Gjukanoviç: Shteti është gjithmonë më i fortë se çdo kriminalitet

“Unë nuk besoj në rrugët e shkurtra në udhëtimin drejt Bashkimit Evropian”, thotë Millo Gjukanoviq, president i Malit të Zi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, të zhvilluar në Pragë, më 14 shtator.

Gjukanoviq u përgjigjet kështu thirrjeve të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që t’u lehtësohet rruga drejt BE-së, nga frika se mund të bien nën ndikimin negativ rus.

Këto thirrje u shpeshtuan pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në fund të shkurtit.

Gjukanoviq, si president i shtetit që ka ecur më së largu në procesin e integrimeve evropiane, me të gjithë kapitujt e hapur dhe me tre të mbyllur përkohësisht, shpreh besimin se Mali i Zi do të jetë anëtari i parë i ardhshëm i BE-së.

Mali i Zi është ndër vendet që, sipas BE-së, mban epitetin “i kapur” nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, ndërsa emri i vetë Gjukanoviqit është gjetur edhe në bazën e të dhënave të gazetarëve hulumtues për “parajsat e taksave” anekënd botës, të njohura si “Panama Papers”.

Aktualisht, ai është i fokusuar në çështjet e destabilizimit të Malit të Zi, të cilat, sipas tij, janë pasojë e veprimeve ekspansioniste të qarqeve brenda dhe rreth Kishës Ortodokse Serbe (KOS), të cilat kulmuan me nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore mes këtij komuniteti fetar shumicë në vend dhe Qeverisë së Malit të Zi.

Pavarësisht nga klima komplekse politike dhe sociale, kur bëhet fjalë për proceset e integrimeve evropiane, Gjukanoviq thotë se nuk kërkon mbrojtje:

“Qëndrimi im është se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kenë vendin e tyre në BE, por se kjo do të arrihet pas reformave sociale, cilësore, gjithëpërfshirëse, të realizuara pa kushte. Prandaj, nuk besoj në rrugët e shkurtra drejt BE-së. Nuk besoj se është e mundur t’u përgjigjemi kërkesave të jetës brenda BE-së pa reforma të zbatuara më parë”.

“Prandaj, mendoj se mesazhi nga Mali i Zi ka qenë i qartë deri më tani – jemi të gatshëm t’i plotësojmë kushtet, mbi të gjitha në fushën e sundimit të ligjit, e cila është kthyer në një pikë kyçe të agjendës së negociatave me BE-në. Pas kësaj, ne duam të realizojmë anëtarësimin në BE dhe mendojmë se në bazë të asaj që është bërë deri më tani, Mali i Zi mund të jetë anëtari i parë i ardhshëm i BE-së”.

Rreth “shtetit të kapur”

Radio Evropa e Lirë: Ju hapët menjëherë çështjen më të rëndësishme, në lidhje me kapitujt 23 dhe 24 (gjyqësori dhe të drejtat e njeriut) në negociatat me BE-në. Rezultatet – sado mirë të jetë plotësuar forma – nuk janë të mira. Për shembull, në raportin e progresit të BE-së nga viti 2020, flitet për korrupsion të përhapur në nivelin e lartë në Mal të Zi dhe për paaftësinë ose reagimin joadekuat të gjyqësorit. Po e përmend 2020-ën si vitin kur partia juaj humbi pushtetin.

Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried.

Millo Gjukanoviq: Para së gjithash, mos t’ju befasojë fakti që ne kemi një deficit të vlerave evropiane në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe, për rrjedhojë, edhe një deficit të sundimit të ligjit. Nga ana tjetër, mendoj se është shumë e rëndësishme të theksohet gatishmëria politike e qeverive reformuese në rajonin tonë për t’i eliminuar këto deficite dhe, mbi bazën e reformave të zbatuara, pra me merita, të realizojnë anëtarësimin në BE.

