Gjermania pro liberalizimit të vizave për kosovarët (FOTO LAJM)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot sekretarin e shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, me të cilin kanë folur për procesin e dialogut Kosovë – Serbi, si dhe rrugën e Kosovës drejt BE-së, duke përmendur edhe liberalizimin e vizave për kosovarët.

Presidentja Osmani ka shprehur falënderimin e saj për Gjermaninë për përkrahjen e vazhdueshme që i ka ofruar Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, duke potencuar se ky shtet mbetet një nga partnerët më të besueshëm të vendit tonë.

“Presidentja Osmani ka përmendur procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, duke theksuar se janë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim dhe se nuk ka arsye për të vonuar edhe më tutje këtë proces.”

Në këtë kontekst, Presidentja ka theksuar nevojën e thellimit të mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet dy shteteve, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, diplomatik e kulturor. Osmani po ashtu ka theksuar se sundimi i ligjit është parakusht për zhvillim të mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës dhe e afron vendin tonë më afër Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e bërë nga presidenca.

Tutje në njoftim thuhet se sa i përket procesit të dialogut, presidentja Osmani theksoi se prioritet për Republikën e Kosovës duhet të jetë zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë si dhe përmbyllja e procesit me njohje reciproke. Ajo po ashtu potencoi se forcimi i aleancave me shtetet mike është i domosdoshëm për suksesin e vendit tonë.

Ndërkaq, Berger, pasi që ka shprehur ngushëllime për humbjen e dhjetë kosovarëve në tragjedinë e së dielës, në Kroaci, citohet të ketë vlerësuar pozitivisht qasjen e institucioneve kosovare të Kosovës, për të garantuar zhvillimin ekonomik dhe përafrimin e Kosovës në BE.

Ai po ashtu, citohet të ketë thënë se shteti i tij është pro liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Sipas tij, Gjermania është në favor të liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës. Ai, gjithashtu ka deklaruar se Gjermania do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Kosovës në fusha të ndryshme dhe se janë të gatshëm për thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimin bilateral mes dy shteteve”, thuhet në njoftim.


Shtuar 28.07.2021 21:02