Amendamenti që parashikonte ndarjen e 1 milion eurove për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës nuk u miratua nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, gjatë shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026.
Propozimi ishte dorëzuar nga Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Personat e Pagjetur. Në votim, amendamenti mori pesë vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime.
Të lidhura
None found
Kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, sqaroi se synimi i amendamentit ishte sigurimi i fondeve për pajisjet, protezat dhe mjetet e tjera mjekësore të nevojshme për invalidët e luftës.
Haliti tha se propozimi kërkonte që në nenin 6 të projektligjit, i cili lidhet me nenin 32, paragrafi 2, dhe nenin 32a të ligjit bazë, të shtohej një dispozitë për ndarjen e 1 milion eurove për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, kundërshtoi nevojën për një ndryshim të tillë. Sipas tij, çështja është rregulluar tashmë përmes një udhëzimi administrativ të miratuar në mars të vitit 2024 nga Ministria e Shëndetësisë.
Murati shpjegoi se udhëzimi mundëson mbulimin e këtyre shpenzimeve përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe se, për këtë arsye, nuk e konsideron të domosdoshëm amendamentin e propozuar.
Edhe Haliti deklaroi se, bazuar në informacionet e pranuara nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë vitit 2024 janë nxjerrë dy vendime nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Njëri vendim lidhet me personat me statusin e invalidit të luftës, UÇK-së, ndërsa tjetri me invalidët civilë të luftës.
Sipas tij, këto vendime kanë krijuar mundësinë e mbulimit financiar për ndërrimin, mirëmbajtjen dhe vendosjen e protezave, në përputhje me kërkesat individuale të aplikuesve, rregullat dhe procedurat e legjislacionit në fuqi.
Haliti bëri të ditur se, bazuar në raportet për trajtimin dhe rimbursimin, deri tani kanë përfituar 103 persona. Prej tyre, 58 janë invalidë të luftës, UÇK-së, ndërsa 45 janë invalidë civilë të luftës.
Ai shtoi se të gjitha kërkesat për mbulimin e shpenzimeve janë zgjidhur, me përjashtim të një rasti që vazhdon të jetë në shqyrtim. Sipas tij, të gjitha kërkesat e tjera janë mbuluar financiarisht.
Nënkryetari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Mergim Lushtaku, votoi në mbështetje të amendamentit. Ai tha se invalidët e luftës vazhdojnë të paraqesin ankesa për shpenzimet e protezave dhe se nuk është e saktë të thuhet që çdo rast mbulohet plotësisht.
Lushtaku e vlerësoi amendamentin si të arsyeshëm, duke theksuar se ndarja e 1 milion eurove nuk do të kishte ndikim të madh në buxhet. Sipas tij, kjo kategori duhet të marrë më shumë mbështetje nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e cilësoi amendamentin të qëlluar. Ajo tha se invalidët e luftës janë përballur me një realitet të dhimbshëm dhe se shpesh herë kanë siguruar ndërrimin e protezave përmes miqve e shokëve në diasporë.
Haxhiu theksoi se kjo kategori, sipas saj, ka mbetur tërësisht anash nga institucionet e vendit, pavarësisht nevojave për kujdes shëndetësor.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, deklaroi gjithashtu se e mbështet amendamentin. Ai tha se debati për protezat dëshmon dështimin e shoqërisë dhe të institucioneve për ta zgjidhur në mënyrë të përhershme këtë çështje.
Hoti kujtoi se, gjatë pandemisë, kur ishte në qeveri, ishin ndarë mbështetje për grupe të ndryshme të shoqërisë, përfshirë organizatat e dala nga lufta. Ai tha se në vitin 2020 ishte lidhur një marrëveshje me shkrim me Organizatën e Veteranëve të Luftës, me synimin që kjo çështje të institucionalizohej.
Sipas propozimit të përmendur nga Hoti, rastet që kanë nevojë për proteza do të evidentoheshin nga Klinika e Ortopedisë në QKUK, ndërsa do të përcaktohej se cilat ndërhyrje mund të kryhen brenda vendit dhe cilat duhet të realizohen jashtë tij. Shpenzimet do të përfshiheshin në buxhetin e rregullt të QKUK-së dhe Klinikës së Ortopedisë.
Hoti tha se një zgjidhje e tillë do ta shmangte nevojën për amendamente të reja në komisione apo për vendime ekzekutive të Qeverisë dhe ministrit të Shëndetësisë. Ai e përgëzoi ministrin për vendimin e vitit 2024, por e konsideroi atë të pamjaftueshëm si zgjidhje përfundimtare.
Deputeti i LDK-së shtoi se invalidët nuk duhet të mbeten në varësi të vendimeve të ekzekutivit apo të amendamenteve të veçanta. Ai propozoi që çështja të trajtohet me buxhetin e vitit 2027 dhe që protezat të bëhen pjesë e buxhetit të rregullt të Klinikës së Ortopedisë, e jo të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit, Komisioni diskutoi edhe për nenin 5, që lidhet me mundësinë e pagesës së kompensimeve retroaktive, përfshirë kompensimet që burojnë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Lushtaku kërkoi sqarime për përdorimin e shprehjes “Qeveria mund të miratojë pagesën e kompensimeve retroaktive”. Ai tha se çështja e kompensimit të përvojës së punës duhej të ishte adresuar dhe se Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendim për një rast që nuk ishte përfshirë në planifikimin e mëparshëm.
Sipas Lushtakut, në vend të fjalës “mund”, dispozita duhej të përdorte termin “duhet”, pasi bëhej fjalë për një obligim që duhej të përcaktohej qartë në ligj. Ai kërkoi që formulimi të përmirësohej edhe nga ana teknike.
Murati u përgjigj se formulimi është kryesisht çështje juridike dhe jo financiare. Ai tha se fjala “mund” përdoret për të krijuar bazën ligjore dhe mundësinë e realizimit të pagesës retroaktive, pa lejuar tejkalimin e buxhetit apo të qëllimit fillestar të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ministri shpjegoi se përdorimi i fjalës “duhet” mund të krijojë një detyrim edhe në rastet kur formulimi i pjesës tjetër të dispozitës mund të ketë gabime ose nuanca të tjera juridike. Për këtë arsye, ai e konsideroi fjalën “mund” të mjaftueshme për krijimin e bazës ligjore të pagesës.
Hoti kundërshtoi këtë arsyetim, duke thënë se, në rastin e një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, pagesa nuk mund të lihet në diskrecionin e ekzekutivit. Ai propozoi që formulimi të ishte “Qeveria duhet të ndajë mjete për pagesën” ose që të përcaktohej drejtpërdrejt se Qeveria ndan mjetet për kompensimet përkatëse.
Përfaqësuesja e Zyrës Ligjore të Kuvendit deklaroi se formulimi mund të rishikohet. Ajo propozoi heqjen e fjalës “mund” dhe përcaktimin në dispozitë se Qeveria miraton pagesën e kompensimit retroaktiv.