Radio Evropa e Lirë: Nuk bëhet fjalë këtu për deficit, bëhet fjalë për vlerësime shumë të ashpra. Unë do të citoj Strategjinë për Ballkanin Perëndimor të përgatitur nga BE-ja, Komisioni Evropian për vitin 2018, dhe aty thuhet: “Vendet e Ballkanit Perëndimor tregojnë elemente të qarta të një shtetit të kapur, duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe përfshirjen e fortë të sektorit publik dhe privat”.

Millo Gjukanoviq: Unë këtë e kuptoj si një vështrim.

Radio Evropa e Lirë: A pajtoheni ju me këtë vlerësim?

Millo Gjukanoviq: Jo. Absolutisht jo, dhe këtë nuk po e them për herë të parë. Unë konsideroj që narracioni i tillë për Ballkanin Perëndimor, në vitet që ju po i përmendni, ka qenë mjaft i inspiruar me pavendosmërinë e Bashkimit Evropian për t’i pranuar vendet e Ballkanit Perëndimor. Siç e mbani mend, u krijuan alternativa të ndryshme ndaj anëtarësimit, megjithëse ne nga rajoni e përsëritëm me këmbëngulje se çdo alternativë ishte e keqe dhe se për stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi ishte e vetmja gjë që u përgjigjet vendeve tona.

Radio Evropa e Lirë: Ju lutem, le t’i përmbahemi shprehjes “shteti i kapur”. Pra, ajo erdhi nga një institucion i BE-së që merret me çështjet e integrimit. Kjo vlen për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Malin e Zi. Pra, erdhi nga autoriteti, të cilin ju e aspironi si shtet. Si është e mundur që të mos pajtoheni?

Millo Gjukanoviq: Mund t’ju them lirisht se ndoshta ai kualifikim i referohej Malit të Zi, sipas BE-së në atë kohë, pikërisht për shkak të rrethanave që në tridhjetë vjetët e mëparshëm nuk ka pasur ndryshim të pushtetit në Mal të Zi, sepse kishim vazhdimësinë e një koalicioni qeverisës.

Radio Evropa e Lirë: A po sugjeroni se në atë raport kishte ndonjë keqdashje ndaj Qeverisë suaj?

Millo Gjukanoviq: Sigurisht, sigurisht që ka pasur vlerësime shumë të njëanshme dhe sipërfaqësore. Pra, nga ato vlerësime të njëanshme dhe sipërfaqësore, është përkufizuar si strategji – e rëndësishme është vetëm të ndryshohet pushteti dhe gjithçka do të bëhet më mirë.

Radio Evropa e Lirë: Kush është krijues i vlerësimeve të tilla keqdashëse? A mund të thoni me emër dhe mbiemër?

Millo Gjukanoviq: Shumë, shumë qendra evropiane dhe jo vetëm evropiane. Pra, ju do t’i kujtoni vlerësimet e vitit 2018, 2019 dhe 2020, ku çështja e organizimit të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në Mal të Zi ishte çështje e rrezikimit të së drejtave fetare. Sot, ju dëgjoni nga Parlamenti Evropian se Kisha Ortodokse Serbe është një instrument i ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

Për përplasjet mafioze në Serbi dhe Mal të Zi

Radio Evropa e Lirë: Nuk do të ndalemi më këtu, por për shtetin e së drejtës dhe përmbushjen e kritereve të Bashkimit Evropian kam edhe një pyetje. Si mund të flasim për sukses në luftën kundër – le të themi – kriminalitetit të pastër, nëse në Mal të Zi dhe Serbi ka dhjetë vjet që po zhvillohet një luftë e klaneve kriminale, në të cilën humbën kokat mbi 170 veta, 62 prej tyre në Mal të Zi dhe vetëm 18 raste janë proceduar? A jeni të habitur nga ajo që po ndodh mes klaneve të ashtuquajtura Shkalar dhe Kovaç?

Millo Gjukanoviq: Nuk jam i befasuar, sepse po e përcjell zhvillimin e këtij problemi që nga dita e parë e paraqitjes së tij.

