Gjermania paralajmëron sanksione të reja kundër Rusisë

Evropa do të forcojë sanksionet kundër Moskës ndërsa afron përvjetori i parë i agresionit rus në Ukrainë, si një sinjal për presidentin rus Vladimir Putin, tha të mërkurën kancelari gjerman Olaf Scholz përpara një takimi të posaçëm të BE-së.

“Putini nuk do t’i arrijë qëllimet e tij në fushën e betejës dhe as nuk do të arrijë të diktojë kushtet për paqe”, tha zoti Scholz në Bundestag – dhomën e ulët të parlamentit gjerman. Ai tha se BE-ja do të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme

Burime diplomatike i thanë Reuters-it muajin e kaluar se vendet e BE-së po punonin për një paketë të 10-të sanksionesh që duhet të jetë gati rreth përvjetorit të agresionit të Rusisë ndaj fqinjit të saj.

Kancleari Scholz kritikoi gjithashtu konkurrencën publike midis disa vendeve se cili mund të dërgojë më shumë armë dhe më të mira në Ukrainë, duke thënë se kjo ka dobësuar unitetin mes aleatëve.

“Ne e ruajmë dhe forcojmë këtë unitet duke përgatitur fillimisht vendimet pa i publikuar dhe vetëm më pas duke i komunikuar ato”, tha zoti Scholz duke përmendur bashkëpunimin e tij me presidentin amerikan Joe Biden mbi vendimin për të furnizuar Ukrainën me tanke moderne luftarake.

Përpos luftës në Ukrainë, udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë gjithashtu çështjen e imigrimit të parregullt dhe situatën ekonomike të bllokut në takimin e tyre të posaçëm në Bruksel të enjten dhe të premten.

Zoti Scholz tha se Evropa nuk kishte nevojë të fshihej nga Ligji i Reduktimit të Inflacionit të SHBA-së kur bëhet fjalë për sasinë e subvencioneve që qeveria amerikane do të japë për bizneset e saj, por shtoi se udhëheqësit evropianë kanë nevojë për një analizë të detajuar përpara se të mund të trajtojnë ndonjë boshllëk.

Një garë subvencionesh me Shtetet e Bashkuara do të ishte përgjigja e gabuar për BE-në, shtoi kancelari Scholz, i cili tha se Gjermania po përpiqet të thellojë marrëdhëniet e saj ekonomike me Shtetet e Bashkuara.

“Bisedimet e vazhdueshme për këtë ligj amerikan janë një pikënisje e mirë për këtë, të paktën nëse SHBA heq dorë nga rregullat që i vendosin kompanitë evropiane në disavantazh krahasuar me kompanitë nga Kanadaja dhe Meksika”, tha zoti Scholz.

Ai po i bënte jehonë kërkesave të BE-së për të njëjtin trajtim për kompanitë evropiane si partnerët tregtarë të SHBA-së, prodhimi i të cilëve është përfshirë kryesisht në skemat e subvencioneve. /VOA


Shtuar 8.02.2023 16:27