Menjëherë pas mbarimit të seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme, ku trupa gjykuese vendosi të kalojë në proces themeli dosjen Meta-Kryemadhi, ka reaguar edhe avokati mbrojtës i ish-presidentit dhe kreut të Partisë së Lirisë.
Ai tha se kishte rezerva për Gjykatën, pasi “ishin tallur me avokatët”, dhe shtoi se gjatë të gjithë seancës nuk u paraqit asnjë provë, madje u ngrit akuza për korrupsion pasiv pa pasur një fakt dhe pa pyetur personin e akuzuar për korrupsion aktiv, që nuk është thirrur asnjëherë.
Madje Cakrani deklaroi se gjatë seancës kishte këmbëngulur që një nga kërkesat të ishte thirrja e kryeministrit Edi Rama, që të pyetej për ligjin e minierave.
“Kam rezervat e mia përsa i përket Gjykatës. Janë tallur me avokatët. Kemi kërkuar deri edhe dëshminë e kryeministrit Edi Rama për ligjin e minierave dhe dëshmi nga Amerika të personave të ndryshëm. Gjykata e konstatoi, por nuk u lejua. Gjykata u tall me avokatët. Gjykata nuk u ngrit dot në lartësinë e duhur”, u shpreh ai.