Radio Evropa e Lirë: Nisur nga joefikasiteti i policisë dhe organeve të hetimit në të dyja vendet, a tregon kjo se klanet mafioze kanë qasje më të thellë në institucionet e sistemit sesa ata që i udhëheqin këto vende?

Millo Gjukanoviq: E dini si, unë nuk do ta gjykoja mbi këtë bazë përfshirjen e atyre klaneve në institucionet e sistemit. Unë do të thosha se kjo përvojë konfirmon se sa janë të paskrupullta klanet në qërimin e hesapeve me njëri-tjetrin, ku frymëzim janë gjithmonë paratë nga biznesi i drogës.

Të dyja shtetet po bëjnë një luftë të ashpër kundër këtij fenomeni dhe atyre njerëzve. Mos i nënvlerësoni efektet në atë front. Një numër i madh njerëzish nga të dyja klanet, për të cilat po flisni, është në burgje. Ata që nuk janë në burgje, janë në arrati. Prandaj, kjo që po ndodh sot, po ndodh me vrasje të porositura nga jashtë.

Radio Evropa e Lirë: Sa intensiv është bashkëpunimi i policisë së Serbisë dhe asaj të Malit të Zi?

Millo Gjukanoviq: Me sa di unë, ato bashkëpunojnë në mënyrë shumë intensive dhe jo vetëm me njëra-tjetrën, por edhe me të gjitha policitë evropiane. Ky është një problem, me të cilin po ballafaqohet i gjithë sistemi evropian i sigurisë. Mos harroni se ka porte të mëdha që nuk janë as në Serbi dhe as në Mal të Zi, përmes të cilave kryhet transportimi i lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në Evropë.

Ky është një problem global me të cilin po merremi të gjithë, po shkëmbejmë informacione dhe besoj se nga java në javë do të jemi më të suksesshëm.

Radio Evropa e Lirë: A besoni se këtij fenomeni mund t’i dilet në krye së shpejti?

Millo Gjukanoviq: Besoj, absolutisht. Të mos mendojë askush të marrë hov, sepse shteti është gjithmonë më i fortë se çdo kriminalitet.

Për bashkëpunimin me Vuçiqin dhe vitet ‘90
Radio Evropa e Lirë: Si do ta përshkruanit me një fjali bashkëpunimin tuaj me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq?

Millo Gjukanoviq: Ai bashkëpunim është reduktuar shumë viteve të fundit, për shkak të dallimeve në politikat që personifikojmë unë dhe zoti Vuçiq.

Radio Evropa e Lirë: Ju personifikoni politikën pro-evropiane, po ashtu edhe ai. Kjo do të ishte diçka që do të duhej t’ju lidhte fort. Apo jo?

Millo Gjukanoviq: A po flisni ju në një nivel verbal apo serioz?

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se ju dyshoni në ambiciet e tij pro-evropiane?

Millo Gjukanoviq: Natyrisht se dyshoj dhe për këtë flas publikisht. Nëse dikush promovon politikën ku shteti i Serbisë shfaqet si patron ndaj serbëve në shtetet tjera, kjo nuk është politikë evropiane. Ju kujtohet që ajo politikë na çoi në luftë në vitet ‘90.

Radio Evropa e Lirë: Ju e mbani mend këtë më mirë se unë.

Millo Gjukanoviq: Natyrisht, edhe atëherë Serbia kishte dëshirën për t’i mbrojtur serbët e Bosnjës, kështu që ne e dimë se në çfarë çoi kjo.

Radio Evropa e Lirë: Saktë, por nëse kthehemi në atë kohë, atëherë duhet të themi se edhe ju keni qenë pjesë e asaj politike.

Millo Gjukanoviq: Unë kam qenë pjesë e asaj politike, por të gjithë e dimë se cilët kanë qenë krijuesit e asaj politike. Pra, këta ishin njerëzit kyçë të shteteve më të mëdha në hapësirën e ish-Jugosllavisë, të cilët atëherë u përpoqën të promovonin ose rinovonin idenë e krijimit të tri shteteve të zmadhuara në hapësirën e Ballkanit Perëndimor dhe, siç e dimë, përfundoi me 150.000 viktima njerëzore.

