Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka zgjatur me tre muaj afatin e pezullimit nga ushtrimi i profesionit për mjekun Edvin Prifti.
Ky vendim vjen pasi SPAK ka çelur një çështje të re hetimore për kardiologun e njohur.
Më konkretisht ka qenë një denoncim i një djali, ndaj Priftit, pasi e ëme e tij ndërroi jetë, pasi u operua nga kardiologu.
Më herët, Prifti qëndroi i pezulluar për 1 vit në kuadër të një çështjeje për korrupsion, pasi doli në përgjime teksa po hetohej për ish-gjyqtaren e Elbasanit Enkelejda Hoxha.
Emri i mjekut Edvin Prifti doli gjatë hetimeve që SPAK nisi në Gjykatën e Krujës, operacion që u finalizua me arrestimin e 13 personave, mes tyre edhe gjyqtaren Enkelejda Hoxha.
Sipas përgjimeve mjeku Prifti mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën.
Sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuçi ka qenë nën përgjim, pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, i cili priste të lirohej nga Enkelejda Hoxha, por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës.
Në një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj.
Kjo gjë ka bërë që prokurori Altin Dumani të nisë një hetim për korrupsion për mjekun Prifti. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën mijëra euro dhe para cash në zyrë dhe në banesë, çka rëndoi dhe pozitën Priftit dhe me akuzën ‘pastrim parash’.
Më 13 shkurt të vitit të kaluar mjekut Priftit iu vunë prangat në seancën gjyqësore për masën e tij të sigurisë, për ta fituar lirinë disa javë më pas. Prej asaj kohe mjeku vijon betejën e tij në gjyqësor.