GJKKO rrëzon kërkesën e Fredi Belerit për përjashtimin e gjyqtarëve

Në procesin ndaj Fredi Belerit, Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokatëve për përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtarëve Erion Çela dhe Irena Gjokës me pretendimin se janë treguar të njëanshëm ndaj tij.

Në seancën e sotme u paraqitën 5 dëshmitarë mes tyre një gazetar lokal që intervistoi Avdyl Ramën, vëllain e bashkëpunëtorit të drejtësisë Arsen Ramës.

Dëshmitarët e tjerë ishin banor të Himarës të cilët dhanë sqarime se kishin miqësi me Belerin dhe e takonin disa për shkak të fushatës zgjedhore e disa si bashkëqytetar të Himarës.

Avokatët paraqitën kërkesën që në listën e dëshmitarëve të thërriten kancelari i gjykatës së Vlorës dhe ai i prokurorisë së të njëjtit qytet.

Vetë Fredi Beleri ishte i pranishëm në seancë ku parashtroi disa pretendime: ‘Çështja është montuar keq. Prokuroria e Vlorës është vënë në shërbim të policisë dhe janë manipuluar provat. Kam kërkuar informacione për personat që kanë falsifikuar provat. Këto informacione janë të nevojshme një mbrojtje normale. Më kanë futur në burg me një dëshmi penaliteti tp falsifikuar. Vijon manipulimi nga Prokuroria, nuk dihet për çfarë arsyesh. Ndihem i ofenduar dhe i diskriminuar. Kërkojnë me doemos të më dënojnë.’

Seanca u shty për në datën 10, ndërsa u pranua kërkesa e avokatëve që të thirren edhe dy dëshmitarët.


Shtuar 29.12.2023 13:39