Gjykata liroi të akuzuarit për vrasje, deklarata e fortë e babait të Alket Muhajt: Do marr gjakun!

Gjolek Muhaj, babai i të vrarit Alket Muhaj ka bërë një deklaratë të fortë, një ditë pasi Gjykata e Apelit ka liruar nga burgu dy të akuzuarit për ekzekutimin e djalit të tij. Ai ka thënë se nëse nuk ka drejtësi, ai do të bëjë vetëgjyqësi, duke marrë gjakun e djalit të vetëm.

“Kjo është një vrasje e dytë. Drejtësia në Shqipëri qoftë kjo që është. E zvarritën 33 muaj dhe arritën në këtë përfundim sot. Pse e lanë që të zgjatej kaq sa të shkeleshin afatet. Ç’kanë bërë këta. Këtu ka korrupsion të madh. Kush do t’i shihte kriminelët në mes të pyllit? Ka probleme të tjera që i di unë dhe janë të gjitha në dosje.

Nëse gjykata nuk zbaton ligjin do të ketë vetëgjyqësi pastaj. E di unë se çdo të bëj pastaj. Mbase marrim vendim tjetër ne. Fillimisht do t’ia lë gjykatës. Por nëse nuk ka drejtësi unë do marr hakun e djalit. Ma vranë kriminelët djalin e vetëm. Edhe unë gjej armë, njerëz kam sa të duash. Këta duan të kërcasë automatiku si batalion”, ka thënë Gjolek Muhaj.

Ditën e djeshme, Gjykata e Apelit Gjirokastër liroi nga burgu babë e bir, Et’hem dhe Dino Muhaj, të arrestuar në vitin 2018 për vrasjen në atë kohë të Alket Muhajt. Gjykata vendosi që të lirojë dy të akuzuarit, me argumentin se nuk ka prova të mjaftueshme për përfshirjen e tyre në këtë ngjarje.

Et’hem dhe Dino Muhaj u vunë në pranga që në vitin 2018, pas vrasjes së 43-vjeçarit. Alket Muhaj u gjet i vrarë me plumb në kokë në fshatin Rabije. Dyshimet kryesore ishin se Alket Muhaj u vra për shkak të konflikteve të përsëritura me motive pronësie. /report tv


Shtuar 5.06.2021 14:25