshmi. Thjesht nuk është gjetur arma e krimit edhe kaq.
I kërkova të shqyrtonte të gjitha provat, sepse makina aty ishte e ngrohtë, kamerat e shtëpisë ishin hequr, kur ndërkohë një njeri që nuk ka bërë krimin përse duhet të ikte, kishte frikë. Të tjerët nuk ikën, vetëm ai. Pastaj dëshmia e gruas së Kastriotit dhe dëshmia e tij janë kontradiktore. Nuk e di çfarë vendimi mund të marrësh kur nuk merr asnjë dëshmitar.”
Pengu i një nëne për të birin e marrë nga plumbat është se nuk e pa të veshur dhëndër.
Naile Nela- nëna e Mario Majollarit
“Unë punoja në spital në kuzhinë, ai merrte turnin e dytë. Ishim në Babrru aso kohe, me shtëpi. Ai ishte i vogël, edhe më thoshte rrugës: o ma u lodha. I thosha ja dhe pak se arritëm. Ai u bë krah për të gjithë ne, ne jemi gjashtë motra. Motrat e mia nuk e konsideronin Marion nip, ato e kishin vëlla. I thoshin Mario na gjej një nuse tani që jemi të reja, jo kur të bëhemi plaka që të kërcejmë te dasma jote. Ato e qajnë ende sot, pse duhet t’i bëjmë varrin Marios, kur duhet t’i kishim bërë dasmën. Nuk e meritonte Mario atë. Nuk ka asnjë nënë që të thotë për fëmijën e vet, por kur fëmija është në një rrugë të keqe do s’do e pret, të dhimbset, të dhemb, por ai jo. Unë i kam ndjekur të gjitha rrugët ligjore, por nuk e mendoj që do të vihet drejtësia. Në këtë shtet jo. As nuk e çoj ndër mend. Gjer sa të kem frymën gjallë unë do t’i ndjek të gjitha rrugët e drejtësisë. Nuk e di se sa do t’ia arrij, shpresoj, them shpresoj që ta arrij, por nuk e di. Jam shumë në dilemë.
Sa herë shkoj atje, sa herë dal në rrugë, i them pse më le vetëm Mario, pse e dhe shpirtin, të mendonte për mua edhe për Xhesin që po na linte pas.
Gjykatësve iu them të vihen në vendin tim, sikur t’ju ndodhi tek fëmija juaj çfarë do bëni, vetëm këtë gjë iu them.”/bw