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo, bazuar në atë që po thoni, se përgjegjësia juaj ishte më e vogël?

Millo Gjukanoviq: Po, sigurisht.

Radio Evropa e Lirë: Pra, ju jeni përgjegjës, por më pak se aktorët e tjerë të asaj kohe?

Millo Gjukanoviq: Sigurisht, të gjithë ata që jetuan në atë kohë, duhet të ndihen përgjegjës, e lëre më ai që drejtonte politikën në atë kohë.

A ishte ligji për religjionin një përllogaritje e gabuar?

Radio Evropa e Lirë: Pyetja për Aleksandar Vuçiqin, në fakt, ishte një hyrje për t’u kthyer në temën që sigurisht është më e rëndësishmja për stabilitetin politik në Mal të Zi dhe ka të bëjë me çështjen e Kishës. Qeveria e Dritan Abazoviqit nënshkroi Marrëveshjen Themelore, pas së cilës gjë Qeveria e tij ra. Megjithatë, duhet të kthehemi një hap prapa dhe të theksojmë se nuk do ta kishim arritur Marrëveshjen Themelore nëse nuk do të ishte Ligji për Liritë Fetare. Ai ishte produkt i pushtetit në krye të të cilit ishit ju. Nga perspektiva e sotme, a mund të themi se në atë kohë keni dështuar në vlerësimin tuaj, se e keni vënë Malin e Zi në një situatë të rrezikshme, duke pasur parasysh ndarjet që pasuan në shoqëri?

Millo Gjukanoviq: Po ju kujtoj, e kam lënë postin e kryeministrit në vitin 2016. Nga viti 2016 deri në vitin 2020 ka qenë një qeveri, përbërja e së cilës dominohej nga partia që unë drejtoj.

A ishte Mali i Zi në prag të luftës?

Radio Evropa e Lirë: Derisa po vazhdonte procesi i quajtur “liturgjitë e Kishës Ortodokse Serbe” u dëgjuan vlerësime të ndryshme, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda, duke përfshirë edhe ato se Mali i Zi ishte në prag të luftës civile. A keni pasur frikë, qoftë edhe për një moment, se rezultati i rregullimit të çështjes së marrëdhënieve me Kishën Ortodokse Serbe mund të jetë fatal?

Millo Gjukanoviq: Jo, sepse unë besoja absolutisht në forcën e shtetit, në krye të të cilit gjendesha dhe isha absolutisht i sigurt se kushdo që do të përpiqej të ndezte zjarrin e luftës civile në Mal të Zi, do të përfundonte në burg. Prandaj, problemi lindi me ndryshimin e pushtetit në Mal të Zi, kur kishim një qeveri besimtarësh, mbi të gjitha fanatikësh fetarë.

Radio Evropa e Lirë: E keni fjalën për ish-kryeministrin Zdravko Krivokapiq?

Millo Gjukanoviq: Natyrisht.

Radio Evropa e Lirë: Bëhet fjalë për kryeministrin që hoqi nga qeveria ministrin që mohoi gjenocidin në Srebrenicë. Sipas këtij kriteri, vështirë se do të mund ta quanim fanatik fetar. “Fanatik fetar” nënkupton më të keqen.

Millo Gjukanoviq: Fanatik fetar është njeriu që ulet në zyrën time – ashtu sikurse unë dhe ti që po flasim tani – dhe që më thotë se është absolutisht i sigurt se fuqia e besimit lëviz malet, i cili, ndryshe nga unë, beson në jetën e përtejme.

Sërish president?
Radio Evropa e Lirë: A do të jeni kandidat i partisë suaj, DPS-së, për president të Malit të Zi në zgjedhjet e vitit të ardhshëm?

Millo Gjukanoviq: Këtë do ta shohim më pas./rel


Shtuar 15.09.2022 11:52